Google ADS

Pas sulmit në centralin bërthamor në Ukrainë, PDK-ja kërkon forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës

12:08 | 4 Mars 2022
V. S.

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi – Ramaj, ka thënë sot në një konferencë për media se Qeveria e Kosovës duhet të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë, marrë parasysh gjendjen e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.

“Ne vlerësojmë se është krejt legjitime dhe e domosdoshme, që në këtë moment kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, Kosova duhet t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria, që ta sjellë brenda javëve në vazhdim, në afat sa më të shkurtë por gjithsesi brenda këtij muaji, rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Konkretisht, kërkojmë nga Qeveria që nga shpenzimet kapitale të parapara për këtë vit, të cilat janë përllogaritur në vlerë prej 554 milion eurosh, të merren 100 milion euro dhe të njëjtat të ri destinohen për nevojat e ushtrisë.”, tha ajo.

Ky reagim vie në ditën kur Ministria e Jashtme e Ukrainës konfirmoi se një zjarr ka shpërthyer në termocentralin bërthamor më të madh në Europë, pasi ushtria ruse e ka sulmuar atë nga të gjitha anët.

Në këto rrethana në të cilat po kalon Ukraina dhe Evropa në përgjithësi, PDK vlerëson se nuk ka prioritet më të madh për Kosovën, sesa forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, në mënyrë që Ushtria e Kosovës të jetë e gatshme që t’i kontribuojë ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vendin tonë.

“Po ashtu, meqenëse rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit, buxheti i shtetit që ndahet për ushtrinë tonë, të kapë vlerën e minimum 2 për qind të GDP-së së vendit, konform vendimit të ministrave të Mbrojtjes së NATOs që është marrë në qershor të 2006.”, tha Kabashi – Ramaj.

Kabashi-Ramaj tha se që nga 24 shkurti i këtij viti, dinamika e zhvillimeve politike dhe atyre të sigurisë ka ndryshuar jo vetëm për Ukrainën, por pothuajse për të gjithë Evropën, si dhe ka ndikim direkt në tërë arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

“Kjo krizë që po ndodhë sot në qendër të Evropës, ku agresioni rus ndaj Ukrainës po prodhon dëme të mëdha, si në humbjen e jetës së njerëzve, ashtu edhe në cenimin e parimeve demokratike dhe rendit ndërkombëtar, po prodhon dëme e pasoja direkte, jo vetëm për qytetarët e Ukrainës por njëkohësisht edhe kërcënime shumë serioze, ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë e më gjerë. Fatkeqësisht deri më sot, nuk është parë asnjë përpjekje nga pala e Federatës Ruse që mund të ketë një ndërprerje, përkundrazi, ka deklarata shqetësuese që thellojnë edhe më tej krizën.”, tha ajo.

Kabashi – Ramaj theksoi se eskalimi i kësaj situate mund të ndikojë edhe në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajonin tonë, dhe Republika e Kosovës ndonëse e ka konsoliduar shtetësinë dhe sovranitetin e vet, sërish mund të jetë cak i pretendimeve armiqësore.

Laura Rockwood, drejtoresha e rrjetit jofitimprurës të Open Nuclear Network, i tha më herët Radio 4 të BBC-së se lufta mund të ketë një ndikim në rrjetin elektrik të Ukrainës, i cili varet nga energjia bërthamore.

Ajo tha se aktiviteti ushtarak rreth një centrali paraqet dy rreziqe të drejtpërdrejta për instalimet bërthamore – dëmtim të mundshëm në infrastrukturën e një centrali dhe dëmtim të personelit të tij, ose dëme shumë më serioze që ndikojnë në aftësitë operacionale të një centrali që mund të shkaktojnë një shkrirje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme