I dërguari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha sot se qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara mbetet njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë por që Uashingtoni mbështet gjithashtu modalitetet e tjera të marrëveshjes, nëse të dy palët bien dakord.
Pasi vizitës në Beograd me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe takimeve me zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe më parë me zyrtarët shtetëror në Kosovë, Palmer tha në një intervistë për N1 TV se qëllimi përfundimtar i SHBA në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë mbetet njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.
“Ne kemi një vizion që Serbia dhe Kosova të integrohen plotësisht në familjen evropiane, të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Si mund të jenë dy vende anëtare të BE-së nëse nuk njohin njëra-tjetrën? Kjo hap plotësisht rrugën evropiane për të dy palët. Kjo është arsyeja pse ne Shtetet e Bashkuara e shohim njohjen e plotë të ndërsjellë si mënyrën më të mirë për ta arritur atë”, tha Palmer, transmeton Telegrafi.
Diplomati amerikan është pyetur nëse ekziston një “Plan B” – apo mundësia e arritjes së një marrëveshjeje pa nënshkrimin e njohjes.
“Marrëveshja mund të jetë çdo gjë për të cilën të dy palët bien dakord. Dhe qëllimi ynë është të inkurajojmë palët të ulen së bashku, të paraqesin cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjnë. Të gjitha këto t’i vendosin në tryezë dhe që palët, me mbështetjen tonë, të vendosin se ku dëshirojnë të shkojnë (…) Ne nuk përcaktojmë agjendën, as nuk e përcaktojmë rezultatin. Kjo është çështje e palëve. Ata udhëheqin të gjithë procesin. I mbetet Beogradit dhe Prishtinës të përcaktojnë se çfarë është një marrëdhënie normale për ta ose një marrëdhënie më normale se tani”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, të dy palët sot janë më afër marrëveshjes, “në kuptimin që ato janë të gatshme të angazhohen seriozisht në dialog përsëri”.
I pyetur nëse vullneti për dialog vlen edhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili më parë tha se bisedimet me Beogradin nuk ishin prioritet i tij dhe së fundmi refuzoi të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ka përshtypjen se Kurti dhe qeveria e tij janë absolutisht të gatshëm për t’u përfshirë në dialog, me seriozitet dhe me qëllim.
“Ne ia kemi paraqitur qartë palës kosovare pritjet tona që të ndërmarrin hapa të mirë dhe të guximshëm në procesin e dialogut, dhe unë nuk do të flas për rezultatin paraprakisht. Por le t’i kthejmë palët negociuese në tryezë. Të punojmë së bashku me BE-në, dhe të përcaktojnë cilat janë prioritetet dhe kështu t’i lëvizim gjërat përpara”, tha diplomati amerikan.
Përkundër faktit se ai kishte takime të përbashkëta me zyrtarë në Beograd dhe Prishtinë gjatë ditëve të mëparshme, Palmer thekson se Uashingtoni nuk është palë në dialog.
“Ne nuk do të jemi në takime, por do të punojmë brenda procesit, i cili shpresojmë të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe kështu të hapë rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian për të dy palët,” tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është planifikuar të takohen në mes të qershorit në Bruksel, që do të shënojë vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Real Madridi synon transferimin e mesfushorit të Liverpoolit
Rritje e lehtë e temperaturave, moti sot në Shqipëri
108 aksidente brenda një dite në Kosovë
Humb jetën një person në Viti, ishte duke pirë kafe në resto...
Vidhet një çantë me para në Graqanicë, policia po heton rast...
Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, arrestohet një person