Google ADS

Papunësia problem i vjetër por aktual, për dy muaj mbi 500 të punësuar

08:54 | 25 Shkurt 2018
Arbresh.info

Papunësia, një problem i vjetër në Kosovë por edhe në vitin 2018 vazhdon të jetë shumë aktual.

Më se shumti me këtë problem po përballën rinia kosovare. Sami Shala është një i ri nga komuna e Podujevës dhe është i papunë. Ai ka përfunduar shkollimin në nivelin master në Fakultetin Filologjik, Dega e Gazetarisë.

Shala tregon për portalin Arbresh.info se me sa vështirësi po e përballon këtë gjendje, madje thotë se po ndien turp nga familja duke mos qenë në gjendje t’u ndihmojë në aspektin financiar.

“Situata si i papunë është ndjesi dhe gjendje e rëndë meqë gjithmonë në moshën madhore detyrohesh të bësh jetë fëmijërore i varur nga të tjerët. Madje është gjendje edhe më e rëndë se fëmijërore meqë përveç varësisë financiare nga familja duhet edhe të jetosh me turpin, dhe ndjesisë si i pavlerë!”

I riu nga Podujeva ankohet për gjendjen social- politike në vend, ku sipas tij institucionet konkrete nuk po bëjnë zgjidhje që niveli i papunësisë të ulët.

“Gjendja socio-politike në Kosovë është e rënduar gjithçka ka marrë formën e politizimit në të gjitha fushat madje edhe në media. Kam punuar deri vonë në media si nënshtrues politikash redaksionale. Afër tre viteve kam punuar si gazetar kam patur një mundësi pune si zyrtar për informim në komunën e Podujevës, por konkursi u pat anuluar me arsyetimin se askush nga kandidatet s’është i denjë për pozitën e aplikuar”, tregon ai, duke shtuar se nuk është i regjistruar në entin për punësim.

Pjesa më e madhe e të papunëve në Kosovë janë të rinj dhe me nivel të arsimit të mesëm. Sidoqoftë, të dhënat e fundit që kanë dalë nga regjistrimi i fundit i popullsisë, që është bërë në dhjetor të vitit 2017, ishin alarmuese.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për tre mujorin e tretë të vitit 2017 del që 30.2 % e popullatës që janë të aftë për punë janë të papunë.

Ndërsa mbi 90 mijë persona vetëm brenda vitit 2017 janë regjistruar si të papunë në Ministrinë e Punës Dhe Mirëqenies Sociale.

Nga këto statistika, meshkujt kanë numër më të madh të punëkërkuesve ku sipas përgjigjes nga MPMS janë 51 mijë e 631 ndërsa femra 42 mijë e 235.

Nga ky numër janë punësuar mbi 6 mijë vetë.

Ndërsa për dy muajt e parë të vitit 2018 janë punësuar gjithsej 513 persona.

Sipas raportit, papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0 %, krahasuar me meshkujt, 27.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 53.3%.

Ndërsa punësimi më i lartë është te meshkujt (48.1%), kurse punësimi te femrat është 12.5%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë, me 47.9% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë, me 47.0%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.9%; ndërtimtaria me 13.8%; prodhimi me 13.3%; dhe arsimi me 9.2%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.9% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 56.5%, me fokus të veçantë te femrat me 79.8%, krahasuar me meshkujt, 33.4%.

Krahasuar me vitin e kaluar, Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), tregojnë se në nëntë muajt e parë vitit 2017 papunësia është rritur për 2.9 për qind krahasuar me shkallën e papunësisë, që është regjistruar nga kjo agjenci në vitin 2016./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme