Paraburgim ndaj të dyshuarit për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje

10:29 | 18 Shkurt 2021
V. S.

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit L.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: vjedhja e rëndë dhe veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.

Gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 16.02.2021 deri me datën 17.03.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit L.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Me datë 10 janar 2020, pas mesnate në Prizren, në objektin e personit juridik – biznes të pajisjeve teknologjike, në bashkëveprim edhe me dy (2) persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar – të gjithë të maskuar, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, depërtojnë me forcë duke kaluar pengesat e krijuara, në atë mënyrë që, derisa biznesi në fjalë ishte i mbyllur, shfrytëzojnë momentin e volitshëm, thyejnë xhamin në afërsi të derës hyrëse, futen brenda nga ku arrijnë të marrin: Një (1) monitor të kompjuterit: Nëntë (9) telefonë ‘demo’; dhe Tre (3) tabletë, dhe me të shpejtë me veturën e tyre largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, me ç’ rast të dëmtuarit – personit juridik i shkaktojnë dëm material në shumën prej 7.200 € (shtatëmijë e dyqind euro).

– Se me datë, kohë dhe vend te njëjtë, i njëjti në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e zjarrit dhe atë: një pistoletë të tipit TT, – prodhim rus me një (1) karikator brenda saj dhe tetë (8) fishekë të kalibrit 7.62 mm e cila armë, të pandehurit aksidentalisht i ka rënë nga brezi duke u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës penale të përshkruara si në dispozitivin paraprak të këtij aktvendimi, me ç’ rast e njëjta edhe është sekuestruar përkohësisht.

– Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjykata, konsideron se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, meqenëse i pandehuri L.K., deri në momentin e ndalimit ishte duke qëndruar jashtë Republikës së Kosovës, gjithashtu duke pasur parasysh se pandehuri ka vepruar në bashkëkryerje edhe me persona tjerë, dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit i cili nuk është për herë të parë para organeve të ndjekjes.

Andaj duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura, Gjykata gjeti se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit L.K., në procedurën penale, dhe parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme