Partitë në koalicion e cilësojnë si joserioze nismën e LDK-së për rrëzimin e qeverisë

20:31 | 3 Prill 2018
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ftoi partitë politike në vend që të mblidhen për ta caktuar datën e zgjedhjeve.

Deputetët e partisë së Isa Mustafës, kohëve të fundit janë bërë shumë të zëshëm me kërkesat për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj.
Por kërkesat e LDK-së nuk po i marrin shumë parasysh partitë në koalicion.

Blera Deliu-Kodra deputete e PDK-së ka thënë për lajmi.net, se nisma e LDK-së është joserioze, dhe nuk mund të ndikojë në rënien e qeverisë.

“Nuk jemi takuar si grup për ta diskutuar këtë nismën e LDK-së, për mua nuk është diçka serioze që e shoh se mund të ketë konsekuenca”, ka thënë Deliu-Kodra.

Tutje deputetja e PDK-së mohoi se largimi i Listës Serbe nga koalicioni do të mund ta rrëzonte qeverinë Haradinaj, pjesë e së cilës është edhe partia e saj.

Kurse për deputetin e Nismës, Haxhi Shala tani nuk është moment i duhur për zgjedhje.

Shala ka thënë për lajmi.net se askush nuk përfiton nëse vendi shkon në zgjedhje në këtë periudhë të krizës, siç e cilësoi ai.

Sipas deputetit të Nismës për momentin janë disa tema më të rëndësishme që duhet të zgjidhen.

“Nuk besoj njëherë së pari që në këtë kohë krize LDK-ja kërkon zgjedhje sepse nuk përfiton asgjë nga kjo krizë e vendit, dhe jo e partive politike. Në kohën kur janë disa tema të cilat duhen të zgjidhen, pikërisht për shkak të atyre temave edhe serbët i kemi jashtë qeverisë”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Sipas këtij të fundit, Kosova aktualisht ka problem, e me të cilat nuk mund të ballafaqohet LDK-ja.

“Opozita e pret atë moment, por kjo kohë nuk është për të shkuar në zgjedhje, dhe nuk përfiton as LDK-ja e askush tjetër. Nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me ato probleme. Por është e drejt e tyre, edhe ne nëse do të ishim si opozitë do ta shfrytëzonim”, deklaroi Shala.

Me qëndrimin e tij ka befasuar deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj.

Ai ka thënë për lajmi.net se “Haradinaj do të jetë kryeministër edhe për 10 vitet e ardhshme”.

Shumica e qeverive të krijuara pas luftës, nuk kanë mundur ta çojnë mandatin deri në fund.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme