U tha se do të mbahet në nëntor, por duket se ishin vetëm fjalë.
Të paktën kjo mund të kuptohet kur vetë Qeveria e Kosovës hesht karshi pyetjes, nëse do të mbahet mbledhja e shtatë me radhe e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, ashtu siç tashmë është bërë zanat për të arritur pajtueshmëri për marrëveshje ekonomike e tregtare.
Në pyetjen e dërguar nga arbresh.info, zyra për informim e Kryeministrit Albin Kurti, nuk është përgjigjur nëse janë duke u bërë përgatitjet për këtë mbledhje.
Kritik me një sy po shihet edhe nga vetë ata që merren më çështje politike në vend.
Sipas profesorit, Mazllum Baraliu, që të kenë efekt e të zbatohen marrëveshjet duhet të ketë pajtueshmëri nga dy palët por që sipas tij kjo gjë zor që do të arrihet duke pas parasysh “urrejtjen”, e politikanëve të dy shteteve mes vete.
“Është irracionale dhe paradoksale që me Shqipërinë kemi probleme në këmbimin e mallrave dhe me Serbinë të kemi qarkullim shumë më tepër”, ka vlerësuar Baraliu për arbresh.info.
Tutje ai thotë se është e pakuptimtë, me këto raporte që i kanë dy liderët, këto mbledhje të mbahen si panaire.
“Për të pasur dashuri duhet dy palë që të jenë në koordinim dhe kjo do të duhej të ndodh sepse ka pak kuptim që të mbahen thjesht këto mbledhje si në panaire dhe të harrohen”, ka përfunduar Baraliu.
Se zbatimi i marrëveshjeve në këto mbledhje do të mbetet peng i pikëpamjeve të ndryshme politike të Kurtit e Ramës e thotë edhe njohësi i çështjeve politike Nexhmedin Spahiu.
“Besoj që është tepruar me mbledhje të përbashkët mes dy shteteve. Këto mbledhje po mbahen për folklor dhe jo për të zgjedhur probleme. Varet prej gatishmërisë së dy qeverive për zbatimin e marrëveshjeve.
Raporti i Edi Ramës me Albin Kurtin do të mbesin kështu deri sa Kurti nuk heq dorë nga përshtypja dhe qasja për Shqipërinë, dhe Rama prej qasjes që ka ndaj rajonit”, ka thënë Spahiu për arbresh.info.
Ndryshe dy shtetet Kosova e Shqipëria takimin e mbledhjes së fundit e kishin vitin e kaluar në Tiranë. Ajo ishte mbledhja e gjashtë me radhë që nga viti 2014, kur ishte mbajtur takimi i parë.
Që nga ajo kohë, të dy qeveritë mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme deri sa janë nënshkrua mbi 70 marrëveshje në tërësi.
Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.
Sipas një studimi që ka bërë Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP dhe Riinvest, thuhet se ndonëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve, ende shfaqen barriera tregtare.
Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë, sipas këtij studimi kanë të bëjnë me pengesa që lidhen me dokumentacione fitosanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes.
Karakteristikë, sa i përket barrierave tregtare me Shqipërinë, është se ato zgjidhen për një kohë të caktuar dhe të njëjtat në mënyrë sistematike përsëriten.
Një nga e marrëveshjet e zbatuara mes Kosovës dhe Shqipërisë është funksionimi i Portit të Durrësit.
Në janar të vitit 2019 Dogana e Kosovës pati hapur pikën doganore në Portin e Durrësit.
Kjo pikë doganore është mirëpritur nga bizneset kosovare, duke marrë parasysh se Porti i Durrësit është porti që ofron mundësi për qarkullimin më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave për dhe nga Kosova./V.Selimi/arbresh.info/
“Kajta pak qetash”, Burimi, Vullnetit: Tash e pash kush më d...
Kelmendi diskuton me kryeprokurorët për trajtimin e rasteve ...
Rio de Janeiro, qyteti bregdetar i Brazilit me famë botërore
Arrestohet 56 vjeçari në Kaçanik, ishte i kërkuar për veprën...
Gjermanët paralajmërojnë tifozët: Kujdes në Beograd, droga d...
Koalicionit AAK-Nisma i bashkohet ‘Lista Ideali’