Paralajmërohen reduktime të ujit, Tahirsylaj: Këto janë marifete të pushtetit

12:04 | 6 Korrik 2019
Arbresh.info

Degradimi i natyrës, prerja e pyjeve pa ndonjë kontroll dhe djegia e tyre ka bërë që Kosovës t’i pakohen të reshurat e shiut, qjë që po rezulton me mungesë të ujit të pijshëm dhe ajrit të pastër.

Eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, një përgjigje të dhënë për arbresh.info, ka thënë se nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, pas 10-15 viteve të reshurat në vendin tonë do të pakohen tërësisht gjë që do të rezultojë me mungesë të ujit të pijshëm dhe ajrit të pastër.

“Është faktori njeri… prerja e pyjeve në mënyrë të pa kontrolle, djegia e tyre  shkakton mungesë të oksigjenit, pakohen reshjet, degradohen shtretërit e lumenjve. Janë gjëra që bëhen në mënyrë të pa kontrolle dhe nuk i intereson askujt për këtë. Për shembull prerja sanitare ku shumica e pyjeve të Kosovës bëhet në mënyrë të pa kontrolle dhe nuk kanë lënë gjë pa bërë. Kemi reshje por të rralla, nëse vazhdojmë kështu brenda 10-15 viteve do të bie edhe më shumë. Ky problem nuk vlen vetëm për ne por edhe për vendet e rajonit, si Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi.”

Ai më tutje për këtë ka fajësuar institucionet shtetërore.

“Nuk ka askush që del e interesohet, kush do vetëm hyn e ia futë sharrat. Këtu janë fajtor ekipet e tërë territorit, dhe të gjitha këto janë marifete të pushtetit. Nuk interesohet as Ministria e Pylltarisë, e as ajo e Mjedisit. Prej një bjeshke në tjetrën bëjnë sistem teleferiku dhe ku përmes të cilës prishin natyrën.”

Mungesa e reshjeve të shiut në Kosovë, ka bërë që niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit të bije në mënyrë të dukshëm.

Mbushja e këtyre liqeneve prej të cilave një pjesë e madhe e rrethinës së Prishtinës furnizohet me ujë të pijshëm, bëhet vetëm nga reshjet e borës dhe shiut dhe nuk ka asnjë alternative tjetër.

Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info, kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu.

Abdullahu ka thënë se momentalisht niveli i ujit në liqenin e Batllavës është minus 4.3 metra nga niveli maksimal ndërkaq në liqenin e Badocit niveli i ujit nga niveli maksimal është minus 5.8 metra.

Tutje Abdullahu ka bërë të ditur se Liqeni i Batllavës dhe ai i Badocit të vetmin burim të mbushjes së ujit e kanë nga reshjet e borës dhe të shiut.

Sipas tij, pavarësisht rënies së nivelit të ujit në këto dy liqene, furnizimi me ujë të pijshëm në Prishtinë vazhdon të jetë stabil, duke kërkuar mirëkuptim për situatën që mund të pritet nga thatësira.

“Ju rikujtojmë që liqenet tona mbushen vetëm nga reshjet e borës dhe shiut dhe nuk kemi asnjë alternative tjetër për të mbushur këto liqene prandaj kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëveprim në situatat që na presin. Furnizimi vazhdon të jetë stabil”, ka treguar Abdullahu.

Thatësira ka thelluar reduktimet në disa komuna të Kosovës./Alban Begolli/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme