Prishtinë – Avokati mbrojtës i të akuzuarit Andi Pajazitit, Florent Latifaj, ka deklaruar se klienti i tij kishte vepruar në vetëmbrojtje gjatë incidentit që çoi në vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, më 4 gusht 2023.
Këtë deklaratë, Latifaj e bëri të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku vazhdoi administrimi i provave materiale, përfshirë video-incizimet e momentit të ngjarjes.
Latifaj pas shikimit të video-incizimeve, ka thënë se edhe një herë u vërtetua ajo cfarë ka thënë nga fillimi se veprimet e të mbrojturit të tij kishin të bënin me vetëmbrojtjeje.
Fillimisht në këtë seancë me pajtimin edhe të prokurores së rastit Bukurije Gjonbalaj, është bërë leximi i deklaratës së dhënë në Polici për të dëmtuaren Ardita Alija.
Ndërsa për të dëmtuarin Ndue Nikqi, prokurorja Gjonbalaj deklaroi se për të njejtin është një situatë tjetër pasi që për të kjo prokurori nuk ka adresë të saktë përveç informatës se i njejti jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj prokurorja propozoi që edhe deklarata e dhënë në Polici nga i dëmtuari Nikqi të lexohet nga kjo gjykatë.
Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, ndërpreu seancën e sotme pasi që kishte arritur koha e përfundimit të orarit të punës të kësaj gjykate, ndërsa seancën e radhes e caktoi për një datë tjetër.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Osmani hap dyert e Presidencës për fëmijët, i quan udhëheqës...
“Shkodra Elektronike” në Podcast me Ramën: Fitor...
Rama ndan pamjet: Turistët në kodrat e mrekullueshme të Kara...
Kurti: Serbia me mbështetjen e Rusisë përhap narrativë kundë...
Rritet fluksi i kosovarëve në Morinë të Shqipërisë
Vihet gurthemeli i objektit të ri të Komunës së Shtimes