Në gjykimin në rastin ku ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni, ka paditur për shpifje organizatën joqeveritare “Çohu” dhe Qendrën e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, e cila vepron në kuadër të “Çohu”, është mbajtur fjala përfundimtare.
Përgjatë kësaj seance, palët kanë treguar se Çfarë presin nga gjykata në marrjen e vendimit.
Në seancë fjalën e pati përfaqësuesi nga Avokatura Shtetërore, Shefqet Hasimi, i cili fillimisht pati dilema se a janë kompetentë që ta përfaqësojnë Agjencionin Kundër Korrupsionit, duke theksuar se deri më sot i kanë përfaqësuar vetëm ministritë, por jo agjencitë.
Ai deklaroi se vetëm sa i ka pranuar shkresat e lëndës dhe nuk është i njoftuar me rastin.
Por më pas, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, ai qëndroi në tërësi pranë deklaratave të dhëna nga kolegët e tij në seancat e kaluara.
Fjalën pas tij e mori, përfaqësuesi i Hasan Pretenit, Asdren Bytyqi, i cili kërkoi nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia dhe si e tillë, organizata Çohu, në emër të shpërblimit të dëmit material dhe jomaterial për shkak të shpifjeve që i kanë bërë të paditurit në mënyrë solidare ti paguajnë paditësit të dytë shumën prej 100.000 euro me kamatë ligjore, si dhe pagimin e të gjitha shpenzimeve procedurale.
Avokati Bytyqi theksoi se akuzat kundrejt Pretenit kanë synuar denigrimin e personalitetit të tij dhe vet institucionit të AKK- së, institucion ky që drejtohej nga Preteni.
Madje, ai theksoi se është ushtruar kallëzim penal ndaj Pretenit, por që ky kallëzim është hedhur në tërësi si i pabazuar.
“Të gjitha këto akuza kanë synuar denigrimin e personalitetit të zotit Preteni dhe institucionit që drejtonte, të cilat janë bërë publikisht dhe janë përcjellë me kallëzim penal të ushtruar nga ana e të paditurve tek organet e prokurorisë së EULEX- it, e cila me njoftimin e datës 11.05.2012 i ka hedhur në tërësi si të pabazuara të gjitha akuzat e ngritura ndaj zotit Preteni, duke vërtetuar ekzistimin vetëm të natyrës së pastër të shpifjes”, tha Bytyqi.
Më tej, ai theksoi se organizata Çohu ka qenë e orientuar drejtpërdrejt në “cenimin dhe atakimin e personalitetit të Pretenit”.
“Deklarata e tillë ka reflektuar drejtpërdrejt në paditësin zoti Preteni dhe në institucionin që ai ka drejtuar, ngase njëtrajtshëm edhe mediet e tjera i kanë dhënë pompozitet duke i publikuar këto qëndrime të organizatës Çohu, të cilat qëndrime kanë prodhuar edhe pasoja të rënda morale për jetën dhe personalitetin e paditësit dhe familjes së tij, duke i shkaktuar atyre edhe vuajtje psikike dhe shpirtërore, shqetësime dhe stres të konstatuar me raportin psikiatrik të datës 2 maj 2012”, shtoi Bytyqi.
Pas Bytyqit, fjalën e mori i autorizuari i të paditurve- organizatës joqeveritare Çohu, Admir Salihu, i cili kërkoi që kërkesëpadia e AKK- së të hedhet nga gjykata si të palejuar, ndërsa, ajo e Hasan Pretenit të refuzohet si e pabazuar.
Sipas Salihut, Hasan Preteni nuk ka pasur të drejtë ligjore ta përfaqësojë edhe AKK- në edhe vetveten në të njëjtën padi, me arsyetimin se është konflikt interesi, e ndër tjera, nuk ka autorizim nga bordi i AKK- së se a ka mundur ta përfaqësojë apo jo edhe AKK- në.
“Së pari, nga vet padia shihet se nuk kemi asnjë elaborim rreth pretendimeve të paditësit të paraqitura në padinë sa i përket paditësit të parë, mirëpo, qysh në fillim të kësaj padie elaborohet biografia dhe pretendimi për paditësin e dytë, çka do të thotë se paditësi i dytë edhe nga vet vulosja e kësaj padie shihet se këtë padi e ka bërë tek një avokat privat dhe i njëjti nuk ka pasur të drejtë ligjore ta përfaqësojë Agjencionin dhe njëkohësisht edhe vetveten në këtë padi, meqë është në konflikt të pastër interesi. Fakti se në këtë padi, paditësi i dytë flet vetëm për vetveten dhe nuk e kemi asnjë argument, sqarim për paditësin e parë, lë të kuptohet se i njëjti e ka keqpërdorur pozitën e vet meqë nuk e ka një leje apo autorizim nga bordi i Agjencionit se a mund ta përfaqësojë apo jo edhe Agjencionin në këtë kapacitet”, tha Salihu.
Pastaj, Salihu tha se arsyeja e dytë se kërkesëpadia ndaj Çohu- s është e parregullt, për shkak se “nuk ka ndonjë arsyetim se me cilën deklaratë, veprim, vend apo cilat elemente Çohu i ka shkaktuar këto shpifje të pretenduara”.
“Duke pas parasysh se edhe gjatë këtyre shqyrtimeve përfaqësuesit e Agjencionit nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim të tillë rreth kësaj kërkese, mbi këto dy baza konsiderojmë se kjo padi është e parregullt dhe si e tillë do të duhej të hedhej.
Megjithatë, për hir të punës profesionale të organizatës Çohu nga provat që i kemi administruar dhe sjellë në këtë Gjykatë edhe pse barra e provës nuk na takonte neve, për t’ia lehtësuar vendimin gjykatës, do të japim shpjegimet nënkuptuese të këtyre provave”, shtoi ai.
“I kërkojmë shpenzimet e procedurës dhe ato do t’i specifikojmë sipas tarifës së Odës së Avokatëve, për paditësin e parë 135 euro për secilën seancë të mbajtur dhe 93.75 euro për përgjigjen në padi, kurse për paditësin e dytë, meqë vlera është prej 100.000 euro, sipas tarifës nr. 6 të OAK- së, prej 312.50 për secilën seancë të mbajtur dhe 312.50 për përgjigjen në padi”, shtoi Salihu.
Edhe pse fjalën e fundit e pati Salihu, përfaqësuesi i avokaturës shtetërore, Shefqet Hasimi, kërkoi nga gjykatësja e rastit që ta lejojë edhe njëherë ta marrë fjalën, me arsyetimin se vetëm pas fjalës së palëve tjera në procedurë e kishte kuptuar rastin.
Jashtë procesverbalit, ai iu kthye fjalës së tij të thënë në fillim, duke theksuar se AKK- ja duhet ta përfaqësojë vetveten.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk iu lejua nga ana e gjykatëses, e cila tha se gjykata ka komunikuar me AKK- në në mënyrë direkte, e më pas AKK- ja ka komunikuar me avokaturën shtetërore, të cilët kanë pranuar ta mbrojnë lëndën.
Preteni dhe AKK në këtë gjykim po kërkojnë 150 mijë euro nga këto OJQ për shpifje.
Preteni dhe AKK po kërkojnë nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim përmes të cilit të paditurit “Çohu”, Lorik Bajrami dhe Artan Demhasaj, përfaqësues të kësaj organizate, si dhe Besnik Boletini nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, në mënyrë solidare atyre në emër të shpërblimit për dëmin jometarial për shkak të shpifjeve që i kanë bërë t’ia paguajnë në total shumën prej 150 mijë euro, AKK-së 50 mijë dhe Hasan Pretenit 100 mijë.
Sipas padisë, përfaqësuesit e OJQ-së “Çohu” në vitin 2012 në një konferencë për medie kishin deklaruar se Preteni ka mbrojtur 7 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mosdeklarim të pasurisë.
Në këtë proces gjyqësor paditësi pretendon se “Çohu” ka shpifur për të gjatë kohës sa ishte drejtor i AKK-së.
Sipas padisë, që të gjitha këto deklarime të prezantuara në konferencë për media nga OJQ “Çohu” më 16 shkurt 2012 i kanë publikuar në gazetën mujore “Preportr” në muajin prill të vitit 2012, në faqen 4, 5 dhe 6.
Preteni pretendon se është ndjerë i fyer nga ky publikim, përmes përhapjes së fakteve të pavërteta.
Më tej, në padi ai ka pretenduar se ky publikim ka sulmuar vlerat e tij personale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar rëndë nderin dhe autoritetin e tij personal si dhe të AKK-së.
Në anën tjetër, në përgjigjen në padi, organizata “Çohu” ka kërkuar nga Gjykata që padia e Pretenit të refuzohet si e pabazuar dhe jolëndore.
Ata e kanë quajtur të parregullt padinë e personit juridik (AKK-së) dhe personit fizik (Hasan Preteni), me arsyetimin se Preteni nuk mund të paraqitet si i dëmtuar dhe në të njëjtën kohë si person fizik ngase ‘ai është drejtor i saj’.
“Padia e paditësit të parë dhe paditësit të dytë është e paqartë, konfuze dhe e parregullt sepse paditësi i dytë nuk ka legjitimitet aktiv për ta përfaqësuar paditësin e parë veç me faktin se ai e drejton këtë organizatë sipas ligjit. Përkundrazi ka konflikt interesi sepse dëshiron që përmes paditësit të parë të realizojë një shpërblim të supozuar moral nga shpifja që pretendon se i është bërë atij nga Organizata Çohu”, shkruhet në përgjigjen në padi të cilën e ka siguruar KALLXO.com.
Sipas të gjeturave të prezantuara në konferencën për media më 16 shkurt 2012, 7 deputetë nuk e kishin deklaruar pasurinë e tyre në bazë të Ligjit dhe nuk kanë deklaruar një pjesë të bizneseve të tyre, “të cilat kanë pasur për obligim ta bëjnë”.
Për këto raste, “Çohu” thotë se drejtori i Agjencisë në një prononcim televiziv më 6 dhjetor 2011 kishte mbrojtur këta deputetë me arsyetimin se nuk e kanë shkelur Ligjin, pasi që bizneset i kanë pasur pasive dhe të njëjtat nuk kanë pasur qarkullim dhe asnjë aktivitet.
Më tej, sipas të paditurve, Preteni e AKK në padi nuk kanë arritur të sqarojnë se cilat ishin veprimet shpifëse ndaj Agjencisë dhe cilat ndaj paditësit të dytë, vet Hasan Pretenit dhe se padia nuk specifikon se kur Preteni i referohet vetvetes, kur i referohet pozitës së tij apo kur po i referohet Agjencisë.
“Çohu” tërë kohë i është referuar Pretenit si drejtor i Agjencisë, që ka vepruar në kundërshtim me rregullat e brendshme, ashtu që ka shkelur ligjin dhe se Preteni në cilësinë e drejtorit apo vartësit e tij kanë falsifikuar dokumentet zyrtare duke ndërhyrë në formular përmes të cilave ka legalizuar përmbajtje të pavërtetë.
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin
Kushtetuesja shtyn për janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kr...
“Mua më pëlqen është çikë e mirë”, Driloni flet me Rovenën p...
Rama vijon traditën, ndan medalje ari për 188 nxënësit eksel...
Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hama...