Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.
Fillimisht, dy liderët janë takuar vetëm, pastaj kanë vijuar takimin me dy delegacionet.
Duke e falënderuar për pritjen, kryeministri Kurti theksoi miqësinë dhe partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe barazisë, shkruan arbresh.info.
“U diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes të dy shteteve dhe popullit të Kosovës dhe Gjermanisë. Kryeministri Kurti veçoi mërgatën e madhe të Kosovës që jeton në Gjermani dhe interesimin për të investuar në Kosovë. Ai e njoftoi Kancelarin për progresin e arritur në një vit qeverisje në Kosovë, duke potencuar rezultatet në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në të gjithë indikatorët e demokracisë. Përmendi edhe përpjekjet e mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe suksesin në luftimin e kontrabandës, krimit dhe korrupsioni”, thuhet në njoftim.
Kurti e ftoi Kancelarin Scholz që të vijë në Kosovë me një delegacion të gjerë investitorësh, për të parë mundësitë e investimeve në vendin tonë.
Kosova është tregim suksesi, prandaj edhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si shtet i rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe akter i rëndësishëm në botë, tha kryeministri Kurti.
Nga Kancelari kërkoi që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai theksoi se pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian.
Duke biseduar për bashkëpunimin rajonal, Kryeministri tha se Qeveria e mbështetë Procesin e Berlinit dhe e mirëpret përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re.
Kancelari Scholz tha se Gjermania ka vendosur të ringjallë Procesin e Berlinit. Ai bëri të ditur se në pjesën e dytë të vitit do të organizojnë një konferencë për, siç u shpreh ai, që të lëvizim, të ecim tutje.
Që ne të bëjmë gjithçka që pritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kthehen në realitet. Ne kemi përgjegjësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, tha Kancelari Scholz.
U bisedua edhe rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë. Kryeministri tregoi për sanksionet e Republikës së Kosovës kundër Rusisë, në linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe për solidarizimin me popullin dhe shtetin e Ukrainës.
Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri e njoftoi Kancelarin me qasjen pro-aktive dhe konstruktive të Kosovës, duke sjellë propozime në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian. Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra një proces i cili vazhdimisht sjell avancim deri në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, theksoi Kryeministri Kurti.
Në delegacion me Kryeministrin Kurti ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltarët politikë të kryeministrit Jeton Zulfaj dhe Fëllanza Podrimja, si dhe zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi. /arbresh.info/
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Sallës së Edukatës ...
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet