Asnjë parti politike në Kosovë nuk do të mund të garojë në zgjedhjet lokale, nëse deri më 22 gusht nuk paguajnë gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Për shkelje të kodit të mirësjelljes, partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, ishin gjobitur nga PZAP me rreth 350 mijë euro.
Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se asnjëra nga subjektet politike nuk ka shlyer të gjitha borxhet.
“Në bazë të një vendimi, të gjitha subjektet të cilat janë dënuar nga PZAP, afatin për pagesën e gjobave e kanë pasur deri më 15 dhjetor, por që tani pasi që jemi në prag të zgjedhjeve lokale, afati i fundit për të bërë pagesën është 22 gushti. Subjektet politike të cilat dëshirojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk mund të certifikohen pa i paguar gjobat”, ka thënë Desku.
Deri më tani, ka shtuar Desku, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, (koalicioni PAN), ka paguar vetëm rreth 12 mijë euro nga mbi 150 mijë euro sa është gjobitur, kurse subjektet tjera nuk kanë paguar asnjë gjobë.
Desku ka thënë se pas datës 22 gusht do të angazhojë përmbarues privatë për të gjitha gjobat të cilat mund të mbesin të papaguara nga subjektet politike.
“Do të presim datën 22 gusht, nëse këto borxhe nuk shlyhen do të fillojmë menjëherë paralajmërimin e subjekteve politike apo koalicioneve që nuk i kanë shlyer borxhet, dhe pastaj të gjitha lëndët do t’i dërgojmë tek zyra e përmbaruesit privat, pastaj përmbaruesi privat do të ketë punë për t’i përmbaruar apo arkëtuar këto gjoba”, ka theksuar Desku.
Afati i aplikimit për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet lokale në Kosovë ka filluar, dhe pritet të mbyllet më 22 gusht.
Zëdhënësit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më tani asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për certifikim.
“Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është 22 gushti, deri në këtë datë subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe për kuvende komunale, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë aplikim, por ka pasur interesim për mundësinë e aplikimit për tu certifikuar për pjesëmarrjen në këto zgjedhje”, thotë Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shtuar ai, do të pret aplikimet nga ana e subjekteve politike dhe pastaj do të shqyrtohen, do të bëhen rekomandimet dhe KQZ vendos për certifikim.
Autoritetet në vend thonë të kenë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më datën 22 tetor 2017.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës dhe ato pritet të zgjedhin kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit