Palmer për zgjedhjet në Kosovë: Janë themeli i praktikave demokratike

22:24 | 12 Janar 2021
Arbresh.info

Emisari i posaçëm i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, vlerëson se administrata Biden do të vazhdojë të ketë të njëjtën qasje në Ballkan, “të qëndrueshme e të vijueshme”, sikur të gjitha administratat e deritashme.

Ai në një intervistë në RTSh për gazetarin Lutfi dervishi, tha se SHBA-ja mirëpret qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dhe se do të jetë partnere e saj. Po ashtu, pret prej saj të trajtojë tema e problematika të ndryshme në interes të qytetarëve dhe paqes në rajon.

“Zgjedhjet janë themeli i praktikave demokratike. Zgjedhjet në shkurt do të sjellin një qeveri të re në Kosovë. SHBA-të do të jenë partner i kësaj qeverie. Do të jemi partner i mirë i kësaj qeverie ashtu siç kemi qenë për qeveritë e shkuara në Kosovë. Besoj do të jetë e rëndësishme që kjo qeveri të trajtojë mirë disa nga problematikat që vazhdojnë të jenë sfiduese për vendin, përfshi këtu sundimin e ligjit, qeverisjen transparente dhe llogaridhënëse, nxitjen e rritjes ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit për investitorët e huaj. Mundësinë që të shihet që të ketë një ekonomi të gjallëruar që lejon të rinjtë të besojnë që e ardhmja e tyre është më e mirë në Kosovë se sa në emigracion. Besoj se do të ketë nevojë që të vlerësohet gjithashtu qasja e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë”, ka thënë Palmer./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme