Partia e zëvendëskryeministres së Spanjës kërkon njohjen e Kosovës

20:42 | 5 Qershor 2024
E.G

Spanjës po i bëhet thirrje nga dy fronte të ndryshme politike të brendshme që ta njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Pyetja e paraqitur nga Deputeti i partisë Movimiento Sumar, Vidal Matas, është pranuar nga Kongresi i Deputetëve të Spanjës dhe pritet të vendoset në rendin e ditës për diskutim.

“Pyetje për qeverinë me përgjigje me shkrim. Njohja e Kosovës si shtet”, lexohet në njoftim e publikuar nga faqja zyrtare e parlamentit.

Vlen të theksohet fakti se kryetare e partisë Movimiento Sumar është Jolanda Diaz, aktualisht zëvendëskryeministre e Spanjës dhe ministre e punës dhe ekonomisë sociale në qeverinë e Pedro Sanchez.

Në të njëjtën kohë, edhe partia tjetër “Bashkë për Katalonjën” ka paraqitur një kërkesë në parlament që shteti spanjoll ta njohë atë të Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në korrik të vitit 2010, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare dhe konfirmoi se nuk ka asnjë normë në të drejtën ndërkombëtare që do ta ndalonte atë deklaratë”, lexohet në propozimin e dorëzuar.

Partia nga Katalonja thekson se refuzimi i Madridit për të njohur Republikën e Kosovës është një pengës për politikën europiane për të pranuar Ballkanin Perëndimor në BE. Madje theksohet se mos njohja është faktor destabilizues.

“Spanja vendoset në anën e Rusisë, Kinës ose Bjellorusisë kur refuzon ta njohë Kosovën si shtet”, lexohet në dokument. Kjo forcë politike hedh poshtë justifikimet e kryeministrit Sanchez se nuk pranon pavarësinë e Kosovës pasi u shpall në mënyrë të njëanshme./A2CNN/

Të ngjashme