PE kërkon më shumë kohë për ratifikimin e marrëveshjes postBrexit

19:29 | 28 Janar 2021
Arbresh.info

Parlamenti Evropian kërkoi zyrtarisht zgjatjen e afatit për aplikimin e përkohshëm të marrëveshjes postBrexit mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, me qëllim për të pasur më shumë kohë të ta shqyrtuar dhe më pas për ta ratifikuar.

Kjo kërkesë është formuluar në një letër nga presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe gjatësinë e marrëveshjes, Parlamenti Evropian dëshiron të kërkojë një zgjatje të afatit për zbatimin e saj të përkohshëm, përtej datës 28 shkurt, planifikuar fillimisht”, shkruan italiani në letrën e tij.

“Do të isha mirënjohës nëse Komisioni Evropian do t’ia paraqiste këtë kërkesë Këshillit të Përbashkët të Partneritetit, përgjegjës për monitorimin e traktatit postBrexit”, shtoi ai.

David Sassoli nuk përcakton një datë të saktë, por Parlamenti Evropian fillimisht donte që ratifikimi të bëhej në mars, koha për të mundur të analizonte dokumentin me 1 250 faqe, shkruan ATSH. Ky ratifikim mund të bëhet gjithashtu në prill.

Pas negociatave të vështira,Britania e Madhe dhe BE ranë dakord në fund të dhjetorit për një marrëveshje tregtare postBrexit, e cila hyri në fuqi më 1 Janar, por mbi një bazë të përkohshme, për shkak të mungesës së kohës së mjaftueshme për një ratifikim nga Parlamenti Evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme