Google ADS

Partnerët strategjikë të Kosovës nuk janë kundër themelimit të Ushtrisë

10:59 | 24 Mars 2017
Arbresh.info

Nisma e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, kishte shkaktuar bujë në Serbi dhe nga qytetarët serbë, të cilët kundërshtuan ashpër këtë proces.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare dhe profesori Avni Mazrreku në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se deri më tani nuk ka parë ndonjë qëndrim të partnerëve strategjikë që janë kundër themelimit përkatësisht kundër transformimit të FSK-së.

“Ndryshimi i misionit të FSK-së nga ky aktual në një mision tjetër do t’i jepte karakteristika të një ushtrie tipike FSK-së. Ka pasur edhe qëndrime të ndryshme të faktorit ndërkombëtar në këtë rast, të njerëzve që janë njohës të rrethanave në Kosovë, të zhvillimeve, të proceseve të caktuara në Kosovë, e në veçanti të zhvillimeve dhe të proceseve që kanë të bëjnë me statusin e FSK-së që nga transformimi i UÇK-së në TMK, pastaj nga transformimi i TMK-së në FSK”.

Sipas tij lidhur me deklaratat e partnerëve strategjikë ka pasur keqinterpretim, ku siç tha ai për këtë pati reaguar NATO, dy ditë më vonë.

“Unë e kam thënë edhe më herët se NATO asnjëherë nuk ka kërkuar ashtu siç ka thënë edhe vet që për formimin e ushtrisë së Kosovës duhet të pyetet edhe Beogradi. Deklarata e NATO-së ashtu siç unë e kam kuptuar ka qenë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për stabilitetin në rajon dhe ky proces duhet të shërbej në funksion të stabilizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. Por, sa i përket themelimit të Ushtrisë së Kosovës, NATO ka qenë dhe është thellësisht e involvuar në këtë proces dhe e sheh këtë proces shumë sensitiv si dhe e sheh si proces që duhet të mos jetë unilateral. Fjala unilateral që është përdorur nga NATO ka nënkuptuar që faktorët politikë të brendshëm të jenë jo unilateral por të jenë të njëzëshëm për sa i përket mënyrës se si i qaset Kosova formimit të ushtrisë. Mendoj që asnjë nga faktorët e brendshëm politik shqiptar nuk janë kundër themelimit të ushtrisë ndonëse kanë pasur çarje më herët”, është shprehur Mazrreku.

Profesor Mazrreku ka thënë se është tejet i rëndësishëm koordinimi mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar.

“Është i domosdoshëm një koordinim i mirëfilltë mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, sepse siguria si nocion dhe proces nuk është më çështje e një shteti të vetëm por është kontekst i organizatave të një niveli më të gjerë si NATO”, shtoi ai./V.Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme