Ish-presidenti Bujar Nishani në një intervistë dhënë Report Tv, flet për zhvillimet më të fundit që lidhen me Kosovën, vendimin e NATO-s për ta kthyer në një bazë të sajën ish-aeroportin ushtarak të Kuçovës, procesin e Vettingut si dhe për zhvillimet më të fundit në gjirin e opozitës dhe se si është duke qeverisur Edi Rama.
“Pra, në këtë kontekst, mund të themi fare qartë që, çdo tendencë apo tentativë për të krijuar një model të rivendikimit të territoreve, të kufijve të njohur ndërkombëtarisht pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, midis Kosovës dhe Serbisë, padyshim që rikthehet në një problem përplasjesh rajonale. Dhe jo më kot, kemi parë së fundi, që edhe politika e disa prej vendeve të tjera të rajonit tonë, në Ballkan, siç është në Maqedoni p.sh., ka reaguar menjëherë kundër këtyre tendencave, kundër këtyre projekteve apo kundër këtyre synimeve”, është shprehur Nishani.
Së pari, do të thosha që nuk kemi asnjë informacion të qartë, natyrisht nuk po flasim për detaje, por për thelbin çfarë kihet parasysh me korrigjim të kufijve, çfarë ka në ide Presidenti i Kosovës apo edhe interlokutorët e tjerë të Presidentit të Kosovës në dialogun me Serbinë, se dukshëm kjo është një çështje që i referohet dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Pra, nuk ka asgjë të qartë në këtë çështje. Por, përderisa nuk ka asgjë të qartë dhe një shpjegim pak më të detajuar, të gjithë këtë e kuptojmë si një shkëmbim territoresh, pasi nëse do të ketë korrigjim kufijsh, do të ketë një korrigjim të dyanshëm. Nuk mund të ketë korrigjim të njëanshëm të kufirit. Korrigjimi i dyanshëm i kufirit, në kuptimin tim dhe të logjikës politike, institucionale, ligjore e njerëzore, do të thotë që do të ketë një shkëmbim territoresh. Ky është një propozim i kahershëm serb, prej kohësh që qeveria serbe që pas humbjes së luftës si një nga aktorët kryesorë të luftërave pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Serbia ka dalë me teorinë e rimarrjes së disa territoreve në kontekstin e një formule shkëmbimi territoresh. Unë e kam gjykuar dhe vazhdoj ta gjykoj si një provokim të rëndë, në tërësi për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është si të ngulësh një gozhdë të përhershme të destabilitetit, pasi kufijtë e definuar pas shpërbërjes jo konsesuale të ish-Jugosllavisë, kemi një realitet të ri, një realitet i cili është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, kemi disa shtete të reja, nuk kemi vetëm Kosovën, kemi që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia dhe të fusësh të gjithë rajonin në një psikozë, në radhë të parë, pastaj edhe në një angazhim politiko-institucional dhe shtetëror të ridefinimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, do të thotë që kjo zonë, e cila deri para 10 apo 15 vitesh megjithëse ishte pjesë e kontinentit më të civilizuar në botë siç është Evropa, pësoi luftëra të tmerrshme, gjenocide, masakra dhe dhunë të paimagjinueshme, do të thotë që të sjellësh përsëri këtë mentalitet, këtë ide dhe këtë ambient të tronditjes, të përplasjes dhe të interesave për ndryshime territoresh, për ndryshime kufijsh. Ndaj unë them që kjo tendencë dhe kjo qasje që vjen nga Serbia, por, padyshim, me sponsorizim të aktorëve të aksit anti-euroatlantist, i cili, për fat të keq, ka krijuar disa ndikime në hapësirën e kontinentit tonë, do të thotë që të vazhdosh të mbash të gjallë frymën e destabilitetit, të pasigurisë dhe të nxitjes së konfliktit.
Zoti Nishani a mund të themi se Presidenti Thaçi me këtë deklarim thjesht ka dashur të testojë Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë?
Unë mendoj, në këndvështrimin tim, që Presidenti i Republikës së Kosovës ka dashur të bëjë publik, çka mund të themi edhe në formë presioni mund të jetë bërë gjatë bisedimeve, të bëjë publike atë çka është hedhur në tryezën e diskutimit. Dhe unë besoj që, më mirë që bëhet publike sepse në njëfarë mënyre edhe ndihmohet qëndrimi shqiptar dhe duke e diskutuar besoj që edhe dalin argumente më të qëndrueshme, më logjike, më të maturuara politikisht dhe institucionalisht, për të kundërshtuar këtë provokim të Serbisë dhe të aktorëve të tjerë proserbë. Kështu që, mendoj që fakti që u bë publike, jo se nuk dihej apo nuk ishte lancuar më parë, por kur hidhet në diskutim si një qëndrim i autoriteteve të Kosovës, merr një konotacion tjetër, merr një qasje tjetër dhe unë besoj që është si fenomen më mirë që lançohet dhe hidhet në diskutim publik, sesa të mbahet ashtu në mënyrë të fshehtë, në mënyrë sekrete dhe të penalizohesh në njëfarë mënyre në fund, në kuptimin politik të fjalës. Besoj që duhen mirëpritur të gjitha reagimet që vijnë nga bota shqiptare në Kosovë, në Shqipëri, në diasporë, mendimi intelektual dhe besoj që dukshëm këto ditë është ravijëzuar qëndrimi i një shumice dërrmuese në botën shqiptare, që tendenca e Serbisë, synimi i Serbisë për ta alokuar procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë te një pikë, që ka të bëjë pra me shkëmbimin e territoreve apo me të ashtuquajturin korrigjim kufijsh, është jo vetëm në dëm të rajonit, është jo vetëm në dëm të stabilitetit dhe të paqes, por është në dëm të të gjitha proceseve pozitive që kanë tejkaluar në kohën e shkuar, por që kanë sjellë kontribute pozitive në mirëkuptim, në paqe dhe në orientim. Unë besoj që ka ardhur koha që Serbia duhet të kuptojë që, bashkë me përfundimin e luftës së ftohtë, ka përfunduar edhe në rajonin e Ballkanit hegjemonia serbe. Serbia duhet të pajtohet me modelin e rregullit ndërkombëtar të bashkëjetesës, të fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe të paqtimit me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Kjo do të jetë e mirë për Serbinë, kjo do të jetë e mirë për popullin serb, kjo është e mirë për tëgjithë popujt e rajonit tonë, kjo është e mirë për të ardhmen tonë të përbashkët. Fatmirësisht kemi një mekanizëm, i cili e lehtëson edhe perceptimin, edhe mentalitetin, edhe kulturën, edhe sjelljen institucionale, siç është ai i procesit të integrimit evropian. Dhe mbajtja gjallë e këtij procesi i ndihmon të gjitha palët. Por, në fund të fundit, duhet të kuptojë Serbia që lufta e ftohtë ka mbaruar dhe hegjemonizmi serb mbi vendet e tjera dhe mbi popujt e tjerë ka përfunduar.
Nëse Presidenti Thaçi do të këmbëngulë në këtë propozim, a do të shërbejë kjo për një konflikt të ri të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë?
Nuk është çështje më ridefinimi i kufijve. Shkëmbimi i territoreve midis dy shteteve në rajon nuk mbetet më si një problem apo si një çështje e debatit dhe e përplasjes midis këtyre dy shteteve, por kthehet në një çështje rajonale. Ne e kemi parë që konfliktet në rajonin e Ballkanit kanë qenë konflikte midis shumë shteteve. Serbia ka qenë në konflikt me Kroacinë, me Malin e Zi, me Bosnjë-Hercegovinën, me Kosovën, me Maqedoninë dhe vazhdon ende të ketë disa konflikte të tjera. Pra, përplasja midis dy shteteve, veçanërisht në aspektin e territoreve, automatikisht në Ballkan kthehet në një çështje të përplasjes, të konflikteve dhe të destabilitetit rajonal. Prandaj, ajo kaq e ndjeshme dhe kaq sensitive. Jo më kot flitet gjithmonë dhe thuhet që faktori shqiptar është faktori i stabilitetit në rajon, për faktin që kemi sot shqiptarë të shpërndarë dhe që jetojnë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor dhe fakti që këto shtete kanë këtë stabilitet sot është edhe për shkak të kontributit të rëndësishëm të faktorit shqiptar. Pra, në këtë kontekst, mund të themi fare qartë që, çdo tendencë apo tentativë për të krijuar një model të rivendikimit të territoreve, të kufijve të njohur ndërkombëtarisht pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, midis Kosovës dhe Serbisë, padyshim që rikthehet në një problem përplasjesh rajonale. Dhe jo më kot, kemi parë së fundi, që edhe politika e disa prej vendeve të tjera të rajonit tonë, në Ballkan, siç është në Maqedoni p.sh., ka reaguar menjëherë kundër këtyre tendencave, kundër këtyre projekteve apo kundër këtyre synimeve.
Le të ndalemi në një tjetër zhvillim. Si e keni pritur lajmin se Baza Ajrore e Kuçovës do të merret në përdorim nga NATO?
Së pari, ky është një lajm, i cili është bërë publik vetëm nëpërmjet Facebook-ut të kryeministrit të Shqipërisë. Krijimi i një aksesi ushtarak, të një baze qoftë kjo operacionale apo logjistike e Aleancës në Shqipëri, është një lajm shumë i rëndësishëm, jo i mirëpritur, por do të ishte një lajm me një ndikim në historinë e rajonit. Për këtë rëndësi që ka vetë si fenomen apo si çështje, mendoj se nuk është serioze që ta marrim këtë lajm, për aq sa mund të jetë i vërtetë, nga Facebook-u i kryeministrit të Shqipërisë. Së pari, në eksperiencën time, lajmet për hapjen e bazave të reja të Aleancës mund t’i njoftojë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ose Komandanti i Komitetit Ushtarak ose Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë. Gjithsesi, unë e marr të mirëqenë njoftimin që ka bërë Kryeministri, megjithëse nuk bashkohem për formën dhe mënyrën se si e ka gjetur për ta përcjellë apo për ta lançuar. Mund të jetë dhe një zgjerim i kapaciteteve ushtarake që ka Shqipëria dhe jo thjesht një bazë e mirëfilltë. Por, në Shqipëri ka pasur dhe ka shumë nevojë për një prezencë më të madhe të Aleancës, duke marrë në konsideratë disa arsye. Së pari, stabiliteti i Ballkanit vazhdon të mbetet i brishtë. Së dyti, ka një rikthim të modernizimit dhe të fuqizimit ushtarak të Aleancës së Atlantikut Verior, pas samitit të fundit të kësaj Aleance në Bruksel. Së treti, Serbia ka përparuar me shpejtësi përmes bazës së Nishit, duke akumuluar resurse ruse në rajonin e Ballkanit. Sot lufta e nxehtë është zëvendësuar nga ajo që ne e quajmë lufta hibride dhe sjell rreziqe nga më të ndryshmet, të cilat kërkojnë të përballohen në forma që nuk kanë vetëm përmbajtjen e grykës së tankut apo të raketës, por ka forma parandalimi dhe dekurajimi të ndryshme ndaj rreziqeve që mund të vijnë, të cilat janë asimetrike. Pra, një prezencë e tillë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, për faktin se sot në rajon, i cili përkon me krahun jugor të NATO-s, Kroacia dhe Shqipëria janë dy jastëkët kryesorë të bazamentit euroatlantik, për sa i takon çështjes së sigurisë. Pra, do të jetë një zhvillim pozitiv i zgjerimit dhe i forcimit të krahut jugor të NATO-s dhe Shqipëria mund ta ofrojë këtë kapacitet, por mbetet për t’u parë në të vërtetë se çfarë është ky projekt dhe në çfarë dimensioni do të zhvillohet.
Gjatë kohë kur ju keni qenë President i Republikës njëherësh edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosuara, a ka pasur kërkesa të ngjashme nga NATO apo partnerët tanë strategjikë për të pasur bazat e tyre në Shqipëri?
Projekte të tilla diskutohen gjithmonë me qeverinë. Ne jemi një republikë parlamentare, Ekzekutivi është pushteti i cili merr vendimet, Presidenti i Republikës vërtet mban edhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, por në kohë paqeje këto ia delegon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ia delegon ministrit të Mbrojtjes, ia delegon kryetarit të qeverisë. Prandaj të gjitha negociata dhe bisedimet që bëhen në aspektin e sigurisë, bëhen gjithmonë me qeverinë. Ka pasur dhe vazhdon të ketë gjithmonë, për sa kohë Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, kontakte dhe planifikime, tëketë planizime, në fund të fundit kjo është detyra e NATO-s dhe e qeverive të vendeve përkatëse.
