Pas AAK-së dhe LDK-së edhe PDK konfirmon se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

13:39 | 1 Dhjetor 2023
E.K

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, tha ai.

Ndryshe, edhe nga AAK ka konfirmuar për Arbresh.info se u është dorëzuar një kopje e draft statutit të Asociacionit.

Kushtrim Xhemaili nga AAK për Arbresh.info tha se kjo parti do t’i japë komentet lidhur me draft-statutin pasi ta diskutojnë në organet e partisë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Të njëjtin i ka shpërndarë gjithë anëtarëve të kryesisë së Aleancës. Është kërkuar nga anëtarët e kryesisë t’i japin komentet e tyre lidhur me draft-statutin dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së Aleancës, të thirrur më datë 7 dhjetor, në ora 17:00″. Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”, tha Xhemaili.

Lexo edhe:

Pas LDK-së, edhe AAK konfirmon se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

Ndërkaq, edhe nga LDK për Arbresh.info kanë konfirmuar se kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

“Mund të konfirmoj që dje zyrtarisht e kemi pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Halimi.

Lexo edhe:

LDK konfirmon se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

Ndryshe më 7 nëntor, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pati takuar krerët e partive opozitare në vend.

Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, patën deklaruar se gjatë takimit me Lajçakun nuk e kanë parë draft-statutin./Arbresh.info

Të ngjashme