Parlamenti Europian miraton rezolutën për sulmin e Serbisë në Basnjskë

12:38 | 19 Tetor 2023
L G

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën në të cilën e ka dënuar sulmi i 24 shtatorit, dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i heqë masat ndaj Kosovës e të vendos masa ndaj Serbisë nëse vërtetohen lidhjet e këtij shteti me sulmin në fjalë. Nga Brukseli kërkohet ndryshimi i qasjes në dialog.

Sulmin në Banjskë euro-deputetët e kanë cilësuar si sulm qyqar të tmerrshëm terrorist nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë.

Nëpërmjet të kësaj Rezolute i bëhet ftesë institucioneve evropiane që të ndërmarrin masa restriktive ndaj Serbisë, nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Beogradit nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

Parlamenti Evropian kërkon gjithashtu vendosjen e sanksioneve edhe ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar.

Në këtë kontekst, bëhet ftesë që të ndiqet shembulli i Amerikës dhe të sanksionohet Millan Radojiçiq. Përmendet se në Serbi është mbajtur ditë zie kombëtare për viktimat ndërsa shprehet keqardhje e thellë që tre terroristët e vdekur u portretizuan si heronj që luftuan për kauzën e serbëve, gjë që si pasojë, thuhet në tekst, po rrit fuqishëm tensionet politike në rajon.

Bashkimit Evropian i bëhet thirrje që të mbështete hetimet për këtë rast, dhe nënvizohet rëndësia që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.

Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, ndërsa Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, përfshirë edhe ekstradimin e tyre në Kosovë.

Dënohet rritja e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës, dhe kërkohet nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.

Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.

Në Rezolutë shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, të cilat, destabilizojnë tërë rajonin.

Gjithashtu shprehet keqardhje për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Bashkimit Evropian i bëhet ftesë për rol më pro-aktiv në dialog në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit. Nëpërmjet të Rezolutës kërkohet që ndërmjetësit evropian të propozojë një qasje të re, inovative dhe të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve, me qëllim tejkalimin e ngërçit aktual, dhe rikthimit të besimit në proces.

Kosovës dhe Serbisë u bëhet thirrje që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.

Gjithashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në Rezolutën e miratuar./rtk

 

 

Të ngjashme