Grupi kryesor opozitar i Malit të Zi, Fronti Demokratik, ka akuzuar Qeverinë për tradhti, duke pretenduar se gatishmëria e saj për të shqyrtuar marrëveshjen e kufirit të vitit 2015 me Kosovën është një shitje.
Grupi kryesor i opozitës pro-serbe të Malit të Zi, Fronti Demokratik, ka akuzuar qeverinë pro-perëndimore të vendit për tradhti pasi Podgorica dhe Prishtina ranë dakord të krijojnë një grup pune “për të korrigjuar nëse është e nevojshme” kufirin për të cilin është rënë dakord më parë mes dy vendeve.
Fronti e akuzoi kryeministrin Dushko Markoviq për “dhënien vullnetarisht të një pjese të territorit të vendit Kosovës”.
Një nga drejtuesit e Frontit, Nebojsha Medojeviq, të hënën në Twitter u ankua se asnjë nga partitë e tjera parlamentare, OJQ-të pro-perëndimore apo universiteti shtetëror nuk kishin reaguar pasi një pjesë e territorit të Malit të Zi i ishte “dhuruar shtetit të rremë të Kosovës”, raporton BIRN.
“Askush nuk reagoi përveç Frontit Demokratik. Të tjerët janë gati për tradhti”, tha Medojeviq.
Të premten, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi lëshoi një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me çështjen e diskutueshme të shënjimit të kufirit, duke thënë se të dy vendet kishin rënë dakord të punonin së bashku për identifikimin e pikave të mosmarrëveshjes.
Thaçi foli për formimin e një organi të përbashkët pune me Malin e Zi, i cili do të identifikojë mosmarrëveshjet mbi kufirin dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme në Çakorr, maja e diskutueshme malore në kufi.
Ndërsa dy vendet që ishin dikur pjesë e Jugosllavisë nënshkruan një marrëveshje për demarkacionin në vitin 2015, parlamenti i Kosovës ende nuk e ka ratifikuar atë.
Presidenti Thaçi tha se Kosova do të bënte “të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen” sapo mosmarrëveshja të zgjidhej.
Kosova nuk e ka ratifikuar atë për shkak të kundërshtimit të fortë nga disa parti, të cilat pretendojnë se e privon Kosovën nga territori.
Marrëveshja duhej të votohej në parlamentin e Kosovës në shtator të vitit 2016, por ratifikimi u shty pas përleshjeve të dhunshme për këtë çështje.
Partitë e opozitës në Kosovë pretendojnë se majat malore në Çakorr dhe Belluhë, të vendosura në kufi, të caktuara në Malin e Zi, janë pjesë e Kosovës.
Tani, aleanca opozitare e Frontit në Malin e Zi thotë se ka frikë se Podgorica po përgatit një “kompromis” dhe është e gatshme të heqë dorë nga një pjesë e territorit të vendit.
Të dielën, Fronti tha se Mali i Zi mund të rrezikohej nga marrëveshja e re e qeverisë. “Një situatë kaq kritike dhe e rrezikshme, në të cilën një grup politikanësh të papërgjegjshëm tregtojnë territorin, mund të zgjidhet vetëm nga gjykatat ose në një referendum”, tha ai.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...