Pas vërshimeve, reagon Osmani: E pafalshme mungesa e seriozitetit në investime kualitative

16:58 | 11 Janar 2021
L G

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vërshimeve që kanë përfshirë disa rajone të Kosovës.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo situatë më së miri dëshmon se investimi në rrugë nuk mjafton.

Sipas saj, duhet të sigurohet që ndërtimi i tyre realizohet konform standardeve më të larta, shkruan arbresh.info.

“Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi të jashtëzakonshme për shumë qytetarë në pjesë të ndryshme të vendit. Qytetarët tanë po përballen me përmbytje, vërshime, vështirësi qarkullimi nëpër rrugë, dëme në shtëpi e prona private, si dhe defekte në rrjetin elektrik”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, fatkeqësitë natyrore vërtet janë të paparashikueshme, por rëndimi i situatës shkaku i mungesës së seriozitetit sistematik e afatgjatë për investime kualitative kapitale është tërësisht i pafalshëm.

“Situata e këtyre ditëve është dëshmi e qartë se investimi nëpër rrugë nuk mjafton, ndaj mbi të gjitha duhemi të sigurohemi që ndërtimi i tyre të realizohet konform standardeve më të larta. Duke e parë seriozitetin e situatës, falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, e cila ndodhet në terren në zonat më të rrezikuara në gatishmëri të plotë për t`i ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur ajo.

Ajo ka bërë lutje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të reduktojnë lëvizjet në rrugë deri në menaxhimin e plotë të situatës!

“Apeloj tek të gjitha institucionet që të jenë në gatishmëri të plotë për t`iu përgjigjur nevojave të qytetarëve në përballje me këtë situatë”, ka shkruar ajo./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme