Pantina: Vendimi për rritje pagash i ligjshëm, por jo edhe i drejtë

00:09 | 12 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Shqipe Pantina, deputete e PSD-së, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të përkrahur vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje pagash, është i çuditshëm, ndonëse tha se nuk është e thirrur për ta komentuar këtë akt juridik.

Megjithatë, ajo tha se një gjë pozitive është se këtë muaj qeveria duhet ta procedojë Ligjin për rritjen e pagave ku do të diskutohet gjerë e gjatë, mirëpo, sipas saj, vendimi nga ana e Kryeministrit ka qenë i gabueshëm, siç ka qenë edhe i Kushtetueses.

“Në momentin kur Ligji hyn në fuqi, ai është mbi gjithçka tjetër. Qeveria ndan vazhdimisht fonde, siç është ai i fundit për pagesën e pushimeve për veteranët e Luftës. Ne kemi insistuar që ky ligj të vijë sa më shpejtë në Kuvend. Në legjislaturën e kaluar u bë shumë presion që ky ligj të vijë në Kuvend, por ai s’erdhi asnjëherë”, tha ajo.

Sipas saj, Ligji për Rritjen e Pagave e Ligji për Shërbimin Civil duhet të procedohen në Kuvend gjatë muajit qershor sepse janë pjesë e obligimeve për rrugën evropiane të Kosovës.

Pantina thotë se vendimet e Qeverisë mund të jenë edhe të ligjshme, por mund të mos jenë të drejta.

“Kryeministri kur e ka marrë këtë vendim, është thirrur në ligj, por unë mendoj se s’ka qenë i drejtë. Në vendet tjera, qeveria merr vendime për qeveritë e ardhshme në mënyrë që të mos ketë konflikt interesi. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vendim që prek vetëm një numër të ngushtë të qytetarëve, e madje nuk prek as Administratën”, theksoi ajo.

Në lidhje me incidentin në Prizren me kryeministrin kur e largoi me forcë një zonjë nga podiumi, Pantina tha se as ky veprim nuk është i mirë, “por nëse analizojmë përtej kësaj, ishte dështim i plotë i protokollit të shtetit e kjo për mua është shqetësuese”.

“Aty nuk ishte ky incidenti i vetëm, por kishte një varg skandalesh. Kjo tregon se institucionet tona nuk janë pjekur që të menaxhojnë një ngjarje të këtillë. Kryeministri ndoshta është dashur të përjashtojë tërë stafin organizativ”, tha ajo.

Ajo thotë se nuk mori pjesë në seancën solemne në Prizren pasi, sipas saj, nuk ishte e qartë ftesa që u shkoi deputetëve, dhe jo sepse nuk paguhen mëditje për seancat solemne.

Duke folur për bisedimet me Serbinë dhe për çështjen se kush duhet ta udhëheqë këtë proces, Pantina tha se fjalën e fundit duhet ta japë Kuvendi.

“Kuvendi duhet ta thotë fjalën përfundimtare për bisedimet me Serbinë. Duhet ta delegojë këtë proces. Platforma e prezantuar në Kuvend ishte një platformë në dy faqe. Është vështirë të ketë mendim të unifikuar nga partitë politike. Kryeministri duhet të pres para se të arrihet një përafrim i qëndrimit të subjekteve politike, përafrim i cili duhet të vijë në Kuvend për t’u kthyer në vendim. Mendoj se qëndrimi i Kryeministrit që t’ia delegojë procesin e dialogut Presidentit, nuk është i mirë sepse ka parti që janë kategorike kundër që atë proces ta drejtojë Presidenti. Jemi pothuajse në fund të këtij procesi i cili, edhe ka filluar keq e edhe ka vazhduar keq, pasi që Kosova nuk ka fituar shumë nga ky proces. Duhet të kemi një përmbyllje të kësaj faze dhe të mbyllen të gjitha çështjet e hapura, siç është çështja e të pagjeturve, dëmet e luftës, e shumë të tjera që duhet të marrin një epilog, dhe këtë duhet ta vendosë Kuvendi. Duhet të vendosë se kush është institucioni apo ekipi a forma më e përshtatshme për të drejtuar këtë dialog, sepse tani ekziston mendimi i gjerë se Thaçi nuk ka qenë drejtuesi më i mirë i këtij dialogu, dhe s’i ka sjellë të mira Kosovës. PSD nuk e mbështetë vendimin që Thaçi të jetë udhëheqës i dialogut dhe ta paraqes veten si i vetmi që mund ta drejtojë një proces të tillë. Për më tepër, ai nuk përfaqëson unitet, dhe nuk e ka mbështetjen. Madje ka kundërshtime të mëdha që dialogu të vazhdojë të udhëhiqet nga ai”, theksoi Pantina,

Sipas saj, në fillim të javës së ardhshme pritet që PSD të thërrasë tryezën politike. Ajo pret që edhe VV t’i përgjigjet ftesës së PSD-së për këtë tryezë.

“Ne jemi subjekte të ndryshme dhe subjektet duhet të kenë mendime të ndryshme, por edhe pika të përbashkëta. Për mua, VV është si çdo subjekt tjetër në Kuvend. Do të votojmë herë njëjtë e herë ndryshe me ta. Edhe brenda VV-së ka deputetë që karrierën e tyre politike e kanë nisur në parti tjera politike, e edhe anasjelltas”, theksoi ajo.

Ajo thotë se reagimi i VV-së për daljen e saj nga partia, ka qenë i habitshëm.

“Arsyet e daljes sime nga VV janë krejtësisht politike dhe ideologjike, edhe sa kam qenë brenda aty kam kundërshtuar, por gjithmonë kam respektuar vendimin e shumicës në formë demokratike. E kam mbrojtur me fanatizëm. Për herë të parë për hedhje të gazit nuk ka pasur vendim, por kam qenë pikërisht unë ajo që kam thënë se kjo formë e kundërshtimit duhet të vazhdojë, sidomos pas ndërhyrjes së Policisë në zyrat e VV-së. Kam thënë që sa më shumë prej nesh duhet të përfshihen në mënyrë që barra të mos u bie një numri të vogël, por të gjithëve. Unë nuk jam pajtuar me mënyrën e marrjes së vendimeve në VV, por i jam bindur vendimit të shumicës, derisa erdhi një moment që u ndamë”, tha ajo.

Pantina tha se nuk është kundër bashkimit kombëtar, por “mendoj se nuk duhet privatizuar ideja për këtë çështje”.

“Jam absolutisht që të hiqet dorë nga kjo ide, por ndoshta s’do të jemi gjallë që kjo të jetësohet ndonjëherë”, tha ajo.

Ajo thotë se ka reaguar sa ishte në VV edhe ndaj sjelljes së tyre me gazetarë e me shoqërinë civile.

“Në të dy anët ka gabime, mirëpo reagimi, apo edhe mohimi i tërë të drejtës për të ndërruar mendje, ka qenë i papranueshëm. Në vend që të lehtësohet ky proces, aty është bërë presion që ne të dalim sa më shpejtë”, tha ajo, duke iu referuar daljes së deputetëve nga VV./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme