Pas akuzave të Presidentit vjen përgjigja nga Brukseli: Kosova t’i kryejë punët

16:54 | 12 Tetor 2017
L G

Bashkimi Evropian nuk u ka dhënë rëndësi akuzave të kreut të shtetit Hashim Thaçi, ani pse ky i fundit si asnjëherë më parë, i ka goditur shtetet mike të Kosovës për Gjykatën Speciale dhe për disa premtime, që, sipas Thaçit, janë bërë në këmbim të formimit të Speciales.

Por në një përgjigje dhënë Expressit, nga zyra e Komisionit Evropian, nuk e kanë bërë të qartë se për çfarë premtime bëhet fjalë, vetëm se ia kanë kujtuar Presidentit se çfarë është vendimtare dhe thelbësore për Kosovën për të ecur përpara. Demarkacioni dhe vizat, përsëriten edhe kësaj here.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e hënë zgjodhi që të drejtojë akuza ndaj ndërkombëtarëve dhe ndaj Gjykatës Speciale. Në një takim me akterë të shoqërisë civile, Thaçi hodhi dyshime për këtë sistem drejtësie. Ai tha se Specialja po bashkëpunon maksimalisht me Serbinë, ndërsa fare pak ose hiç më Kosovën.

Por zyra e Komisionit Evropian, as që janë marrë me atë se çfarë ka thënë Presidenti, vetëm se ia kanë bërë të ditura punët që Kosova duhet t’i kryejë. Vizat, papunësia, dialogu dhe demarkacioni janë çështjet thelbësore që ky komision ua kujton institucioneve kosovare.

Në një përgjigje dhënë Expressit, në disa pika, bëhet e qartë se cilat janë sfidat që Kosova duhet të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

“Siç rikonfirmohet nga Këshilli Evropian në mars dhe në gjendjen e fundit të fjalimit të bashkimit nga Presidenti Juncker, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka mbështetjen e qartë të BE-së për perspektivën e tyre të zgjerimit. Siç kemi thënë pas formimit të qeverisë në shtator, është thelbësore për Kosovën që reformat e nevojshme për sundimin e ligjit dhe ekonominë të zbatohen menjëherë. Kosova duhet të rrisë konkurrencën e saj dhe të krijojë vende pune dhe mundësi për popullin e saj. Është thelbësore që Kosova të ofrojë liberalizim të vizave duke lëvizur me efektivitet përpara në marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, shpjegojnë nga zyra e Komisionit.

Tutje, thonë se Qeveria e re duhet të luajë një rol aktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap i madh përpara është bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Beograd dhe Prishtinë për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve.

“E gjithë kjo është vendimtare për Kosovën që të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, theksojnë ata.

E për Specialen dhe akuzat e presidentit ndaj saj, ky komision shprehet i bindur se sikurse Dhomat e Specializuara ashtu edhe Prokuroria Speciale janë institucione të pavarura gjyqësore, derisa theksojnë se objektivi i tyre është që ata të jenë në gjendje të ofrojnë një mjedis të paanshëm.

“Objektivi i krijimit specifik të këtyre institucioneve është që ata të jenë në gjendje të ofrojnë një mjedis të paanshëm për zhvillimin e procedurave gjyqësore që rrjedhin nga hetimet nga Prokuroria Speciale. BE-ja ka përshëndetur gjithmonë përpjekjet dhe vendimin e autoriteteve të Kosovës për të krijuar Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale”, thuhet ndër të tjerash.

Shefi i shtetit në takimin me shoqërinë civile tha se u premtuan shumë përfitime për Kosovën nga ndërkombëtarët, por sqaroi se asnjë nga ato premtime nuk u mbajtën.

“(…) U premtua se do të mundë të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi Gjykatën. Bashkësia Ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, tha Thaçi.

Kujtojmë se deputetët e Parlamentit të Kosovës miratuan më 03.08.2015 me shumicë votash ndryshimet kushtetuese, që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme