Fushata e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, po merr përmasat e premtimeve të mëdha. Premtimet e tyre kryesisht po përqendrohen në fushën e zhvillimit ekonomik.
Ndonëse, zyrtarisht fushata zgjedhore hapet më 31 maj, partitë politike tashmë kanë shpalosur disa nga aspektet kryesore të programeve të tyre.
Rritja ekonomike deri në 8 për qind, hapja e vendeve të reja të punës, investime milionëshe në bujqësi, rritja e pagave në sektorin publik, subvencione dhe grante për bizneset, janë vetëm disa nga premtimet e partive politike.
Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, ka premtuar rritje ekonomike deri në 8 për qind si dhe rritje të pagave në sektorin publik deri në 30 për qind.
Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancës Kosova e re dhe Alternativën, kanë premtuar rritje ekonomike 6 deri në 7 për qind dhe se deri në fund të mandatit katërvjeçar, buxheti sipas tyre, do të mbërrijë në 5 miliardë euro, nga 2 miliardë sa është aktualisht.
Tre kandidatë për kryeministër – tri opsione për qeverisje
Ndërkohë, subjekti më i madh opozitar gjatë mandatit të fundit të institucioneve, Lëvizja “Vetëvendosje”, ka premtuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes ‘fondit sovran dhe Bankës Zhvillimore’.
Nisur nga këto premtime në këtë fushatë zgjedhore, përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë, thonë se disa prej tyre janë vështirë të realizueshme, por që nëse vendoset një dinamizëm edhe mund të pritet realizmi i tyre.
Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se fushata e sivjetme për dallim nga të kaluarat ka premtime më racionale, megjithatë ka fryrje të premtimeve.
“Ka fryrje të premtimeve sidomos sa i përket rritjes ekonomike ku thuhet se do të ketë një dyfishim të rritjes ekonomike deri në 8 për qind. Në fakt parashikimet e Bankës Botërore janë që rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2017 të jetë rreth 4 për qind dhe tendenca është në rritje edhe në vitin 2018. Për mendimin tim, të gjitha rritjet ekonomike që janë mbi 7 për qind janë vështirë të realizueshme, por jo të pamundshme”, thekson Gashi.
Nëse Kosova mund të nënshkruaj kontratë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike siç është termocentrali “Kosova e re ”, shton Gashi, atëherë do të ketë nxitje ekonomike e cila mund të ndikojë në masën e përgjithshme të bruto produktit të brendshëm me një shtesë prej 2 për qind rritje ekonomike.
Në anën tjetër, ekonomisti Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se premtimet për rritje ekonomike deri në 6.5 për qind do të mund të realizoheshin vetëm nëse do të kishte investime strategjike.
“Nëse e shohim punën e qeverive të kaluara, shumë premtime mund të jenë të parealizueshme, por nëse vendoset një dinamikë në zhvillimin ekonomik ka edhe premtime që mund të realizohen. Sidoqoftë, ka premtime të cilat janë totalisht të pakapshme, siç është premtimi prej një buxheti prej 5 miliardë euro”.
“Gjithashtu i parealizueshëm është premtimi për futjen e fondeve të mëdha shtetërore në ekonomi, pasi që është një veprim jo në harmoni me atë që ne e proklamojmë si ekonomi e tregut”, thekson Rukiqi.
Ndërkohë, investimet e premtuara në bujqësi, shton Rukiqi, lënë shumë për të dyshuar ‘se si do të arrihet që ato mjete të transferohen nga buxheti i shtetit në sektorin privat’.
Kosova rritjen ekonomike më të lartë e kishte shënuar në vitet 2010 dhe 2011 dhe atë mbi 5 për qind.
Banka Botërore në raportin e saj të fundit kishte vënë në pah se Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind. /REL/
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...