Rastet me falsifikim të parave dhe futjes së tyre në treg, janë rritur më shumë kohëve të fundit në Kosovë.
Monedhat që më së shumti po shpërndahen në treg janë 2 eurot dhe 50 euro, raporton Arbresh.info.
Shitja dhe blerja e këtyre parave të falsifikuara po bëhet edhe përmes rrjetit social, “Tik Tok”.
Në aplikacionin “TikTok” ka një numër profilesh që reklamojnë para false.
Disa nga profilet që janë duke qarkulluar janë ; ”Blejpareks”, Parefallsks”, “ilyrian_store2”, “Fakemoney.1”, etj. Në bazë të komenteve në TikTok duket se shumë qytetarë janë të interesuar për të porositur.“o vlla kalo ne privat ne tik tok”, thotë një koment.
“ dua ca nga kto 2 eurshet”, shkruan një tjetër.
Në lidhje me hetimin e këtyre ueb-faqeve dhe personave të cilët i menaxhojnë këto faqe, policia pohon se është duke i trajtuar me seriozitet dhe profesionalizëm, këto raste kur ekziston dyshimi se mund të kryhet, apo është kryer një vepër penale e tillë.
“Policia e trajton me seriozitet e profesionalizëm çdo informatë, nga do që e merr atë, kur ekziston dyshimi se mund të kryhet, planifikohet të kryhet apo është kryer një vepër penale. Policia punon në zbardhjen e rasteve kriminale dhe dërgimin e kryerësve të tyre para organeve të drejtësisë”, pohojnë nga Policia e Kosovës për Arbresh.info.
Policia e Kosovës po ashtu ka bërë të ditur se vetëm brenda gjashtë muajve të këtij viti, janë raportuar mbi 400 raste të parave të falsifikuara.
“Bazuar në te dhënat e Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë muajve janar dhe qershor, të këtij viti janë raportuar 486 raste të falsifikimit të parave, bënë të ditur Policia e Kosovës.
Si të mbrohemi nga paratë e falsifikuara?
Ish-kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, thotë se duhet një bashkëpunim mes Bankës Qendrore, bankave vendore dhe shërbimeve hetimore të Policisë së Kosovës që të hartojnë planin për mbrojtjen e territorit nga hyrja e këtyre parave për të parë se nga po hynë këto para.
“Banka Qendrore në bashkëpunim me bankat tjera duhet të hartojnë një planë për mbrojtjen e territorit të brendshëm nga hyrja e këtyre parave, gjithashtu këtu duhet të integrohen edhe shërbimet hetimore të Policisë së Kosovës, për me e pa se nga po vijnë këto para, ku e kanë burimin”, shprehet Havolli për Arbresh.info.
Vendimin e disa ndërmarrjeve publike për ndalimin e pranimit të monedhës prej 2 euro si formë pagese, Osmani e sheh si të kundërligjshme, pasi sipas tij, qytetari nuk është autoritet që i kontrollon këto para.
“Ky është veprim i kundërligjshëm, sepse çdo qytetarë i Kosovës mundë t’i bien në dorë, sepse është i pafajshëm dhe nuk është autoritet që i kontrollon këto para. Por këto Institucione që hasin në këto monedha duhet t’i konfiskojnë dhe ta thërrasin Policinë”, pohon Havolli.
Ai thotë se çdo institucion duhet të pajiset me aparat verifikues që t’i identifikojë monedhat false dhe gjithashtu duhet të ekzistojë një hallkë, Banka Qendrore, bankat vendore Policia e Kosovës dhe njësitë e hetimeve në teren që të verifikojnë se nga po hyjnë këto të holla.
“Të gjitha bankat dhe Institucionet duhet të pajisen me aparate që e verifikojnë monedhën fals, në momentin që del e falsifikuar duhet të ndiqet zinxhiri dhe të përcillen. Kjo është një pjesë e sistemit operativ të Policisë, nëse Policia dëshiron mundet me e parandaluar nëpërmjet kamerave dhe shërbimeve të inteligjencës, por vetëm duhet organizim.
Agjencia Kosovare për Forenzikë: Monedhat 2 euro dhe 50 më të falsifikuarat
Për portalin Arbresh.info, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka konfirmuar se vetëm gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 kartëmonedha në vlerë prej 50€ dhe monedha metalike në vlerë prej 2 euro kanë qenë më të falsifikuarat.
Specialist i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, Feriz Selimaj, për portalin Arbresh.info thotë se parat e falsifikuara janë të dallueshme nga ato origjinal, sepse sipas tij, këto të fundit prodhohen me një teknologji më të sofistikuar.
“Të gjitha tiparet të cilat i posedon një kartëmonedhë origjinale janë të dallueshme apo të ndryshme nga tiparet të cilat mund ti posedoj një kartëmonedhë false sepse kartëmonedhat dhe monedhat metalike prodhohen me teknologji të sofistikuar”, thotë Selimaj.
Ai tregon disa nga tiparet që i bëjnë të dallueshme parat origjinale nga ato false.
“Disa nga tiparet e sigurisë të cilat mund të identifikohen-dallohen edhe nga qytetarët tek kartëmonedhat janë: shenja ujore, hologrami dhe ngjyra pamore e ndryshuar (OVI) ndërsa tek monedhat metalike munden pjesërisht ti identifikoj, sepse dallojnë nga ngjyra e metalit si dhe shtypja apo stampimi i tyre”, tregon Selimaj.
Arbresh.info ka provuar të merr përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës, për këtë trend të parave të falsifikuara, mirëpo ky institucion vetëm ka treguar se falsifikimi i parasë është krim.
“Falsifikimi i parasë është krim që në mënyrë të vazhdueshme paraqet rrezik për ekonominë e çdo vendi pa përjashtim dhe është burim i humbjes financiare për shoqërinë e veçanërisht për poseduesin e fundit të parasë se falsifikuar. Ndikimi i parave të falsifikuara dëmton besimin në paranë në qarkullim andaj me qëllim të ruajtjes së integritetit të saj, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse si Ministria e Punëve të Brendshme (Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë), Prokuroria Speciale dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës duke përfshirë këtu edhe institucionet financiare të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që veprojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Ndryshe, Ligji për Bankën Qendrore të Kosovës, kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, tërhiqen nga qarkullimi dhe menjëherë u dorëzohen Policisë se Kosovës e cila me tutje i dërgon të njëjtat për analize tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe njëkohësisht kryhen hetimet dhe iniciohen procedurat e tjera me organet e tjera përgjegjëse./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...