Google ADS

Papa bën thirrje për “dialog serioz ndërkombëtar” për të zbutur tensionet në Ukrainë

15:03 | 12 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Papa Françesku, në komentet e tij të para mbi tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën, bëri thirrje të dielën për dialog serioz ndërkombëtar për zgjidhjen e tensioneve dhe u kërkoi të dyja palëve të shmangin një konflikt të armatosur.

Ai tha se po lutej për “Ukrainën e dashur, për të gjitha kishat dhe komunitetet fetare dhe për të gjithë njerëzit e saj, në mënyrë që tensionet atje të zgjidhen përmes një dialogu serioz ndërkombëtar dhe jo me armë”, transmeton arbresh.info

“Armët nuk janë rruga që duhet ndjekur. Le të sjellë paqe kjo Krishtlindje në Ukrainë,” u tha Papa mijëra njerëzve në sheshin e Shën Pjetrit për bekimin dhe fjalimin e tij të mesditës.

Ukraina është kryesisht e krishterë ortodokse, me katolikët ose të ritit latin ose ritit bizantin që përbëjnë rreth 10% të popullsisë në ish-republikën sovjetike.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha të shtunën se i kishte thënë presidentit rus Vladimir Putin se Rusia do të paguante “një çmim të tmerrshëm” dhe do të përballet me pasoja shkatërruese ekonomike nëse pushton Ukrainën.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në përgatitje për një ofensivë të mundshme ushtarake në shkallë të gjerë.

Rusia mohon planifikimin e ndonjë sulmi dhe akuzon Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara për sjellje destabilizuese dhe ka thënë se ka nevojë për garanci sigurie për mbrojtjen e saj./reuters/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme