Parkingjet private “vlojnë” prej veturave, gjoba deri në tre mijë euro për mos deklarim në ATK

08:15 | 28 Korrik 2022
A Z

Sigurisht se keni vërejtur numër të madh të parkingjeve private, por që në shumë prej tyre nuk pajiseni me kuponë fiskalë, e sipas ekspertëve të ekonomisë çdo mos deklarim shkon në dëm të shtetit.

Administrata Tatimore e Kosovës i bënë thirrje qytetarëve që shfrytëzojnë parkingjet private që të kërkojnë kuponë fiskal. Në rast të mos dhënies të lajmërojnë ATK-në dhe gjobat për këto biznese arrijnë nga 200 deri në dy apo tre mijë euro.

Qytetarja A.G, në vazhdimësi e ka parkuar veturën e saj në njërin nga parkingjet e rrugës qafa, që e kemi në foto. Por ajo tregon që pavarësisht sa orë ka qëndruar e parkuar aty, dhe ka paguar shumë të mëdha ngase aty llogaritet qëndrimi më orë, ajo as edhe një here të vetme nuk ka marrë kupon fiskal.

Ajo për arbresh.info, ka thënë se asnjë lloj fature nuk i është lëshuar.

“Jam parkuar vazhdimisht, te ky parkingu të qafa, por askush nuk me ka dhënë kupon fiskal për muaj të tërë”.

Për ta vërtetuar këtë ne kemi vizituar disa prej parkingjeve në rrugën UÇK, dy prej tyre kanë thënë që kanë pasur defekte në arkat fiskale.

“Për momentin nuk mund të iu lëshojmë kupona fiskal, ngase arkën e kemi në defekt”, ka thënë njëri punëtor i një vend parkimi.

“E kemi arkën fiskale të prishur, sa e kemi blerë i kemi dhënë 300 euro, e nuk po mundemi me u rahatu me të, edhe pse e kemi blerë vetëm që tri javë, por ka defekte të vazhdueshme”, ka thënë tjetri, duke shtuar se ai lëshon një faturë të vulosur, në vend të kuponit fiskal.

Te parkingu i tretë që e vizituam, thanë nëse dëshirojmë ne, mund të lëshohet edhe kuponi fiskal

“Unë nuk e di, jam vetëm zëvendësim se pronari ka shku në deti, po nëse doni mundem me iu lëshu kupon fiskal”, ka thënë një njeri që punonte aty.

Për fiskalizimin e bizneseve zëdhënësja e Administratës së Kosovës, Valentina Bytyqi, ka thënë se ata kanë punuar në vazhdimësi. Ajo ka thënë që çdo biznes në Kosovë, e ka obligim të pajiset me arkë, fiskale.

“Ne kemi pasur një aksion, i kemi mbyllur parkingjet për një kohë të pacaktuar deri kur ata i kanë kry obligimet, i kemi vendosë shiritat për shkak të obligimit që kanë pasë ndaj ATK-së, në këtë formë kemi arritur që të i bëjmë ata që të deklarojnë të ardhurat e të fiskalizohen”, ka thënë Bytyqi.

Sa i përket çështjes së lëshimit të kuponëve fiskal, Bytyqi ka thënë se ata në vazhdimësi i monitorojnë bizneset, por për shkak numrit të vogël të inspektorëve është e pamundur që të monitorohen 24 orë.

“Për këtë neve na duhet edhe ndihma e qytetarëve, që çdo biznes që nuk lëshon kupona fiskal, të lajmërojnë ATK-në, thirrjet e tyre do të jenë konfidenciale, ndërsa bizneset do të dënohen nga 200 deri në dy apo tre mijë euro për mos lëshim të kuponëve fiskal”, ka shtuar Bytiqi.

Ajo ka thënë që tash në sezonin e verës, këtë problem e kanë edhe më të madh, ngase edhe fluksi i qytetarëve që marrin shërbime është më i madh.

“Parkingjet janë në monitorim të vazhdueshëm të ATK-së, ngase duket që ata kanë një fluks të madh të qytetareve, pra kanë punë shumë. Por ne i bëjmë thirrje qytetarëve, që secilin vend ku nuk lëshohen kuponë fiskal të lajmërohet ATK, ngase ne ndërmarrim masa të menjëhershme në këto rast sepse ne e kemi problem 24 orë me me monitoru a po lëshojnë kupona fiskal, andaj kemi nevojë për ndihmën e qytetarëve”, ka thënë Bytyqi.

Për këtë kemi folur edhe me njohësin e ekonomisë, Mustaf Kadriaj, ai ka thënë se shteti duhet të bëjë më shumë për t’i bërë të gjithë që të paguajnë tatime të shtetit.

“Edhe këta që i kanë arkat fiskale, po deklarojnë qysh po dëshirojnë vetë. Vlerësoj që çdo evazion është humbje për shtetin. Shteti duhet të merr hapa komfor ligjit që t’i fusë këto në fiskalizim”, ka thënë Kadriaj.

Sipas ekspertëve të ekonomise evazion fiskal, i kushton shtetit dhe potencialisht duhet të tentoj që të bëjë sa më shumë në këtë aspekt./arbresh.info/

 

 

Të ngjashme