Në rast se Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për financimin e subjekteve politike të cilat i ka përgatitur Qeveria në formë të projektligjit, atëherë subjektet politike rrezikojnë të gjobitet deri në 40 mijë euro nëse vërtetohet se i kanë keqpërdorur fondet që u ndahen nga shteti, shkruan AktivPress.
Me ligjin në fuqi, dënimet për një subjekt politik janë shumë më të ulta dhe në raste të tilla ato sillen nga 3 mijë deri në 10 mijë euro, ndërsa për kandidatët e pavarur prej 500 euro deri në tre mijë euro. Ndërkohë, me ndryshimet e propozuara nga Qeveria, ndëshkimet rriten edhe për kandidatët e pavarur dhe kandidatët për kryetarë të komunave. Gjobat ndaj tyre parashihen të sillen nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.
Me ndryshimet e propozuara nga Qeveria, ndëshkimet rëndojnë edhe mbi personat që janë përgjegjës për financat e partisë. Dënimet mbi ta parashihen të sillen prej 1 mijë deri në tre mijë euro.
Kjo, megjithatë nuk është e tëra.
Qeveria ka paraparë dënime edhe për personat fizik dhe juridik që nuk lëshojnë faturë për çdo kontribut të bërë me anë të mallrave ose shërbimeve. Gjobat për të tillët sillen nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, për të parët, dhe nga pesë mijë deri në 15 mijë euro, për të dytët. Këto gjoba shqiptohen edhe kur vërtetohet se vlera e mallit në faturë, nuk korrespondon me vlerën e tregut, si dhe në rastet kur konstatohet se dhënia e kontributit për subjektin politik është bërë në kundërshtim me ligjin.
“ Vendimet e Zyrës për shqiptimin e gjobave janë përfundimtare dhe të ekzekutueshme”, thuhet në projektligj.
Me këtë dokument, siç shkruan AktivPress, subjektet politike obligohen që të kenë ueb faqe funksionale për t’i publikuar brenda 15 ditësh të gjitha shpenzimet që tejkalojnë shumën prej 100 euro.
Pos kësaj, partitë obligohen që t’i bëjnë publik emrat e donatorëve.
“Subjekti politik i përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, obligohet që: të bëj publike dhe ta përditësojë çdo tre (3) muaj, ose në rast të fushatës së paku çdo dy (2) javë, në rast ndryshimi, listën e kontribuesve që përfshinë emrin dhe mbiemrin, në rast të personit fizik apo emërtimin e personit juridik si dhe llojin, shumën dhe datën e kontributit”, thuhet shprehimisht në projektligj.
I gjithë kontrolli financiar i partive politike parashihet të bëhet nga një zyre e re që duhet të krijohet në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por që për nga mënyra e funksionimit, parashihet të jetë e pavarur.
“Kryesuesi i KQZ-së do të sigurojë që Zyrës t’i ofrohen shërbimet administrative, logjistike dhe financiare nga Sekretariati i KQZ-së, me qëllim realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Zyra ka dhe menaxhon buxhetin e vet. Zyrës i ndahet buxhet i mjaftueshëm për operacione dhe shpenzime të rregullta të lidhura me kompensimin e personelit.”. thuhet në Projektligj.
Pavarësisht kësaj, parashihet që Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike t’i ndahet për çdo vit buxhet shtesë për auditimin e financimit të partive politike, në vlerë prej jo më pak se pesë për qind nga Fondi për Mbështetjen e Partive Politike. E ky fond aktualisht është 4.2 milionë euro.
Moti i keq në Shkodër, shumë zona pa energji elektrike, bllo...
Përurohet qendra e re e mjekësisë familjare në Mamushë
Ukraina: Raketa e re ruse arriti shpejtësinë mbi 13.000 kilo...
Aksident me vdekje në Bulqizë, makina del nga rruga
Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem
Man United ‘kontakton’ yllin e Real Madridit – duan ta bëjnë...