Google ADS

Parafushata, braktisen institucionet

08:09 | 14 Shtator 2019
Arbresh.info

Edhe pse ende ka kohë deri në datën zyrtare të nisjes së fushatës zgjedhore, partitë politike kanë filluar të mobilizohen.

Nga organizimi i këtyre fushatave zgjedhore janë lënë shumë çështje të papërfunduara në institucione, nga udhëheqësit e partive që ishin në pushtet, shkruan arbresh.info.

Mosparaqitjen e udhëheqësve të institucioneve kosovare në punë, analistët e shohin si dëm të madh për vendin dhe qytetarët.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Shkodran Ramadani, në një prononcim për arbresh.info tha se politikanët të cilët mbajnë detyre institucionale më shumë janë të fokusuar në mobilizimin e qytetarëve për vota.

Ndërsa përgjegjësit institucionale sipas Ramadanit po lihen anash.

“Edhe pse e dimë që zyrtarisht fushata ende nuk ka filluar, në praktikë fushata fillon shumë më herët dhe tani jemi në vlugun e madh të përgatitjeve të fundit për zgjedhje dhe normalisht politikanët dhe personat të cilët mbajnë detyra institucionale e kanë braktisur në një farë mënyre institucionet dhe janë zhvendosur në teren për t’i mobilizuar votuesit e vet dhe për të grumbulluar sa më shumë vota. Kjo e lë anash performancën institucionale si në aspektin lokal të qeverisjes ashtu edhe në atë qendror për shkak se tani partitë janë më tepër të fokusuara në rritjen e mbështetjes së qytetarëve për to dhe e kanë të vështir t’i mbajnë dy fronte. Kështu që gjatë kësaj periudhe neglizhohen përgjegjësit shtetërore dhe komunale që i kanë partitë dhe më tepër janë të fokusuara në avancimin e kauzave”, tha Ramadani.

Veprimet e tilla, sipas tij, duhet të dënohen, por , në këtë rast shton se është krijuar një pajtim i gjerë, i cili e toleron një qasje të tillë.

“Për shkak se konsiderohet e pamundur të sakrifikohen dy tre muaj të performancës institucionale në këmbim të një stabiliteti më ta madh politik. Të gjitha partitë nuk munden asnjëra me e akuzu njëra-tjetrën pasi të gjitha janë njëjtë. Këto punë po kalojnë pa u kritikuar shumë dhe pa u bërë zhurmë, kështu që nuk është një element që mundet me i penalizu me votë këto parti”, tha Ramadani.

Analisti, Fatmir Sheholli, thotë se pikërisht këto parti të cilat flasin kundër shkeljes së ligjit, e shkelin Ligjin zgjedhor.

“Konsideroj që ligjet e përcaktojnë shume qartë kur fillon fushata zgjedhore. Andaj, është e domosdoshme që ligji te veprojë mbi ata të cilët nuk e respektojnë. Është shumë e çuditshme që të gjitha partitë politike pa dallim në këtë parafushatë, apo nuk e di si ta quaj, me plot entuziazëm flasin pikërisht kundër atyre që bëjnë shkelje ligji. Mirëpo janë ato parti që po shkelin Ligjin zgjedhor.”

Ndërsa analisti tjetër, Leon Duhanaj, mendon se veprimet e tilla janë prezentë çdo herë në vendin tonë, e jo vetëm gjatë fushatës.

“Si çdoherë, jo vetëm përgjatë fushatave zgjedhore, por edhe përgjatë një viti zgjedhorë, nuk mund të themi që ka qeverisje normale edhe përkundër faktit që edhe ashtu, qeverisjet e vendit janë tej mase të dobëta. Nëse analizojmë me kujdes aktivitetet e subjekteve politike, kush me shumë e kush më pak, agjendë të parë kanë pasur qoftë zgjedhjet e brendshme, qoftë aktivitete fushate në terren. Edhe tani, që i kemi zgjedhjet e shpallura por ende zyrtarisht nuk është hapur fushata, partitë janë të koncentruara 100% në shërbim të subjekteve, gjegjësisht fushatës parazgjedhore, me qëllim të maksimizimit të përkrahjes në elektorat. Kjo nuk është aspak në rregull”, tha Duhanaj për arbresh.info.

Duhanaj e quan të politizuar administratën e shtetit pasi që, sipas tij, orientohet në shërbim të partive politike.

“Njëherësh është edhe një dëshmi shtesë se kemi administratë të politizuar skajshmërish dhe në rast zgjedhjesh, zyrtarët në administratën e shtetit, në vend që të bëjnë punën për të cilën paguhen, orientohen plotësisht në shërbim të partive. Kjo dukuri e shëmtuar, duhet të marrë fund sepse ndryshe as nuk kemi arsye ta akuzojmë Evropën që po na përjashton, gjegjësisht na i kërkon plotësimin e kritereve. Një administratë e politizuar, është me shumë se korrupsion, është me shumë se nepotizëm, është me shumë se klientelizëm. Prandaj, nuk jam i sigurtë, nëse partitë politike pa përjashtim, e kanë për qëllim ndryshimin e kësaj gjendjeje, në mos forcimin e sajë”, deklaroi Duhanaj.

Se punët e shtetit kanë marrë kahje krejtësisht tjetër që nga dorëheqja e ish-kryeministrit Haradinaj, e thotë analisti Albinot Maloku, i cili thotë se parafushata ka marrë gjithë energjinë e angazhimeve në vendimmarrjet e shtetit, të cilën e konsideron shumë të dëmshme për vendin dhe qytetarët.

“Me vet aktin e dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj e më pastaj me vetëshkarkimin e deputetëve të Kuvendit, punët e shtetit kanë marrë trajtë tjetër, për të mos thënë se gjithçka funksionon teknikisht. Tanimë jemi në një parafushatë e cila ka për të marr gjithë energjitë e angazhimeve të spektrit politik e vendimmarrës të vendit. Qytetarët e shteti nuk duket të jenë prioritet e rëndësi prej kohësh në vendin tonë dhe kjo fatkeqësi ka premisa të ketë vazhdimësi”, tha Maloku.

Në Ligjin për zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë thuhet se “përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme