Google ADS

Pas LDK-së, edhe Vetëvendosje reagon në lidhje me vendimin e Kastratit

08:27 | 16 Korrik 2019
Arbresh.info

Reforma për arsim nga ana e kryetarit të Komunës së Kamenicës për mbylljen e 19 shkollave, po i frustron çdo ditë e më shumë qytetarët e kësaj komune.

Ditë më parë Selver Lenjani, nga Bashkësia Lokale e fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës, ka dërguar një letër të hapur për krerët e shtetit dhe shefat e grupeve parlamentare, ku ka kërkuar të ndërmerret diçka dhe mos të mbyllen ato shkolla, shkruan arbresh.info.

Letrës së Lenjanit i është përgjigjur vetëm shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, i cili  ka ironizuar me ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe qasjen arbitrare e administrative të Kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati. Ky i fundit i është përgjigjur Hotit duke e ftuar ta sheh gjendjen e shkollave në komunën e Kamenicës.

E deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, njëherit edhe kryetar në Komisionit për Arsim ka thënë për arbresh.info se si Vetëvendosje kjo çështje kanë kërkuar që të jetë në dorën e MASHT-it.

“Ne kemi kërkuar nga MASHT-i që t’i prijë këtij procesi, sepse ky problem është i Kosovës nuk është vetëm i një komune. Do të ketë shumë laramani, prandaj kemi kërkuar që MASHT-i ta udhëheq procesin”, ka thënë Kurteshi.

Çfarëdo vendimi që mund të merret Kurteshi thotë se në rend të parë duhet të jenë interesat e nxënësve, gjithashtu edhe interesat e mësuesve, e sidomos ata të cilët kanë përvojë të gjatë në arsim.

“Çfarëdo vendimi që të merret, do të duhej që t’i kenë parasysh interesat e nxënësve, kjo është e para në të cilën duhen të fokusohen. Pastaj çështja tjetër është që ta kenë parasysh edhe pozitën e mësuesve, sepse nuk është në rregull që një mësues me 30 vite përvojë të hidhet në rrugë”, ka thënë Kurteshi.

Objektet të cilat munden të mbeten të pashfrytëzuara deputeti Kurteshi ka deklaruar se mund të shndërrohen në çerdhe.

“Një problem tjetër është që në Kosovë ka mungesë të objekteve të shkollave e sidomos të çerdheve, në anën tjetër ato që teprojnë po mbeten, duhet të bëhen planë në secilën komunë që këto objekte të shfrytëzohen në mënyrën më racionale të mundshme. E sidomos atje ku ka mundësi, shkollat që tanimë nuk shfrytëzohen për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, të shndërrohen në çerdhe”, ka thënë Kurteshi.

Pavarësisht kundërshtimeve të qytetareve, Kastrati insiston se me këtë projekt do të rritet cilësia në arsim.

Nga 29 shkolla sa ka aktualisht kjo komunë, me reformat e reja pritet të mbesin vetëm 8 sosh. Për këtë, kryetari Kastrati thotë se edhe kushtet do të jenë shumë më të mira.

Nga ana tjetër, banorët kanë paralajmëruar protesta në rast se institucionet qendrore nuk reagojnë në lidhje me vendimin e Kastratit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme