Parku Inovativ i Prizrenit me 56 ndërtesa brenda saj pret investitorë

11:10 | 23 Maj 2020
Arbresh.info

Nga turizmi në bujqësi, nga teknologjia informative në kulturë e arsim, nga mjekësia e deri te fabrika të ndryshme, Parku Inovativ i Prizrenit, me 56 ndërtesa brenda saj tashmë është gati dhe pret investitorët e huaj dhe vendor.

Të gjitha detajet e këtij projekti të realizuar për herë të parë në vendin tonë, i ka shpalosur kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka në një intervistë të dhënë për arbresh.info.

Në të njëjtën kohë Haskuka, ka thënë se një pjesë e këtij parku do t’i ndahet pa pagesë të rinjve kosovarë që kanë projekte të mira, por nuk kanë fonde për hapjen e biznesit të tyre.

Komuna e Prizrenit do t’i përkrahë ata duke i liruar nga pagesa e qirasë, pagesat e administratës, sekretarisë, kontabiliteti ndoshta edhe kompjuterë si dhe paga simbolike.
Pos kësaj, të gjithë ata që do të investojnë këtu nuk do mendojnë as për infrastrukturë, as për siguri e as për parkingje, sepse Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren i posedon të gjitha.
”Në vitin 2018, KFOR-i Gjerman i stacionuar në Prizren, u tërhoq nga Kosova. Ideja e komunës sonë ishte që ky vend të shndërrohet në park inovativ në mënyrë që të marrim investime nga të huajt dhe punësim. Në takime me Gizën Gjermane dhe qeverinë e kaluar kemi vendosur që të bëjmë një projekt të tillë në vitin 2017 dhe tashmë e kemi bërë hapjen e saj.”, tha Haskuka.

Duke i cekur të gjitha llojet e bizneseve që do të mund të marrin pjesë këtu, Haskuka thotë se kanë ftuar edhe QKUK-në për të hapur klinikë, por që këta të fundit nuk kanë shprehur interes.

“Kjo qendër do të jetë vend i investimeve teknologjike, teknologji informative, komunikim, kulturë, turizëm, përpunim i produkteve bujqësore por po ashtu edhe investimet në arsim. Aktualisht brenda saj janë 56 ndërtesa, nga të cilat disa janë administrative dhe disa mund të kthehen në fabrika që me investime të vogla mund të kthehen në reparte të prodhimtarisë. Një pjesë është ndarë për tu përdorur si spital. Kemi kërkuar që aty të vijë një nga departamentet e QKUK-së, por s’kemi marrë përgjigje”, shprehet ai.
Haskuka, deklaroi se të gjitha bizneset vendore dhe të huaja në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, do të paguajnë një qira shumë më të ulët në krahasim me atë të tregut të jashtëm.
“Bizneset do të aplikojnë, paguajnë një qira të ulët në krahasim me tregun normal. Është një qira aq e ulët sa që mund të tërheqë vëmendjen e shume investitorëve. Është një vend i sigurte, ka një infrastrukturë moderne (rryma, uji, kanalizimi, rrugë, parkingje, gjelbërim), të gjitha këto. Kushdo që investon, nuk ka nevojë të mendojë më shumë”, u shpreh Haskuka.
Duke folur për investimet në këtë park, Haskuka deklaron se ka pasur takime me investitorë të huaj nga Gjermania dhe Hungaria.

“Kam pasur takime me investitorë të ndryshëm. Së fundi një nga Hungaria i cili dëshiron të investojë në tekstil të mençur që bëjnë rroba për marinar dhe pilotë për raste ekstreme. Tash për shkak të pandemisë i kemi ndalë bisedimet por si të kalojë situata do të vazhdojmë. Kemi biseduar edhe me një universitet në Gjermani, të cilët dëshirojnë të krijojnë një laborator për studimin e florës së faunës dhe muzeun e natyrës dhe kemi edhe projekte tjera të komunës”.

I pari i Prizrenit Mytaher Haskuka, tregon edhe për përkrahjen që do t’ua jep komuna të rinjve që kanë projektet të tyre

“Në të njëjtën kohë një pjesë e këtij parku do t’i ndahet të rinjve të cilët nuk kanë kapital për të investuar në biznese. Atyre do t’ju sigurohet administrata, zyra, sekretaria, kontabiliteti ndoshta edhe kompjuterë. Pas gjashtë muajve e rishikojmë gjendjen e tyre duke i bërë pagesa simbolike ku do të investojë Ministria e Ekonomisë”, u shpreh Haskuka.

Ai më tutje thotë se përkrahje më të madhe për realizimin e këtij projekti i kanë dhënë nga Ambasada Gjermane.

“Në realizimin e këtij projekti, përkrahjen më të madhe e kemi marrë nga Ambasada Gjermane, nga qeveria e kaluar dhe ajo e tashme. Disa procese janë vonuar ngase ky vend një kohë i kishte shërbyer edhe qytetarëve të Shqipërisë që kishin ikur nga tërmeti”, tha ai./Alban Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme