Partia e Nenad Rashiqit akuzon Listën Serbe për shantazhe dhe presione

15:08 | 16 Dhjetor 2024
A Z

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e cila drejtohet nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka dënuar ashpër presionet dhe kërcënimet që po u bëhen kandidatëve të saj për deputetë nga kundërshtarët politikë, veçanërisht siç shprehen ata nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

Kjo parti thekson se këto presione janë intensifikuar pas zyrtarizimit të kandidaturës në zgjedhjet e ardhshme.

”Me shqetësim të thellë, vëmë në pah faktin se anëtarët e familjeve të kandidatëve tanë për deputetë po përballen me presione në vendet e tyre të punës. Këto presione përfshijnë shkarkime të parapërgatitura dhe shantazhe për shkak të bindjeve politike të familjarëve të tyre”, thuhet në njoftim

Në njoftin theksohet se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave për lirinë e shprehjes politike dhe synojnë të shkatërrojnë frymën demokratike në vend.

“Është veçanërisht e papranueshme që objekt i këtyre sulmeve bëhen anëtarët e familjes, të cilët nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në aktivitete politike, por vetëm për shkak të lidhjeve të tyre familjare me anëtarët tanë të partisë”, thuhet në njoftim.

Ky subjekt ka paralajmëruar se këto veprime janë të paligjshme, të pamoralshme dhe ka bërë thirrje që përgjegjësit të sillen përpara drejtësisë.

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, apelon te institucionet përkatëse që të mbrojnë punëtorët e prekur dhe të ndëshkojnë ata që kanë ndërmarrë këto akte.

“Ftojmë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qytetarët të bashkohen në mbrojtjen e lirisë dhe drejtësisë. Nuk do të lejojmë që kërcënimet dhe presionet të na ndalin në mbrojtjen e të drejtave të çdo individi për zgjedhje të lira dhe të pavarura,” përfundon njoftimi./rtk

 

Të ngjashme