Google ADS

Paralajmëron Daçiq: Vatikani mund ta njoh pavarësinë e Kosovës

09:28 | 13 Korrik 2018
Arbresh.info

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, tani ka filluar të debatoj ashpër edhe me ish – presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç. Sipas Daçiqit, është pikërisht Nikoliç fajtor që para dy viteve Papa Françesku nuk vizitoj Serbinë.

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, ish- presidenti Nikoliç nuk kishte ushtruar autoritetin si president për të sjell Papën për një vizitë në Serbi, raporton Arbresh.info.

“Ne kemi rënë jo serioz tek autoritetet e Vatikanit. Sipas korrespodencave të Presidencës dhe Vatikanit shihet se Nikoliç kishte ftuar Papën në vizitë në Beograd e pastaj kishte anuluar atë pasi i kishte rekomanduar kisha serbe”, ka thënë Daçiq.

Daçiq është munduar të hedh poshtë pretendimet se pasi ai paraqiti në publik detajet e korrespondencës së ish-presidentit serb me kreun e Kishës Katolike Romake, edhe është dëmtuar imazhi i Serbisë.

“Unë nuk kamë shkaktuar dëme ndaj shtetit duke botuar të vërtetën për vizitën e Papës, por dëmi i shkaktuar vjen nga Tomislav Nikolic, i cili ka ftuar e pastaj ka anuluar vizitën e Papës në Serbi”, tha Daciq duke u përgjigjur ndaj akuzave të ish-kreut të shtetit.

Sipas Daçiq, një Papë nuk është vetëm një udhëheqës fetar, por edhe kreu i shtetit që nuk e ka njohur Kosovën, dhe kjo është e rëndësishme për Serbinë.

Prandaj, ai shpjegon se ai nuk kishte të drejtën ta thërriste Papën në një vizitë zyrtare në Serbi dhe se Nikoliç bëri këtë si kreu i atëhershëm i shtetit, shkruan gazeta serbe Kurir.

Daçiq paralajmëron se Vatikani mund të ndryshojë mendimin e tij mbi Kosovën.

“Ne do t’i lejojmë Papës të shkojë në Kosovë, por ai nuk mund të vijë në Serbi. Mos ankoheni përsëri nëse Vatikani e njeh Kosovën”, ka shtuar ai.

Vizita e Papës në Serbi ishte paralajmëruar në janar 2016. Më pas, Vatikani konfirmoi datën e vizitës më 21 dhe 22 maj dhe dërgoi një shënim që sugjeron se delegacioni i Vatikanit do të vijë në Beograd më 24 janar dhe do të fillojë përgatitjet. Megjithatë, zgjedhjet republikane u shpallën më vonë në Serbi dhe kjo u përdor si arsye për anulimin e mbërritjes së Papës. /Arbresh.info

Të ngjashme