Sa më shumë ditë të fushatës që po kalojnë, aq më shumë shtohen gjobat ndaj partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 22 tetor.
Po, me gjithë gjobat e shqiptuara, monitoruesit e fushatës thonë se ky proces po zhvillohet me pak probleme dhe se fushatat e partive politike po përqendrohen kryesisht në qytetet e mëdha të Kosovës.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa konfirmon se deri më tani ka shqiptuar një numër të konsideruar të dënimeve për partitë politike të cilat kanë shkelur kodin e mirësjelljes.
Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha për Radion Evropa e Lirë se ky Panel deri më tash ka pranuar shumë ankesa për të cilat janë marrë vendime dhe janë gjobitur pothuajse të gjitha partitë kryesore politike në vend.
“Në bazë të vendimeve që janë paraqitur nga ankuesi dhe nga gjetjet që janë konstatuar nga Paneli, janë shqiptuar gjithsej 79,650 euro gjoba. Të gjitha këto gjoba, pjesa më e madhe e tyre, kanë të bëjnë me kodin e mirësjelljes”, tha Desku.
Sipas Deskut, partitë më të mëdha kanë marrë dënime më të larta, përderisa ka edhe ndonjë subjekt politik që nuk është gjobitur fare.
“Nga shuma e gjobave të cilat janë shqiptuar, gjendja është kjo: Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar deri me tash me 44, 300 euro, Partia Demokratike e Kosovës me 10,750 euro, pastaj, Lëvizja Vetëvendosje me 7,100, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5,050, Aleanca Kosova e Re me 6,750, Alternativa me 1,650 euro, Partia Demokratike Turke Kosovës me 550, Nisma për Kosovën me 1,100 euro, Lista Serbe me 450 e kështu me radhë”, tha Desku.
Kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, theksoi se aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe 40 ankesa të tjera, për të cilat, sipas tij, shpejt do të dilet me vendime.
“Në afatin më të shkurtër ligjore do të vendoset për të gjitha lëndët dhe do të njoftohen palët me vendimet”, tha Desku.
Ky Panel ka bërë të ditur se shumica e ndëshkimeve ndodhin për shkak të vendosjes së posterëve në hapësira publike, por edhe shkelje të tjera.
Ndonëse kanë mbetur me pak se 10 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se nga monitorimet e bëra në fushatën parazgjedhore janë bërë ankesa të ndryshme.
Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha subjektet politike në bazë të ligjit janë të obliguara ta paguajnë borxhin e shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ai tha se këto dënime të shqiptuara për partitë politike duhet të kuptohen edhe si thirrje për respektimin e kodit të mirësjelljes në zgjedhje.
“Deri më tash ne si Demokraci në Veprime kemi dërguar në PZAP 24 ankesa për shkelje të kodit zgjedhor dhe ato kanë të bëjnë me vendosjen e posterëve, po kemi pasur edhe një ankesë për nxitje të gjuhës së urrejtje nga kandidatët të cilët përmes Facebook-ut kanë nxitur urrejtje”, tha Spahija.
Ai ka vlerësuar se dënimet të cilat është duke i shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duhet të jenë të larta në mënyrë që partitë politike të vetëdijesohen dhe mos të bëjnë gabime të cilat përsëriten proces pas procesi zgjedhor.
“Atë çka duhet ta bëjë PZAP-i, është që të vazhdojë me dënime të larta, në mënyrë që partitë të vetëdijësohen për formën dhe mënyrën sesi duhet të respektohet kodi zgjedhor”, tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komune apo për Kuvende Komunale, në komuna të ndryshme.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...