Pandemia ka bërë që shumë aktivitete kulturore të ndërpriten dhe të pezullohen. Por, dy festivalet e filmave në Kosovë, ai i filmit dokumentar DokuFest dhe festivali i filmit të animuar AniBar sivjet do t’i qëndrojnë publikut të tyre afër nëpërmes platformave online.
Festivali i filmit dokumentar DokuFest sivjet në edicionin e tij të 19-të po mbahet për herë të parë online. Ky festival nisi më 7 gusht dhe do të zgjasë deri më 25 gusht.
Drejtori i DokuFest, Veton Nurkollari, tha për Radion Evropa e Lirë se kalimi i komplet një festivali në sferën virtuale për të ishte një “eksperiment i çuditshëm”.
“Është edhe sfidë edhe një eksperiment i çuditshëm, që ta çojmë komplet një festival në sferën virtuale. Sado që jam me njëfarë nostalgjie për edicionet e kaluara të festivalit ashtu siç jemi mësuar. Në anën tjetër, jam në të njëjtin moment edhe i ekzaltuar të shoh se çka në fakt do të sjellë ky ndryshim i madh, kalimi në sferën virtuale,” u shpreh Nurkollari.
Por, sipas Nurkollarit kalimi në sferën virtuale kishte edhe përparësitë e tij për shkak se ueb-faqja në të cilin njerëzit mund të shikojnë filmat, do të jetë e qasshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.
“Sado që na ka tingëlluar krejt në fillim si një pengesë e madhe, në anën tjetër kemi vërejtur edhe disa përparësi. Kështu që në vend se si jemi mësuar me shumë njerëz që vijnë në Prizren, tash në fakt do të jemi të shtirë jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Prizren, por edhe në Shqipëri edhe një pjesë të Ballkanit, kështu që potencialisht i kemi me siguri 10 milionë njerëz që mund të qasen në filma, panele, debate, pjesës të muzikës virtuale dhe krejt asaj që e kemi përgatitur,” thotë ndër të tjera Nurkollari.
Nga ndërtimi i kinemave në ndërtimin e ueb-faqeve
Gjithashtu edhe festivali i filmit të animuar AniBar, i cili mbahet në qytetin e Pejës, sivjet në edicionin e tij të 11-të do të mbahet përmes platformës së krijuar online. Drejtori i këtij festivali, Vullnet Sanaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se sfida në të cilën kanë hasur ekipi i këtij festivali, ishte adoptimi në kalimin e një festivali të tërë në formatin virtual.
“Fillimisht, vështirësitë ishin që të pranojmë faktin që jemi duke shkuar online, deri vonë ashtu e kemi pasur problem që realisht jemi duke e bërë online dhe nuk jemi duke e bërë (festivalin) si çdo vit tjetër, pasi që gjithçka ishte e pasigurt në këto rrethana dhe kjo po mendoj që pak ishte vështirësi,” thotë Sanaja.
“Është një ndryshim i punës, nëse më herët kemi ndërtuar kinema tash jemi duke ndërtuar ueb-faqen, nëse më herët kemi komunikuar live me publikun tonë, tash jemi duke komunikuar përmes chat-it”.
Të dyja festivalet kanë krijuar platformat e tyre online në të cilat shikuesit mund të bëjnë përzgjedhin filmat e tyre të preferuar për t’i shikuar. Në platformën e festivalit DokuFest do të jenë 150 filma gjithsej në dispozicion për publikun, disa nga ta do të jenë me pagesë prej 2 eurosh.
Edhe në platformën online të festivalit të filmit të animuar, AniBar shikuesve do t’u ofrohen rreth 150 filma, nga të cilët filmat për fëmijë do të jenë pa pagesë, ndërsa filmat që janë në garë dhe ato të metrazhit të gjatë do të jenë me pagesë prej 2 eurosh.
Disa festivale në mbarë botën, do të mbahen online e disa të tjerë do të jenë kombinim në mes shfaqjes së filmave online dhe shfaqjes së filmave nëpër kinema të hapura, me kufizime të ruajtjes së distancës.
Festivali i filmit në Sarajevë, i cili do të nisë më 14 korrik, nuk do të ndryshojë format dhe do të mbahet me kufizime të ruajtjes së distancës.
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK