Google ADS

“Paralajmërimi i pjesëtarëve serbë për dorëheqje nga FSK-ja, bllokim i formimit të ushtrisë së Kosovës”

08:05 | 4 Korrik 2018
Arbresh.info

Presioni i Serbisë ndaj serbëve të Kosovës është çdo ditë e në rritje. Sado që komuniteti serb po përpiqet që të integrohet në shoqërinë kosovare dhe në institucionet e Kosovës, Serbia me presion po përpiqet që këtë komunitet ta izolojë.

Kohët e fundit është shfaqur sidomos presion nga Serbia tek anëtarët serbë që janë pjesë e FSK-së, shkruan Arbresh.info.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani në një përgjigje për portalin Arbresh.info ka thënë se ky presion i Serbisë mbi komunitetin serb është shkelje e të drejtave të njeriut.

Është fatkeqësi vazhdimi i presioneve të tilla dhe i kërcënimeve direkte nga Serbia për qytetarët serbë të Kosovës në rend të parë pastaj edhe pjesëtarët e FSK-së. Kjo sigurisht që nuk e dekurajon Kosovën që të vazhdoj angazhimet e veta për të ndërtuar dhe avancuar FSK-në si institucion profesional dhe multi-etnik, por kjo është fatkeqësi për faktin se është shkelje direkte e të drejtave të njeriut, e iniciativës së lirë të serbëve të Kosovës, mirëqenies së tyre ekonomike dhe karrierës dhe prosperitetit të tyre personal”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, Kosova duhet të vazhdojë me përkushtim të madh ta ndërtojë institucionin e FSK-së.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimet për avancimin e këtij institucioni profesional pavarësisht presioneve të tilla që vijnë nga Serbia , qofshin këto raste individuale, qofshin në formë krejtësisht të organizuar. Për ne kjo nënkupton që Kosova duhet të vazhdojë me përkushtim edhe më të madh që ta ndërtojë këtë institucion profesional”, theksoi ai duke përmendur edhe informimin e partnerëve ndërkombëtarë për këtë gjendje.

Në dialog me Serbinë nuk besoj që proceset që lidhen me FSK-në duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, por sigurisht që institucionet e Kosovës vazhdimisht komunikojnë me partnerët ndërkombëtarë dhe informojnë për gjendjen reale edhe në raport me këto lloj presionesh”, shtoi ai.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se nuk mund ta pengojë askush procesin e bërjes së ushtrisë së Kosovës.

Vetëm nga ne kosovarët dhe partnerët tanë mund të vonohet bërja e ushtrisë, por këtë nuk mund ta pengojë askush. Është mirë që serbët të mos bien pre e manipulimeve të Beogradit dhe të mos e izolojnë vetveten dhe mos t’ia heqin vetvetes mundësinë që të jenë pjesë e një force të armatosur drejt një ushtrie që do të jetë pjesë e NATO-s”, ka thënë Zenuni për portalin Arbresh.info.

Sipas tij Pozita dhe Opozita duhet që për presionin e Serbisë ndaj komunitetit serb të ankohen tek institucionet ndërkombëtare.

Ne duhet të mbetemi të hapur dhe insistues që përfaqësuesit e serbëve dhe të komuniteteve tjera të jenë pjesë jo vetëm e ushtrisë por e të gjitha institucioneve tona siç e kemi bërë edhe deri më tash. Duhet sa më shumë cilido prej nesh, institucionet, partitë politikë, pozitë e opozitë ta tregojnë këtë realitet sa më shumë, por para se të ankohemi para institucioneve ndërkombëtare për këtë çka po ndodh sepse kjo tashmë është e ditur edhe nga institucionet e BE-së edhe nga partnerët tanë, duhet të vazhdojmë t’i bëjmë me dije qytetarëve serb se institucionet e Prishtinës janë përfaqësues të të gjithë qytetarëve dhe interesave të tyre pa dallim. Kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, ka deklaruar Pajaziti.

Në anën tjetër shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një përgjigje për Arbresh.info tha se presioni i Serbisë e ka dërguar këtë komunitet drejt izolimit ekonomik.

Integrimi i të gjitha komuniteteve në FSK dhe në të gjitha institucionet është shumë i rëndësishëm për të përmbushur standardet evropiane të një shoqërie të integruar plotësisht. Presioni i vazhdueshëm i Serbisë mbi komunitetin serb në Kosovë, në veçanti në vitet e fundit, e ka shtyrë këtë komunitet drejt izolimit ekonomik dhe social. Kjo ka bërë që sidomos në komunat në veri të vendit të mbizotërojë pasiguria”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se për shkak të këtij presioni qytetarët e komunitetit serb ndihen të pasigurt.

Hulumtimet e opinionit nga shumë organizata vendore e ndërkombëtare tregojnë se qytetarët e komunitetit serb ndihen të pasigurt për shkak të mbizotërimit të strukturave kriminale që bëjnë presion të vazhdueshëm. Këto struktura nuk janë një organizim i izoluar i disa individëve lokal, por janë të mbështetura nga Serbia. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion tek Serbia të heq dorë nga mbështetja shtetërore që ju jep këtyre strukturave. Unë besoj se një presion i tillë do të bëhet, sidomos tani kur Serbia po bënë përpjekje në rrugëtimin drejt BE-së”, ka deklaruar ai.

Kurse ish anëtarja e Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Drita Millaku nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se dorëheqja e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja e bllokon formimin e ushtrisë së Kosovës.

Paralajmërimi i pjesëtarëve serbë për dorëheqje nga FSK-ja është në vazhdën e bllokimit të formimit të ushtrisë së Kosovës. Saktësisht jo vetëm në këtë institucion por edhe në institucionet tjera bllokadat do të jenë pjesë e politikës së Serbisë. Krerët tanë institucional nuk janë të përgatitur për një kundërvënie të politikave bllokuese serbe”, ka thënë ajo për Arbresh.info.

Sipas saj Qeveria e Kosovës nuk është e aftë për politikë kundërvënse ndaj Serbisë.

Realisht kjo Qeveri merret me politika ditore dhe të momentit dhe nuk kanë një strategji afatgjate që t’i kundërvihen kësaj politike, për dallim që ajo serbe mendon dhe punon për një bllokim më afatgjatë të Kosovës. Kjo Qeveri dhe ato të mëparshmet nuk janë te afta për politikë kundërvënse ndaj Serbisë për shkak se nuk e kanë kapacitetin intelektual. Serbia gjithmonë do te jetë kujdestare e kësaj politike bllokuese. Serbia gjithmonë do te ketë plane rezervë për bllokimin e Kosovës dhe është kujdesur me veprimet e veta që kjo bllokadë të jetë permanente në secilin institucion të Kosovës”, ka shtuar ajo. /V.Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme