Juristi nga Prishtina i diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në Yale Law School, New Haven në Shtetet e Bashkuara, Dastid Pallaska në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, komenton nismën e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision të ri, ushtarak, përmes ndryshimit të ligjit.
Rreth kësaj nisme, kishte dhe kundërshtime ndërkombëtare, për të cilat flet Pallaska, duke besuar se lidershipi i Kosovës kishte gabuar në hapa në lidhje me ndryshimet që parashihen për FSK-në.
Kohë më parë, ju patët propozuar që Forca e Sigurisë së Kosovës të kalojë në një stad tjetër të zhvillimit përmes ndryshimit të Ligjit. Tani, një nismë për transformimin e FSK-së e ka ndërmarrë presidenti Hashim Thaçi. Si e shihni ju këtë nismë dhe projektligj të propozuar nga Presidenti?
Dastid Pallaska: Forca e Sigurisë së Kosovës është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës, e cila është Kushtetutë e një shteti sovran, siç na kanë njohur një numër i madh i shteteve, ku bëjnë pjesë edhe aleatët tanë.
Mendoj që hartuesit e Kushtetutës tonë, ndër të cilët kryesorët kanë qenë amerikanë, e kanë paraparë një forcë të sigurisë me një mandat shumë modern. Kjo për shkak se forca e sigurisë është ideuar në vitin 2008 kur koncepti i mbrojtjes apo qëllimi i një force të sigurisë është zhvendosur nga mbrojtja e territorit tek mbrojtja e individit. Për këtë arsye, në Kushtetutë thuhet se mandati kryesor i forcës së sigurisë do të jetë mbrojtja e qytetarëve të vendit pa dallim.
Për këtë arsye, unë kam menduar që nga fillimi se nuk ka nevojë për asnjë ndryshim kushtetues për të funksionalizuar mandatin e plotë kushtetuese të Forcës së Sigurisë dhe për të tejkaluar një ndalesë të përkohshme pesëvjeçare që kjo forcë kishte në lidhje me armatimin e rëndë.
Për këtë arsye, që nga fillimi kam thënë se FSK-së i duhet armatim dhe jo transformim. Kjo për shkak se rritja e armatimit ishte paraparë edhe me Ligjin aktual të Forcës së Sigurisë pas vitit 2012. Sipas mendimit tim, rritja e kapaciteteve të armatimit do të duhej të bëhet në pajtim të plotë me praninë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, siç është paraparë me ligj, ngase rritja e armatimit për FSK-në do të rezultonte në zvogëlimin e kapaciteteve të pranisë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë.
Nismën fillestare për ndryshime kushtetuese të presidentit Thaçi – e cila ishte e kufizuar në ndryshimin e emrit të FSK-së – e kam parë me skepticizëm, për arsye se kam menduar që është një përpjekje e radhës për protagonizëm, për të arritur një sukses tjetër “historik” i cili vetëm se ishte arritur me miratimin e Kushtetutës.
Tani është e qartë se presidenti Thaçi ka ndryshuar mendjen. Me siguri jo për shkak të argumenteve që po i përmendi, por për shkak të pamundësisë për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese të propozuara. Në fakt, realizimi i një qëllimi të tillë përmes ndryshimeve kushtetuese ka qenë absurd, duke qenë që në Kuvend kemi një prani të konsiderueshme të komunitetit serb që ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër shtetit dhe kushtetutës së Kosovës.
Kështu që ka qenë pothuajse e pamundur që ata të jenë në gjendje të votojnë ndryshime kushtetuese të tilla, të cilat e forcojnë shtetësinë tonë. Me fjalë praktike, kjo iniciativë që nga fillimi ka qenë mision i pamundur dhe nuk është dashur fare që të jetë opsion për konsiderim.
Nëse i referohemi vetëm transformimit të FSK-së përmes ligjit, sa krijon ai një ushtri të cilën forcat politike në Kosovë e proklamojnë?
Pallaska: Mendoj që është totalisht e papërgjegjshme, qoftë nga politikanët apo edhe nga pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, që të pretendohet që në Kosovë të krijohet një ushtri konvencionale mbi bazën e parimeve të mbrojtjes së para Luftës së Dytë Botërore apo gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Unë kam dëgjuar edhe zëra që propozojnë që ushtria e Kosovës duhet të ketë edhe forcave ajrore. Këto propozime janë utopike jo vetëm për faktin që e kanë një kosto të cilën thjeshtë nuk mund ta përballojmë por edhe sepse anashkalojnë NATO-në si sistem i sigurisë kolektive në të cilin synojmë të integrohemi.
Mendoj që kur është themeluar shteti i Kosovës dhe kur është hartuar Kushtetuta, ideatorët e shtetësisë tonë kanë paraparë që FSK të jetë një forcë e vogël dhe e specializuar dhe që, mbi këtë bazë, të ofroj një shërbim me vlerë të shtuar për NATO-në, ku ka qenë pikësynimi përfundimtar për t’u anëtarësuar.
Pra, që nga fillimi përqendrimi kryesor i aleatëve tanë ka qenë që të ngrisin në FSK kapacitete specializuara, siç janë kërkim-shpëtimi dhe/apo misionet e deminimit, të cilat edhe ushtritë më të mëdha ndoshta nuk i ofrojnë në nivelin e cilësisë të cilën aktualisht e ofron FSK-ja.