Që kur ka nisur Vetting-u keni qenë shumë aktiv me komentet e tuaja në Facebook, ku thoni se procesi i Vetting-ut po korruptohet dhe po degradon. Le t’i marrim një e nga një këto konstatime tuajat. Përse mendoni se po korruptohet, ndërkohë që pjesë e këtij procesi janë edhe ndërkombëtarët?
Në radhë të parë unë dua ta nis përgjigjen time me konfirmimin që parimi i Vetting-ut, si një parim që veçanërisht në shoqëritë e demokracive të reja siç është Shqipëria, ku ka ende, le të themi, të çara të mëdha në ndërtimin e shtetit apo në funksionimin e institucioneve, pra Vetting-u posaçërisht në grupimet shoqërore që janë të lidhura me menaxhimin e resurseve publike, është një proces i nevojshëm dhe i domosdoshëm, kur ka indicie të qenësishme pë keqpërdorim të pushtetit në raport me menaxhimin e resurseve publike apo shtetërore. Në reformën në drejtësi Vetting-u ishte një proces i nevojshëm, ishte një parim i domosdoshëm.
I vonuar?
Nuk mund të them i vonuar, por mund të them i ardhur në kohë, për sa vetë konstatuam që mekanizmat e mëparshme në vend që të ndihmoheshin të funksiononin, vazhdimisht minoheshin. Pra, e kam fjalën këtu për KLD-në, për mënyrën se si vepronin inspektoriatet e ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë e me radhë. Pra, këto mekanizma që ishin ndërtuar, në vend që të ndihmoheshin, minoheshin.
Politika? Kush i minonte?Pa diskutim që politika. Pa diskutim. Nuk mund të themi qytetari. Dhe përderisa mbërritën në një konkluzion të tillë, që ato nuk lejoheshin të funksiononin, kërkohej një formulë e re dhe kjo formulë u konsensua nga politika, me ndryshimet kushtetuese, që u bënë në korrik të vitit 2016. Në këtë sens, mund të them që Vetting-u ishte një proces i domosdoshëm dhe krijoi pritshmëri shumë të mëdha tek opinioni publik, te të gjithë ne. Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje dhe vërtet kisha një shpresë që procesi, megjithëse iu besua një trupe njerëzish që si individë mund të jenë njerëz shumë të nderuar. Nuk njoh personalisht asnjë prej tyre dhe s’kam asnjë paragjykim për ta. Por, iu besua njerëzve për të ushtruar një proces gjykimi, pa qenë të formuar, të specializuar, të trajnuar as edhe një ditë të vetme si gjyqtarë. Pra, Vetting-u bazohet mbi një proces gjykimi. Bëhet një gjykim. Në një kohë që, njerëz që mund të jenë shumë të nderuar në jetën e tyre personale e profesionale si individë, si gjyqtarë nuk kanë asnjë formim. Përtej kësaj, unë shpresova që për shkak edhe të monitorimit që vinte nga faktori ndërkombëtar, do të kishim një standardizim të fortë të kritereve të procesit. Ajo që solli zhgënjimin tim dhe gjykimin tim që ky proces po korruptohet dhe po degradon, është pikërisht konstatimi që, që në fillimin e tij, u aplikuan standarde të dyfishta ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kishin probleme pothuajse të ngjashme. Dhe unë kam përmendur edhe në raste të mëparshme shembuj konkretë. Në qoftë se një prokurore dënohet, penalizohet, përjashtohet nga sistemi vetëm për shkak të dyshimit se kishte blerë një makinë “Fuoristradë” të përdorur dhe një gjyqtar tjetër mbahet dhe e kalon procesin e Vetting-ut, pra vlerësohet pozitivisht, megjithëse nuk justifikon jo një, por disa prona në bregdet, atëherë ky është një cedim i fortë. Në qoftë se një gjyqtari i thuhet që nuk e kalon Vetting-un sepse nipi i tij është identifikuar si përdorues i hashashit dhe dikush tjetër, i cili ka biznese në shërbimet publike, në buxhetin publik me personazhe të cilët njihen sot publikisht si përfituesit kryesorë të buxhetit publik dhe nuk ka të justifikuar për këtë aktivitet taksat, tatimet në adresë të shtetit, atëherë ky është një standard i dyfishtë. Nëse një prokuror përjashtohet për faktin se prindërit e tij pensionistë nuk e justifikojnë plotësisht shtesën papafingo që kanë bërë në shtëpinë të cilën e kanë pasur që në kohën e diktaturës, dhe një tjetër e kalon dhe vlerësohet pa problem, ndërkohë që ka një ndërtesë të tërë, të ndërtuar pa leje dhe të pajustifikuar, atëherë këto janë standarde të cilat automatikisht të bindin që nuk kemi më një proces të paanshëm, nuk kemi më një proces i cili ka si objektiv kryesor pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit, por kemi të bëjmë me një proces selektiv, i cili, në gjykimin tim, përderisa nuk kam fakte që të them se ky selektim bëhet për afera korruptive individuale, por automatikisht të bind që bëhet për afera korruptimi politik. Pra, ky është një proces që jo vetëm nuk do ta rikthejë dhe nuk po e rikthen besimin tek opinioni publik, por padyshim që do ta lërë të hapur si një plagë të pambyllur, për një kohë të gjatë edhe vetë procesin e Vetting-ut.
Nga ata që deri më tani janë përfshirë në Vetting gjysma nuk e kanë kaluar. A është ky një tregues sa i kalbur dhe i degraduar është sistemi ynë i drejtësisë?
Ne kemi probleme serioze në sistemin e drejtësisë dhe nuk është i vetmi sistem që ne kemi probleme. Shpeshherë ka qenë debati: është sistemi apo është individi? E bën individi sistemin apo e bën sistemi individin? Gjithmonë kam qenë kundër futjes në këtë qerthull debati: e bën pula vezën apo e bën veza pulën? Ne jemi në një shoqëri, ku kultura e korrupsionit është bërë endemike, për fat të keq. Dhe natyrisht që kjo është një kulturë, e cila ka gjeneruar prej vitesh. Ajo që mua më ka shqetësuar vazhdimisht, ka të bëjë me faktin që qasja ndaj fenomenit të korrupsionit, lufta kundër fenomenit të korrupsionit që nuk është vetëm shqiptar, megjithëse ka ardhur duke u thelluar si fenomen, nuk ka ardhur duke u agresuar lufta ndaj tij, por ka ardhur duke u shpërbërë, duke qenë më e vakët lufta ndaj tij. Dhe ky është problemi më i madh që ne kemi. Padyshim që mund të kishin ikur edhe më shumë nga sistemi i drejtësisë me ato kritere që janë vendosur. Nëse futemi edhe në sisteme të tjera, po të futemi edhe në politikë, të bëjmë një Vetting me të njëjtin racionalitet.
Duhet një Vetting në politikë?Unë personalisht jam pro një procesi Vetting-u në politikë, por një proces i cili të jetë një proces i vërtetë politik.
Si mund të bëhet?
Kush mund ta bëjë?Ne nuk mund të themi se nuk ka kush ta bëjë në Shqipëri. Absolutisht në Shqipëri ka njerëz, të cilët garantojnë paanshmëri, garantojnë kapacitete intelektuale, garantojnë përgjegjësi qytetare dhe morale, që kanë qenë ose edhe mund të jenë pjesë e politikës, por vendosin të shkëputen nga politika dhe t’i kushtohen, le të themi, një procesi pastrimi. Por le të ndërtojmë dhe institucione. Ne kemi dhe mekanizma. Në qoftë se ne, këto mekanizma që kemi edhe sot, i ndërtojmë në mënyrë serioze, u japim garanci të paprekshmërisë për sa kohë zbatojnë kriteret ligjore, unë mendoj që krijohet një kulturë. Ne nuk do t’i shohim dhe nuk kemi për t’i parë gjërat bardhë e zi. Nuk ka për të pasur një shpatë të Demokleut në këtë proces. Prandaj themi është një proces. Është një proces i cili ka dhimbje. Është një proces i cili kërkon sakrifica. Është një proces, i cili kërkon hapësirë dhe fleksibilitet. Pra, për të ardhur në fund te përgjigjja për procesin e reformës në drejtësi. Unë personalisht nuk e quaj alarmante pse procesi po ecën me këto ritme. Sepse në fund të fundit është një proces që duhet bërë me seriozitet. Për mua, defekti kryesor është që procesi nisi gabim. Procesi duhej të niste në një mënyrë tjetër, duhej të niste duke pasur parasysh që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë ose të garantonin funksionimin e tyre ose duhej të ishin mekanizma tashmë të ndërtuara, në mënyrë të tillë që të mos kishim një kolaps të mundësisë dhe hapësirës për të kërkuar ruajtjen dhe mbrojtjen e parimeve dhe të drejtave themelore të individit. A është e drejtë të themi se hartuesit e reformës në drejtësi përfshi ndërkombëtarët dështuan të parashikonin kolapsin në dy gjykatat më të rëndësishme në vend, atë Kushtetuese dhe atë të Lartë?Ky është një dështim evident sepse kemi më shumë se një vit që shqiptarët nuk kanë as Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. Ky është një fakt të cilin ne nuk e zhbëjmë dot, sado që ta përgënjeshtrojmë, në fund të fundit është një e vërtetë që e ndeshim sot. Një qytetar, nëse do të shkojë sot në Gjykatën Kushtetuese – pas ndryshimeve kushtetuese është zgjeruar shumë e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese – nuk e pret kush sepse nuk ka se kush ta presë në Gjykatën Kushtetuese. Apo një ligj i miratuar në Parlament, që një pjesë mund të pretendojë që cenon liritë kushtetuese, nuk ka ku të adresohet. Në Gjykatën e Lartë kemi më shumë se prej një viti që nuk shqyrtohen më çështje. Vetëm çështje të emergjencës. I është mohuar e drejta e kalimit të shqyrtimit të çështjeve përtej sistemit gjyqësor vendës, pra në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në Strasburg. Pra, ky është një realitet që ne nuk e mohojmë dot. Unë besoj që qe një nxitim, për shkak të disa objektivave politike që ishin. Politika e brendshme kërkonte ta kapte nën ndikimin e vet dhe ta vendoste nën influencën e vet këtë proces. Politika e jashtme kërkonte që Shqipëria të arrinte në mënyrë të sforcuar, sa më shpejt që të ishte e mundur, disa objektiva politike në proceset e integrimit apo të atyre proceseve formale të kritereve që janë në procesin e integrimit evropian. Unë kam preferuar dhe i përkas kulturës që, padiskutim, integrimi evropian është mekanizmi më i mirë dhe ne duhet të luftojmë me të gjitha forcat për ta mbajtur gjallë sepse ka kundërshti dhe armiqësi të ndryshme ndaj zgjerimit evropian sot. Rajoni ynë, por edhe Evropa në përgjithësi, duhet ta mbajnë me çdo kusht gjallë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është në interesin e të gjithëve. Por, nuk mund të ecim me shpejtësi virtuale. Ne duhet të ecim me hapin normal në mënyrë që procesi të jetë i maturuar, të jetë i pjekur dhe të jetë i vërtetë. Pra, këto dy synime, në gjykimin tim, sollën pikërisht këto pasoja që ne kemi sot.
Janë të korrigjueshme?Pa diskutim që janë të korrigjueshme. Natyrisht që nuk ndërhyhet më në Kushtetutë sepse, në fund të fundit, ne duhet të krijojmë edhe një lloj serioziteti në modelin e sjelljes sonë institucionale. Por, procesi filloi dhe i dha shenjat e para të keqpërdorimit që te miratimi i ligjeve organike, të culat duhej të ishin bërë me konsensus. Dhe natyrisht që duhej të kishte, jo për hir të kërkesave të opozitës, por për hir të garancive të transparencës dhe të pavarësisë se mekanizmacve dhe procesit, duhej që të ishin dhënë disa garanci, edhe pse i kërkonte opozita, ligjeve që u miratuan në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e legjislaturës së kaluar. Pra këto ligje mund të korrigjohen sot, me konsensus, sepse opozita ka paraqitur, me sa kam dëgjuar unë, disa pikëpamje. Natyrisht mund të jetë një proces negocimi i përmirësimit të ligjeve të sistemit të drejtësisë, por unë druaj që kjo do të jetë e vështirë sepse vetë njëanshmëria e shfaqur, partizanizmi i fortë politik në selektimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë futur në procesin e Vetting-ut, tregon që nuk ka një vullnet politik për t’u adresuar te sistemi i drejtësisë, por te kontrolli mbi drejtësinë.
Projektligji për Shkollën e Magjistraturës nuk gjeti konsensus e si pasojë nuk u miratua.
A mendoni se jemi përballë një situate ku duhet një tryezë e dialogut të lartë politik mes mazhorancës dhe opozitës? Ju personalisht e mbështesni idenë e një tryeze të tillë?
Dialogët e niveleve të larta janë dialogë politikë, që mund të bëhen vetëm për çështje madhore. Çështja e reformës në sistemin e drejtësisë nëse ka vullnet politik apo nëse ka një tregues të qartë të korrigjimit të asaj çka është tentuar apo është realizuar deri tani, mund t’i lihet në dorë fare mirë ekspertëve për ta rregulluar këtë. Dhe të dyja palët, si opozita ashtu edhe mazhoranca, kanë ekspertë, por që duhet të kenë jo vetëm gatishmërinë e tyre, por duhet të kenë edhe mbështetjen politike. Çështjet e dialogut të nivelit të lartë politik bëhen në faza shumë madhore, për arsye shumë madhore, për çështje strategjike të vendit. Procesi i korrigjimit të kësaj tentative dhe këtij rrugëtimi të deritanishëm të kontrollit politik mbi sistemin e drejtësisë duhet të korrigjohet pikërisht duke ia lënë në dorë padyshim negocimit dhe bisedimit të ekspertëve të palëve dhe për të paraqitur rregullimet përkatëse në ligjet, të cilat duhet të japin garancinë për mekanizmin.
Ka analiza nga më të ndryshmet për performancën e opozitës. Në këndvështrimin tuaj, a është performanca e opozitës në nivelin e duhur?Unë gjithmonë, duke pasur parasysh edhe formatin apo pozicionin publik që kam pasur në të shkuarën, jam munduar të shmang këtë bërjen e gjykatësit qoftë ndaj mazhorancës, qoftë ndaj opozitës.
Një opinion e keni…Padyshim që kam opinionin tim. Unë mendoj që opozita ka pasur disa trauma politike, të cilat më së shumti nuk kanë qenë për shkak të përgjegjësisë së saj, por të keqpërdorimit të pushtetit që ka ai, i cili ka fuqinë në dorë, qeveria në rastin konkret. Përtej traumës që pësoi në zgjedhjet e vitit 2013, përdorimi i mekanizmave antiligjorë të krimit të organizuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, deformimi i një rezultati i cili mund të kishte qenë jo fitues për opozitën, por ishte penalizues në mënyrë abuzive ndaj opozitës. Patjetër që këto krijuan trauma politike dhe psikologjike në strukturat e partive të opozitës. Por besoj që nga ajo periudhë unë të paktën, në këndvështrimin tim, kam parë që opozita ka pasur një ngjitje në aspektin e komunikimit me publikun, në aspektin e marrjes së kontakteve me opinionin, në aspektin e qasjes te besimi i publikut. Do t’i duhet patjetër që të bëjë shumë punë. Opozita, në fund të fundit, është e vështirë. Në Shqipëri edhe ca më e vështirë sesa në vendet e tjera. Por besoj që trendi në ngjitje që ka treguar opozita, veçanërisht në komunikimin me opinionin dhe në shtrirjen tek opinioni publik, është një tregues pozitiv që opozita po ridimensionohet në rolin e saj.
Më rezulton se ju jeni një njeri që keni lidhje të ngushta me bazën e PD-së. A janë strukturat e PD-së në rrethe të mirëorganizuara, të gatshme për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat janë një test si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën?Unë kam pasur lidhje dhe kam qenë drejtues për shumë kohë, bashkëpunëtor për shumë kohë i strukturave të bazës së PD-së. Prej kohësh nuk jam më, jam shkëputur, nuk kam më kontakte. Por jo vetëm për PD-në, për çdo parti të madhe që synon pushtetin, pra që nuk është parti e dytë apo e tretë, është e domosdoshme mbajtja e një kontakti dhe dinamike me bazën. Partitë e mëdha dallohen nga partitë e vogla për shkak të zgjerimit, të influencës, të kontaktit dhe të shtrirjes që kanë te baza. Ndaj mendoj që opozita krahas angazhimeve të tjera, duhet t’i kushtojë një kohë më të madhe dhe një kontakt më të madh prezencës së saj te baza. Këtë e them edhe një herë, në mënyrë të përsëritur, është jetike për partitë e mëdha. Partitë e mëdha, flas për partitë që synojnë të kalojnë pragun e 30% apo 35% të votave në konkurrimin elektoral, për të shkuar te 45% e lart, duhet me çdo kusht që të kenë një shtrirje dhe një kontakt dhe një prezencë të përditshme dhe shumë të madhe te baza.
E ka PD këtë, deri në këto momente që flasim?Unë nuk e di aktualisht se sa e ka PD-ja, sepse siç thashë nuk jam në kontakt me strukturat e PD-së, por mund të them që qoftë PD-ja, qoftë PS-ja e kanë nuklin e tyre, e kanë bërthamën e tyre shumë më të madhe sesa partitë e tjera pikërisht te baza. Dhe kanë qenë gjithmonë parti të para kur kanë qenë në qeverisje, për faktin që kanë arritur të mbledhin aq vota sa kanë mbledhur për të qenë parti të para të mëdha, jo vetëm për shkak të programeve politike, jo vetëm për shkak të debatit publik, jo vetëm për shkak të prezencës në media, por edhe për shkak më së shumti të shtrirjes dhe të prezencës së tyre në bazën politike.
Si e shikoni bashkëpunimin e deritanishëm të PD-së me LSI-në?Është krejt normal. Janë dy parti opozitare. Dhe mendoj që jo vetëm dy partitë që ju përmendët, që kanë pasur edhe eksperienca bashkëqeverisjeje në të shkuarën, por edhe parti të tjera, edhe faktorë të tjerë të shoqërisë, të cilët janë të pozicionuar në kampin opozitar me qeverisjen aktuale, me sjelljen politike të qeverisjes aktuale, me modelin qeverisës aktual, duhet të jenë të grupuar për të fokusuar fuqinë e tyre politike në një goditje, flas gjithmonë politike, sa më efikase që të jetë e mundur. Patjetër që PD-ja ka dallime të mëdha me LSI-në. Njëra i takon qendrës së djathtë dhe tjetra i takon qendrës së majtë. Kanë këndvështrime krejt të ndryshme për çështje të ndryshme, edhe për çështje të ditës. Por, për sa kohë janë në kampin opozitar, do të ishte gabim, në gjykimin tim, nëse nuk do të ishin të koordinuara në aspektin e luftës politike dhe në aspektin e targetimit politik opozitar dhe do të përfitonte gjithmonë keqqeverisja nga çarja e opozitës dhe nga moskonsolidimi i opozitës, ndaj besoj që është krejt normal ky bashkëpunim opozitar që është mes këtyre forcave.
A ka pasur fryte?Unë besoj që po sepse po të shikosh edhe vetë zgjerimi i prezencës së opozitës tashmë në kontaktin apo te pritja që i krijon ambienti publik opozitës, vit pas viti, apo muaj pas muaji, tregon që edhe aksioni opozitar, unë besoj që edhe delegjitimimi i shumë akteve keqqeverisëse nga ana e qeverisjes aktuale, ka krijuar këtë perceptim tek opinioni, këtë bindje tek opinioni si keqqeverisje edhe për shkak të frontit opozitar, të artikulimit opozitar. Sa më shumë artikulim opozitar që të kemi, aq më shumë argumente do të kemi, aq më shumë këndvështrime do të kemi, që do të thotë se ka një forcë goditëse politike më të madhe ndaj keqqeverisjes.
Zoti Nishani, përpara disa muajsh ne lexuam një investigim të revistës “Mother Xhons” për një pagesë të dyshimtë prej 500 mijë dollarësh nga një kompani offshore për llogari të PD-së. Kjo çështje është duke u hetuar nga FBI-ja po ashtu dhe Prokuroria shqiptare. Kjo ngjarje sa e dëmshme është për PD-në dhe vetë kryetarin Basha?Unë besoj që debati nga njëra anë është debat tërësisht politik. Nga ana tjetër, përfshirja në procese lobimi, është njëproces i cili nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri, nuk ndodh vetëm nga partitë politike shqiptare. Është një proces i ligjshëm, madje mund të them me sigurinë time, në dijeninë që unë kam, në eksperiencën që unë kam, që PD-ja ka lobuar dhe lobon në vlera monetare sa 1/10 apo 1/100 e lobimit që bën PS-ja, apo që ka bërë apo që vazhdon të bëjë në SHBA. Në Amerikë nuk lobohet vetëm nga Shqipëria. Shqipëria është një vend shumë i vogël. Atje lobohet nga e gjithë bota sepse në fund të fundit Amerika është qendra e vendimmarrjes politike, financiare dhe ekonomike, dhe këtë nuk e mohojmë dot, ndaj janë dy gjëra të ndara: aspekti i përfshirjes në këtë proces të lobimit, që është një proces i ligjshëm, i pranueshëm dhe aspekti ligjor. Për sa i takon aspektit ligjor, nëse ka vërtet shkelje të këtyre procedurave, unë jam i sigurt që autoritetet amerikane e zbulojnë fare lehtë dhe e denoncojnë fare lehtë dhe e vlerësojnë fare mirë, në bazë të legjislacionit të tyre. Nuk mundet dot të kalosh në sistemin amerikan nëse ti e shkel ligjin atje. Për sa i takon pastaj debatit politik, ky është një debat politik, ku secila forcë politike do ta shfrytëzojë për luftë politike. Por mendoj që në Shqipëri është një tullumbace politike që nuk ka krijuar dhe nuk krijon ndonjë peshë specifike politike elektorale tek opinioni, në gjykimin tim.
Si do ta vlerësonit vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës të kryeministrit Rama?Praktikisht nuk kemi qeverisje, për fat të keq. Mua nuk më kënaq kjo. Unë kam qenë dhe mbetem një zë opozitar për sa u takon aspekteve të ndryshme të qeverisjes. Nuk e them sot nga zëri opozitar, pavarësisht që natyrisht tingëllon opozitar përderisa je kundër, por e them nga pikëpamja shqetësuese e një qytetari të thjeshtë sot, që ka eksperiencë nga mënyra se si funksionon dhe se si duhet të funksionojë shteti dhe në fund të fundit, dhe nga dëshira jo për të pasur sukseset partizane të një partie politike të cilës nuk i përkas, por të një qeverie në fund të fundit, që punët e mira u shërbejnë të gjithëve. Praktikisht sot, ne nuk kemi një qeverisje në Shqipëri. Po të shikojmë, pas pesë vitesh qeverisjeje, nuk rendit dot askush një investim madhor në infrastrukturë. Situata ekonomike në Shqipëri është një situatë, e cila jo vetëm pse është vlerësuar problematike nga institucionet prestigjioze së fundi, por duke qenë që ka rënë ritmi i investimeve tmerrësisht, të huaja jo e jo, nuk ka pasur, por po bie shumë edhe ritmi i investimeve vendase. Kompanitë e mëdha të biznesit shqiptar më së shumti po transferojnë para jashtë vendit dhe në gjykimin tim, paraja që qarkullon nga kompanitë e mëdha të biznesit në Shqipëri, jo nga të gjitha, por nga disa, madje kryesore, ka krijuar dyshime të mëdha për mënyrën e bashkëpunimit që bëjnë ato me biznese të vendeve të treta. Dhe ky është një problem shumë i madh që qeveria duhet ta ketë në vëmendjen e saj, sepse nuk do të jetë kosto vetëm për qeverinë, por do të jetë kosto për perspektivën ekonomike dhe financiare të vendit. Kemi padyshim, rënie të theksuar të standardeve të shërbimit shëndetësor. Bujqësia, e cila është një nga bazat kryesore, nuk ka njohur asnjë projekt madhor. Po të shikojmë sot, fermeri shqiptar pothuajse është i falimentuar, në kuptimin e agresivitetit të dominimit të tregut agro-bujqësor. Po flasim për tregun shqiptar, nuk po flasim më për ambicie që fermeri shqiptar të ketë ambicie për të kaluar në tregun rajonal, siç kishte para 3-4 vitesh në tregun rajonal, si në Rumani, Bullgari, Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë. Turizmi është një problem tjetër, i cili nuk po gjen një strategji reale. Na vazhdojmë të numërojmë se sa njerëz zbresin nga avioni në Shqipëri dhe nuk shikojmë se çfarë realisht kemi arritur në turizmin elitar, në turizmin malor, në turizmin kulturor apo në turizmin e diellit. Pra, nuk ka jo vetëm një qartësi, por unë besoj që alarmi më i fundit që erdhi, nga rënia në mënyrë drastike artificiale e euros përballë lekut, dhe unë do të them që, pavarësisht se ne jemi një shtet dhe një shoqëri që përdorim monedhën tonë, por paraja reale në Shqipëri është valuta, është euro fillimisht dhe pastaj dollari. Kështu që, të gjitha këto, largimi i FMN-së, prishja e marrëveshjes me FMN-në, janë procese të cilat kanë krijuar gropa të mëdha dhe kufizimet e mëdha që po pëson mekanizmi i balancës dhe i kontrollit të pushteteve, në një dorë të vetme, kanë krijuar këtë situatë, të cilën unë e gjykoj se është një situatë emergjente dhe problematike, e cila mund të kalojë në probleme të rënda sociale, që do të jenë të dëmshme jo vetëm politikisht dhe kosto politike e madhe për qeverisjen aktuale, por do të kenë problematika të mëdha në aspektin e kolonës sociale dhe afatmesme për vendin.
Me sa duket, asnjë nga qeveritë nuk do që ta ketë prezent FMN-në…Ka disa pikëpamje. Në njërën anë, patjetër që qeveritë nuk dëshirojnë ta kenë prezent FMN-në, sepse krahas garancive që të jep, ka edhe kufizimet e tij, veçanërisht në disa politika sociale që qeveritë janë të prira edhe për efekte elektorale, t’i aplikojnë herë pas here. Duke pasur prezent FMN-në, je goxha i kufizuar nga “keqpërdorimi” i këtyre politikave që janë më shumë politika elektorale se sa reale sot në Shqipëri. Por nga ana tjetër, ka edhe një këndvështrim tjetër, që në përgjithësi tentohet të largohet kontrolli i FMN-së për shkak edhe të problemeve të mëdha që ka mekanizmi i larjes së parave. Dhe ne e kemi këtë sot, aktualisht, si problem serioz. Ndërhyrja e Bankës së Shtetit për të blerë një sasi të jashtëzakonshme eurosh, tregon që mekanizmi i pastrimit të parave ishte shumë i fortë dhe shumë i rrezikshëm sepse kërkoi ndërhyrjen e Bankës së Shtetit dhe ndërhyrje shumë të fortë me blerje të mëdha që e tejkalonte shumën e blerjeve që bënte Banka e Shtetit në dy apo tre vite së bashku. Pra, nuk e mohojmë dot që ka një problem të madh me pastrimin e parave, me larjen e parasë. Largimi i FMN-së, mua më jep dyshimin që ka qenë e parashikuar si politikë e tillë mbyllja e syve, politika liberale ndaj ndërhyrjes apo infiltrimit të parasë së pistë në ekonominë shqiptare dhe duke pasur FMN-në prezent, nuk do të ishte e lehtë që të bëhej ky proces. Por këto mund të duken si përfituese për një moment politik shumë të fragmentuar të një qeverisjeje, por unë i takoj kësaj politike, kësaj kulture politike që i shoh dhe dua t’i shoh gjërat përtej interesit tim personal të një momenti të caktuar. Dua t’i shoh pak më afatmesme dhe, në fund të fundit, çdo qeveri nuk do të bëjë dot çudira, aq më tepër në një vend si Shqipëria që është një vend me një ekonomi ende larg raporteve që kemi neve me ato vende ku jetojmë, sepse jetojmë në Evropë. Kështu që në këtë kontekst unë besoj që proceset që ndodhin dhe situata ekonomike e financiare është shumë alarmante dhe nëse nuk ndërhyhet dhe nëse nuk reflektohet, nuk i shpëton penalizimit politik kjo qeverisje, por përkundrazi, përveç penalizimit politik që do ta marrë shumë të fortë, do të lërë edhe një gropë shumë të madhe sociale për një periudhë afatmesme të vendit.
Meqënëse keni qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme si e shikoni lidershipin e ministrit Fatmir Xhafaj në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme?Unë, gjatë kohës që isha President i Republikës, e kam dekretuar zotin Xhafaj si ministër, përkundër debatit të madh që ishte. Në fund të fundit, dekreti i Presidentit – e kam sqaruar edhe në atë kohë – është një akt i cili thjesht përmbush vullnetin politik të qeverisë, që ka të drejtën e formimit të qeverisë. Nuk i kam pasur informacionet në atë kohë që lidheshin me proceset që ka qenë i përfshirë vëllai i ministrit aktual. Por gjithsesi, edhe më pas, unë kam deklaruar dhe vazhdoj t’i qëndroj bindjes sime që, në aspektin ligjor ministri nuk mund të mbajë përgjegjësi ligjore për aktet kriminale të vëllait të tij. Por moralisht, ministri i Brendshëm aktual nuk mund të qëndronte në detyrë, pasi u vërtetua me dokumente që vëllai i tij ishte i dënuar si një anëtar i grupeve kriminale të trafikimit ndërkombëtar të drogës. Kjo e bën vunerabël ministrin, kjo e dekurajon besimin e opinionit publik, kjo i bën vunerabël institucionet, mekanizmin që është vartës i ministrit të Brendshëm. Dhe unë besoja që do të kishte qenë jo thjesht normalitet politik, por do të kishte qenë një detyrim institucional dhënia e dorëheqjes nga ana e ministrit, jo se ai është fajtori për veprimtarinë kriminale të vëllait të tij, absolutisht jo. Unë nuk e kam këtë dyshim që ministri ka qenë pjesë e veprimtarisë kriminale të të vëllait, por fakti që u vërtetua institucionalisht edhe nga pikëpamja dokumentare, pa dyshim që nuk mund ta linte as edhe një ditë të vetme ministrin e Brendshëm aktual në detyrën që ai ka.
Po për sa i përket performancës së Policisë së Shtetit?Ka një problem shumë të madh sot Policia e Shtetit, që është pikërisht te humbja e besimit. Unë kam qenë një njeri, mbase edhe për faktin që kam punuar atje, që kam një respekt të jashtëzakonshëm për sakrificat që bëjnë njerëzit brenda Policisë së Shtetit. E kam parë nga afër punën e tyre, por krahas këtyre sakrificave dhe imponimit që të jep uniforma e ligjit që mban të veshur punonjësi i policisë, ka një problem shumë të madh te Policia e Shtetit. Në momentin që humbet besimi brenda hierarkisë, institucioni është pothuajse i shkërmoqur sepse policia vepron apo e nis veprimtarinë e saj dhe e ka kulmin dhe rezultatin e aktiviteteve mbi bazën e informacionit. Në momentin që humb besimi i shkëmbimit të informacionit, këtu është dëmtuar dhe ka rënë e gjithë puna operative e Policisë së Shtetit dhe e forcës goditëse të saj. Kemi një sërë rastesh të verifikuara tashmë, që punonjësit e policisë ishin të përfshirë në trafikun e drogës. Kemi oficerë të lartë policie që ndihmonin grupet kriminale, që janë në kërkim nga ana e policisë sot, dhe që kanë përpunuar të gjithë materialin dhe informacionin që vinte.
Kemi edhe një proces Vetting-u në Policinë e Shtetit…Për mua, ky është një proces i gabuar sepse nuk mund të bësh një proces të tillë. Është totalisht një spekulim dhe e dekurajon punonjësin e policisë. PO kalojmë nga njërta temë në tjetrën. Po përfundoj me të parën dhe kthehemi te Vetting-u në polici. Pra, policia sot ndjehet e tradhtuar sepse punonjësi i thjeshtë i policisë, inspektori, kryeinspektori, shefi i sektorit, nënkomisari kanë parë që drejtorët kanë qenë të përfshirë dhe informacionet që ata jepnin për veprimtaritë kriminale të grupeve kriminale, kanë qenë pikërisht të adresuara tek ata njerëz që rrinin me grupet kriminale. Dhe kjo e ka zhbërë totalisht besimin dhe nëse duam të forcojmë Policinë e Shtetit, duhet në radhë të parë të kurojmë besimin që sot nuk është.Për Vetting-un në polici. Përse e quaj një proces spekulativ dhe të dëmshëm? Sepse nuk mund të bësh sot Vetting në një kohë që ti vetë shtetin e ke pasur të papërgatitur, të pandërtuar. Po marr një shembull, i cili duket paksa vulgar, por është një shembull i jetës reale. Një punonjës i policisë, qoftë i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë apo te Ruajtja e Objekteve apo te strukturat e Qarkullimit Rrugor etj., pasi mbaronte orarin e punës, duhet të jemi të ndërgjegjshëm, dihet niveli i pagave tona, për të kompensuar diçka për familjen e tij, shkonte të bënte një punë ekstra, dikush roje në një lokal, dikush në një kompani sigurimi etj., dhe për punën që bënte, të ligjshme, paguhej. Por asnjë pagesë përmes sistemit bankar. Dhe t’i kërkosh sot këtyre policëve dhe t’i përjashtosh nga sistemi, sepse nuk paraqesin dot dokumentet për pagat që kanë marrë për punët e ligjshme që ata kanë bërë, është një spekulim dhe patjetër që do të kalojë në një gjueti shtrigash, ndërkohë që nëse do të më kërkohej një këshillë, do të thosha që duhet një proces Vetting-u në procesin e karrierës së këtyre punonjësve, pra nëse dikush do të marrë gradën e komisarit apo do të futet në procesin e marrjes së gradës së kryekomisarit apo do të emërohet Drejtor i Qarkut apo do të emërohet Shef i Komisariatit. Në momentin që këta njerëz do të hyjnë në këtë proces, atëherë duhet të kalojnë paraprakisht nga procesi i Vetting-ut. Dhe duke e korrigjuar këtë në kupolën e hierarkisë, unë jam i bindur që pastaj ajo do të vijë në mënyrë krejt normale të rrjedhë edhe deri poshtë. Por, duhet të vijë përmes një procesi.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për sezonin e ri politik në shtator?Unë mendoj që do të kemi një situatë të tensionuar. Së pari, opozitës po i mbyllen gjithnjë e më shumë hapësirat, çka është një gabim që po bën qeveria dhe historia ka treguar që çdo qeveri dhe mazhorancë që i ka ngushtuar hapësirat e veta opozitës, ka agravuar dhe ka acaruar situatën politike dhe ka marrë kosto në radhë të parë vetë mazhoranca. Së dyti, procesi i kapjes së sistemit të drejtësisë nga ana e mazhorancës dhe e qeverisë, do ta rrisë shumë tensionin politik dhe jam i bindur që opinioni tani po e kupton, po e pranon dhe po e krijon perceptimin që ky është një proces që po kapet nga ana e politikës dhe do ta përkthejë këtë në mbështetje për kauzat e opozitës. Situata ekonomike dukshëm nuk është premtuese. Situatat politike dhe rajonale nuk janë të qeta. Kështu që unë mendoj që do të ketë një tensionim, i cili për mua është një shenjë jo e mirë, jo pozitive, negative për të gjithë ne dhe unë uroj që politika ta kalkulojë situatën, ta kalkulojë këtë ambient që ka përreth dhe të gjejë zgjidhjen e duhur.
A e shikoni të mundur një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës në muajt në vazhdim, gjë e cila do t’i shërbente procesit të integrimit evropian?
Edhe për këtë pyetje unë mund të them dy-tre këndvështrime. Së pari, si parim bashkëpunimi është krejt normal dhe duhet të ekzistojë gjithmonë bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës. Së dyti, për fat të keq ky parim është minuar përmes një politike të vazhdueshme diversioni nga ana e mazhorancës ndaj opozitës. Unë mendoj që takimi parazgjedhor midis kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, në vend që të lihej të shkonte në perceptimin e opinionit publik që jemi kundërshtarë, por për çështje madhore ne merremi vesh, u keqpërdor nga ana e mazhorancës, u injektua tek opinioni publik si një dominim dhe përdorim që kryeministri i bëri kryetarit të opozitës. Patjetër që mekanizmat e qeverisë janë shumë herë më të fuqishme sesa ato të opozitës për t’i bërë këtë lavazh trurit të opinionit publik. Por kjo ka bërë një dëm shumë të madh sepse jo vetëm ka minuar parimin e bashkëpunimit midis mazhorancës dhe opozitës, por tashmë e ka bërë të pamundur, në gjykimin tim, që edhe në raste madhore kur do të nevojitet ky bashkëpunim, unë do ta shikoja me shumë pikëpyetje nëse opozita do të kishte më besimin te mazhoranca për të ofruar bashkëpunimin e saj në këtë kontekst që unë e shikoj parimin e bashkëpunimit. Prandaj është edhe një element tjetër që do ta ashpërsojë edhe më shumë betejën politike në të ardhmen.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...