Google ADS

Pas rigjykimit, sërish dënohen me afro 13 vjet burg dhe mbi 37 mijë euro gjobë katër të akuzuarit për shitblerjen e 53 kg marihuanë

14:32 | 27 Nëntor 2020
Arbresh.info

Pas rigjykimit, Departamenti Special, sërish i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, Adam Nezaj është dënuar me dy vite e 10 muaj burgim dhe shtatë mijë euro gjobë, Islam Basha u dënua me tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, Lavdërim Osmani është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Vegim Esati është dënuar me tre vite burgim dhe gjobë në lartësi prej 10 mijë eurove.

Gjykata ka obliguar të akuzuarit që dënimet me gjobë t’i paguajnë brenda afatit prej 30 dite dhe jo më larg se tre muaj, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Në qoftë se të akuzuarit nuk paguajnë gjobën brenda këtij afati, atëherë ky dënim do t’u shndërrohet në burgim, duke llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

Koha e kaluar në paraburgim për të akuzuarit Nezaj, Basha dhe Osmani nga 24 qershori 2019 e tutje, do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar. Ndërsa të akuzuarit Esati koha e kaluar në paraburgim nga 24 qershor 2019 dhe deri më 27 janar 2020 gjithashtu do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Krahas këtij dënimi, gjykata ndaj katër të akuzuarve ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, duke konfiskuar 53.274 kg substancë narkotike e llojit marihuanë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu nga i akuzuari Adam Nezaj, me vendim të gjykatës, janë konfiskuar vetura “Citroen C8”, një telefon mobil dhe para të gatshme në vlerë prej 2573 euro dhe 250 lekë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, nga i akuzuari Islam Basha janë konfiskuar dy telefona mobil, një veturë “Audi A6” dhe para të gatshme në vlerë 245 euro dhe 18 mijë e 100 lekë, nga i akuzuari Lavdërim Osmani janë konfiskuar nga gjykata tre telefona mobil dhe para të gatshme në vlerë 390 euro dhe 101 mijë e 400 lekë, kurse nga i akuzuari Vegim Esati janë konfiskuar katër telefona mobil, vetura “BMË X3” dhe para të gatshme 4460 lekë.

Gjykatësja Shabani-Rama ka njoftuar se të akuzuarit Esati i kthehen veturat “Mercedes CLS” dhe “Audi A4”, ngase nuk është provuar se ato janë përfituar si dobi e veprës penale.

Ndaj të akuzuarve Nezaj, Basha dhe Osmani është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se koha e dënimit.

Gjithashtu, të akuzuarit janë obliguar që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale, sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë secili veç e veç shumën prej 100 euro, si dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave, nga 50 euro, të gjitha këto në afat prej 30 ditësh nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në fund, gjykatësja i ka njoftuar palët se mund të ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi brenda 15 dite nga pranimi i kopjes së aktgjykimit.

Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 22 qershor 2020 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, Adam Nezaj është dënuar me 2 vite e 10 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë, Islam Basha u dënua me 3 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Lavdërim Osmani është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, Vegim Esati, për shitje të paautorizuar me narkotikë u dënua me 3 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 500 euro gjobë. Si dënim unik atij i është shqiptuar burgimi në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe gjoba në lartësi prej 10 mijë e 500 euro.

Mirëpo, pas ankesave në Gjykatën e Apelit, më 14 shtator 2020, e njëjta ka vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, e duke vepruar në grup, më 23 qershor 2019, një natë para arrestimit janë takuar në Tiranë, ku janë dakorduar dhe kanë ndarë rolet, ku i akuzuari Nezaj kishte përgjegjësinë që drogën ta sjell nga Shqipëria në Kosovë, për ta sistemuar në pronën e të akuzuarit Mustafë Esati, pastaj të akuzuarit Islam Basha dhe Lavdërim Osmani që ta përgatisin terrenin, kanë shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati për të monitoruar vendin ku duhej dërguar narkotike, i pandehuri Vegim Esati, me detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të policisë.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Adam Nezaj, më 24 qershor 2019, me veturën e tij “Citroen” ka hyrë në Kosovë dhe ka shkuar tek qendra tregtare “Viva Vresh” në Veternik, ku takohet me të akuzuarin Lavdërim Osmani, të cilin aty e kishte dërguar i akuzuari Mustafë Esati, ku me veturën “Citroen”, kanë vazhduar për në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati, që gjendej në Lipjan, dhe me të arritur tek udhëkryqi i Lipjanit, takohen me të akuzuarit Islam Basha dhe Vegim Esati, me ç’rast futet me veturën e tij në brendësi të oborrit të shtëpisë së Mustafë Esatit, ku ishte e parkuar vetura “Pikap”, dhe nga vetura e Adam Nezajt zbrazin narkotikun për ta vendosur në veturën “Pikap”.

Gjithnjë sipas akuzës, vetura “Citroen” del nga aty dhe niset në drejtim të Lipjanit, kurse i pandehuri Mustafë Esati, me veturën e tij, shkon në një supermarket, i cili gjendej afër shtëpisë, ku blenë qese të plastikës dhe niset në drejtim të depos së tij, e ndalon veturën në hyrje të oborrit, derisa në këtë moment policia ka hyrë në këtë depo për të realizuar kontrollin dhe me të vërejtur policinë, i akuzuari Vegim Esati bërtet duke thënë “ikni, policia” dhe me rastin e kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se njëkohësisht në vendin e ngjarjes janë arrestuar të pandehurit Islam Basha, i cili në atë moment ka qenë në katin e dytë të shtëpisë hipur në dritaren e një dhome me qëllim të ikjes, Vegim Esati, Lavdërim Osmani, ndërsa pak më vonë në territorin e komunës së Gjakovës, është arrestuar edhe i akuzuari Adam Nezaj, kurse i akuzuari Mustafë Esati, ka arrit që të arratiset.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par.1 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas kësaj aktakuze, Vegim Esati akuzohet edhe se më parë është furnizuar dhe pa autorizim deri më 24 qershor 2019, ka mbajtur armë dhe atë një revole 9 mm, një karikator së bashku me 18 fishekë, i cili është gjetur dhe sekuestruar në depon e të pandehurit Mustafë Esati, që gjendet para autolarjes “Flloki”, te udhëkryqi i Lipjanit, me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Vegim Esati se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme