Ka javë që Kosova po ‘vërshohet’ nga grevat e punëtorëve nëpër sektorë të ndryshëm.
Mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë ka kohë që veç kanë filluar grevën dhe nuk po ushtrojnë funksionet e tyre në profesionet përkatëse.
Natyrisht, kjo vjen si pasojë e pakënaqësive me pagën dhe kushtet e punës, marrë parasysh edhe inflacionin (lexo: shtrenjtimin e jetës), që e ka kapluar Kosovën dhe jo vetëm.
Megjithatë, nuk janë vetëm punëtorët e sektorit publik që janë të pakënaqur me trajtimin që u bëhet, tani, edhe punëtorët e sektorit privat, gjegjësisht sindikata e tyre ka dy javë që deklarohet e pakënaqur dhe e gatshme për fillimin e grevës, gjë që do ta rëndonte edhe më shumë zinxhirin ekonomik të Kosovës, duke e ditur që më shumë se 70% e të punësuarve në Kosovë i takojnë kompanive private.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, për arbresh.info deklaroi se ata janë të përgatitur fillimisht për protesta, e pastaj varësisht nga situata dhe përgjigja e qeverisë, do të ndërmarrin veprime tjera.
Sipas Azemit, qeveria nuk po brengoset fare as për punëtorët e sektorit publik, e lëre më për ata të sektorit privat.
“Ne jemi në përgatitje e sipër për protesta, po për grevë ende nuk kemi caktuar as ditë e as kohë. Jemi duke e përcjellë situatën dhe varësisht prej situatës do të shohim se si do të reagojmë. Merreni me mend, derisa edhe punëtorët e sektorit publik janë në gjendje mjaft të keqe, është e pakuptimtë kjo që po ndodh. Shtetit nuk po ia ndjen për punëtorët e sektorit publik e lëre më për ata të privatit”, deklaroi Azemi për arbresh.info.
Duke përmendur pagat e vogla në sektorin privat dhe inflacionin me të cilin qytetarët po përballen, në një prononcim për redaksinë tonë, Azemi tha se ata janë mashtruar dhe qeveria ua ka humbur dinjitetin, gjithashtu, ai tha se masat e tyre në kuadër të pakos për inflacion nuk kanë qenë serioze.
“Duke u nis nga paga, duke u nis nga mos-nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, në fakt ne nuk kemi asgjë, nuk jemi të zhveshur nga ligjet, por nga mos-implementimi i tyre dhe realisht në sektor privat ka ende punëtorë që marrin edhe nga 130 euro pagë në një inflacion kaq të madh. Stimulimi u bë për sektorin publik me nga 100 euro, ndërsa ne të sektorit privat jemi mashtruar, ishte një shaka e llojit të vet kur thanë se do të subvencionojnë 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat. Përpos që po na lënë pa paga, po na lënë edhe pa dinjitet, na kanë vendosur në cilësinë e lypësit, na e kanë humbur edhe atë pak kranari që e kemi”, tha Azemi për arbresh.info.
Azemi shkoi edhe më tutje kur tha se nëse pas protestave të tyre qeveria nuk vepron në drejtim të kërkesave që ata kanë, atëherë atyre do t’iu duhet t’i bllokojnë edhe spitalet, ku përmendi kompanitë private që punojnë në kuadër të tyre.
“Kemi kompani publiko-private që i mirëmbajnë spitalet, ne kur të hyjmë në grevë fatkeqësisht nuk do të bëjmë sikur punëtorët e arsimit, ne do t’i bllokojmë edhe spitalet. E di që ne nuk kemi kulturë të bllokimit të spitaleve, por veprimet që po ndërmerren dhe rrethanat që po zhvillohen, mund t’a dërgojnë punën edhe deri këtu”, përfundoi Azemi për arbresh.info.
Ndërkohë, ekonomisti Burim Berisha beson që greva eventuale e sektorit privat mund të zbatohet vetëm nga kompani të caktuara, pra, nuk mund të ketë grevë të përgjithshme. Në rast se do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë efekti do të jetë i madh dhe i dëmshëm.
“Është hera e parë që në Kosovë paralajmërohet një grevë e tillë, punëtorët mund të jenë të rrezikuar nëse e ndërprejnë punën, nuk ka ndonjë kontratë që e lejon grevën. Nëse ndodh, efekti ka me qenë shumë i madh, por nëse ka grevë, do të jetë nga ndonjë kompani e caktuar, e nuk besoj që mund të ndodhë ndonjë grevë totale, është shumë problematike”, tha Berisha për arbresh.info.
Berisha deklaroi se qeveria ka krijuar një pabarazi mes sektorit publik dhe privat, duke i shtypur të drejtat e këtyrëve të fundit. Ai përmendi vendimin për rritjen e pagës minimale, që sipas tij nuk po zbatohet plotësisht, si dhe pakon e inflacionit ku punëtorët e sektorit privat u ndihmuan jashtëzakonisht pak, për të mos thënë fare, krahasuar me ata që punojnë në sektorin publik.
“Vendimi i qeverisë për t’u ngritur paga minimale nga 130-170 euro në 264 euro bruto, nuk është zbatu. Nuk e di ku ka qenë problemi, po veprimi i parë është dashur të jetë zbatimi i këtij vendimi, pra, asnjë pagë mos të jetë nën 264 euro. Dhe tash, në momentin që gjithë sektori publik do të merr nga 50 euro shtesa në muaj, automatikisht të gjithë punëtorët e deklaruar është dashur ta marrin të njëjtën shumë. Në qoftë se ka inflacion për sektorin publik, ka edhe për punëtorët e sektorit privat, nëse punëtorët e sektorit publik janë 90 mijë persona, në privat janë 400 mijë. Pra, duhet të krijohet njëfarë mirëqenie për të gjithë, jo për dikënd më mirë e për dikënd më keq. Është dashur që të veprohet sikur në muajin prill, ku të gjithë punëtorët, çfarëdo sektori që punojnë, të marrin ndihmën e njëjtë, pra nga 100 euro”, deklaroi Berisha për arbresh.info.
Norma e inflacionit në Kosovë ka arritur në 19.5%, pothuajse më e larta në rajon. Çmimet janë shtrenjtuar, rrjedhimisht edhe jeta. Si pasojë e kësaj, të gjithë punëtorët po kërkojnë paga më të larta dhe ndihmë nga shteti. Kjo është edhe një ndër arsyet më të ‘forta’ që ka shtyrë në fillimin e grevave.
Në Kosovë, edhe më herët ka pasur grevë të shërbyesve civil dhe mësimdhënësve, megjithatë, një situatë e tillë kur këto greva zgjasin kaq shumë madje edhe sektori privat paralajmëron për grevë, nuk është parë akoma në këtë vend.
Mbetet të shihet nëse qeveria do t’ua plotësojë kërkesat të gjithë punëtorëve, apo punëtorët do të tërhiqen nga ato kërkesa dhe do të eliminohet mundësia për të pasur grevë nga ‘motori’ kryesor i ekonomisë, sektori privat. /EmirAbduramani/arbresh.info/
Raportohet për një valixhe të dyshimtë në Ferizaj, policia j...
Sveçla jep detaje të reja për aksionin e sotëm në veri
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...
Rashford e bën prioritet transferimin te gjiganti evropian, ...