Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres vlerësoi se paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe zhvillimi socio-ekonomik në Kosovë dhe rajon varen nga përparimi i qëndrueshëm në dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në raportin e ri gjashtëmujor mbi punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), i cili është në axhendën e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mbahet nesër, Guterres theksoi se përparimi në dialog mbetet gjithashtu thelbësor për aspiratat evropiane të të dy vendeve.
“Ndërsa i mirëpres deklaratat e qarta të të dy palëve mbi rëndësinë e avancimit të dialogut, unë nënvizoj rëndësinë e një angazhimi të vërtetë për të vazhduar bisedime të nivelit të lartë brenda dialogut të mbështetur nga BE-ja në një të ardhme shumë të afërt”, tha Guterres në raport.
Raporti mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës kujton se delegacionet e udhëhequra nga negociatorët kryesorë zhvilluan tre raunde bisedimesh në nivelin e ekspertëve mbi çështjet në lidhje me pretendimet financiare dhe pronësinë. Përkundër gatishmërisë së të dy palëve për t’u takuar dhe zgjidhur çështje të pazgjidhura, Prishtina dhe Beogradi ende nuk kanë pajtuar qëndrimet e tyre lidhur me disa çështje, përfshirë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një dokument të botuar në faqen e internetit të OKB-së, Guterres vlerësoi institucionet e Kosovës, subjektet politike dhe votuesit për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt, të cilat, megjithë sfidat e pandemisë, panë pjesëmarrje më të lartë të votuesve sesa në tetor të vitit 2019.
Guterres gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë së re të Kosovës dhe opozitës që të punojnë në mënyrë konstruktive për të adresuar ndikimin e pandemisë në popullsinë dhe ekonominë e Kosovës, për të vazhduar përpjekjet për të konsoliduar sundimin e ligjit, për ta luftuar korrupsionin, t’i përmbahen kornizave dhe parimeve të të drejtave të njeriut dhe të angazhohen plotësisht në procese të rëndësishme politike.
Raporti gjithashtu thekson se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në periudhën e vëzhguar për të përmirësuar proceset hetimore dhe gjyqësore të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Dhomave të Posaçme të Kosovës. Ato institucione të sundimit të ligjit duhet të kenë bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve në mënyrë që të jenë në gjendje t’i kryejnë detyrat e tyre me efikasitet, shtohet ndër të tjera në raportin për punën e UNMIK-ut nga 16 shtatori deri më 15 mars.
Gjykata urdhëron rinumërimin e votave të zgjedhjeve në Ruman...
Lëndimet e shpeshta të Jamesit, flet trajneri Maresca
Vajza e Gjeneral Fadil Kodrës kandidate e Aleancës për deput...
Dermaku flet për Kosovën: Duhet të punoj fort dhe nëse jam i...
Rashica starton me Besiktasin në Europa League
Kurti në Prekaz: 28 Nëntori është datë themeltare e historis...