Pas Sveçles edhe Policia e Kosovës jep detaje për aksionin në Zveçan

21:35 | 7 Korrik 2022
E.H

Policia e Kosovës jep detaje të reja lidhur me aksionin në Zveçan, ku dyshohej që në një objekt banimi kishte lëndë narkotike, raporton Policia e Kosovës.

“Rreth orës 15:50 me asistencën e Njësitit për Intervenim, njësiti patrullues nga stacioni policor në Zveçan, ka filluar kontrollin e objektit dhe në brendësi janë gjetur lëndë narkotike e ngjashme me marihuanë me peshë prej rreth 45 gram, gjithashtu janë gjetur 10 rrënjë të dyshimta të ngjashme si bimë kanabisi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë realizimit të operacionit policor, u gjetën një numër i madh makinerish, gjegjësisht pajisje për nxjerrjen e kriptovalutave.

Si dëshmi dhe prova gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar:

“Katër (4) kamera video incizim, DVR, makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me gjashtë karta, makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me gjashtë karta, makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me tetë copë karta, makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me tetë copë karta, monitor me tastierë, 19 copë makineri për nxjerrjen e kriptovalutave, lloje të tjera, ndarës i kabllove në internet për minierat e kriptovalutave, modem interneti, ruter, ventilator”, thuhet në njoftimin e PK.

Sipas Policisë, vlera e makinerive të gjetura, vlerësohet të jetë rreth 55 mijë euro.

“Është kontaktuar prokurori i Shtetit në detyrë, i cili është informuar për rastin, i njëjti ka urdhëruar që të bëhet kryqja e vendit të ngjarjes, të kontaktohet dogana e Kosovës për të marrë përsipër veprimet, punën e mëtutjeshme. Veprimet tjera do të ndërmerren sipas udhëzimeve të prokurorit kompetent, përderisa policia është në kërkim të të dyshuarit i cili ndodhet në arrati” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, edhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, pak më herët ka dhënë detaje lidhur me këtë aksion./arbresh.info/

LEXO EDHE:

Sveçla: Lufta jonë ndaj ilegaliteteve që cënojnë jetën e qytetarëve tanë nuk ka alternativë

Të ngjashme