Këtë mandat origjinal të FSK-së nuk duhet ta braktisim pasi që ne do të duhet të ndërtojmë një forcë të sigurisë që paraqet një vlerë të shtuar në kuadër të sistemit kolektiv të sigurisë ku aspirojmë të anëtarësohemi. Përpjekjet që me FSK të synojmë ta zëvendësojmë NATO-në janë sa utopike aq edhe të dëmshme për sigurinë kombëtare. Kjo për shkak se pa NATO-në në Kosovë nuk mund të garantohet siguria e jonë në raport me cilindo shtet, e posaçërisht me shtetet armiqësore të cilat i kemi në fqinjësi.
Megjithatë, tani ka një nismë që FSK të kaloj në një mision të ri, ushtarak, që ka ndërmarrë presidenti Thaçi. Por, kjo nismë po kundërshtohet nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar që transformimi të bëhet përmes amandamentimit të Kushtetutës. Ku e shihni zgjidhjen?
Pallaska: Mendoj që pozicionet e NATO-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me këtë çështje janë krijuar në bazë të propozimeve fillestare që kanë ardhur pikërisht nga zyrtarët e Kosovës, ku si opsion i parë ka qenë ndryshimi i emrit të FSK-së me amendament kushtetues. Karshi këtij pozicioni janë deklaruar edhe aleatët tanë. Në atë kohë duket se aleatët tanë janë vënë në lajthitje nga lidershipi i vendit se ndryshimet kushtetuese mund të mbështeten nga pakica serbe në shkëmbim të disa koncesioneve për vendet e garantura në Kuvendin e Kosovës.
Pa paragjykuar mundësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese në atë kohë është fare e qartë se tash kemi një situatë tjetër. Kemi një përfaqësim të ri të minoritetit serb, përkatësisht një dorë të zgjatur të Serbisë, Listën Serbe, nuk kursen mjet për ta kontestuar dhe dobësuar shtetësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, nuk mund të pritet se kjo forcë politike do ta përkrah një ndryshim kushtetuese për ndryshimin qoftë edhe të emrit të FSK-së. Në dritë të kësaj, është e nevojshme që të ripozicionohemi.
Në këtë ripozicionim duhet aplikuar metodologjia e realizimit të së mundurës duke bërë sa më pak ndryshime që kërkojnë përfshirjen e Listës Serbe. Këtu hapi i parë është armatimi, përkatësisht shtimi i armatimit dhe tejkalimi i ndalesave të cilave tashmë u ka skaduar afati pas pesë viteve të miratimit të ligjit. Kjo mund të bëhet edhe pa ndryshim të ligjit.
Sa u përket reagimeve ndërkombëtare, shpresoj që ato janë pasojë e nisjes së gabuar të këtij procesi, përkatësisht e qasjes së gabuar të lidershipit tonë. Thënë këtë, duhet të theksohet që deklarimi se Kosova duhet ta ketë një forcë të sigurisë, sipas mandatit origjinal në Kushtetutën tonë, vetëm me pajtimin e minoritetit serb nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kjo për shkak se Kushtetuta dhe ligjet në fuqi nuk kërkojnë shumicë të dyfishtë për funksionalizimin e mandatit të plotë kushtetues të FSK-së dhe/apo rritjen e armatimit të FSK-së..
Sidoqoftë, ndjeshmërinë e qeverisë amerikane ndaj iniciativës së presidentit Thaçi duhet parë pak më gjerë, përkatësisht edhe në aspektin rajonal. Për momentin në Kosovë nuk ka asnjë problem me funksionalizimin e mandatit të plotë kushtetues të forcës së sigurisë, përfshirë edhe rritjen e armatimit. Rrjedhimisht, kjo iniciativë do të duhej të mirëpritej nga SHBA-të pasi që në fund të ditës FSK është një forcë aleate edhe e SHBA-vë. Thënë këtë, SHBA-të – duke qenë fuqi globale – kanë interesa tjerë rajonal për të cilët duhet të kujdesen.
Nga ky prizëm kam përshtypjen që shqetësimi i SHBA-ve mund të ndërlidhet me faktin se iniciative për funksionalizmin e mandatit të plotë kushtetuese të FSK-së po zhvillohet gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale në Serbi ku kandidatët po akuzojnë njëri tjetrin për tradhti kombëtare pikërisht për shkak të qëndrimeve të tyre karshi Kosovës.
Nëse ky shqetësim i SHBA-ve ekziston, atëherë mendoj se është me vend që t’u komunikohet autoriteteve të Kosovës dhe më pastaj autoritetet e Kosovës të kenë mirëkuptim ndaj këtij interesi. Kjo për shkak se interesat e Kosovës dhe të SHBA-ve në lidhje me Serbinë janë të ngjashëm. Të dy palët mirëpresin politikanë modern në Serbi që do të pranojnë realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Nëse u referohemi deklaratave të presidentit Thaçi, transformimi i FSK-së nuk ka kthim prapa?
Pallaska: Rebelimi i presidentit Thaçi me bashkësinë ndërkombëtare është shumë shqetësues. Kjo për faktin që ai, pas ardhjes në pushtet ishte transformuar nga një politikan shumë i vështirë për t’u marrë vesh për çështje me rëndësi atë kohë në yllin e bashkësisë ndërkombëtare për konstruktivitet sidomos në raport me Serbinë. Tash duket se ai prapë po i kthehet rolit të para 2007.
Shpresoj që kjo nuk ka të bëjë me ndonjë shqetësim të tij personal lidhur me fatin e tij politik në Kosovë apo nuk është tendencë për forcimin e kredencialeve të tij patriotike dhe nacionaliste para zhvillimeve që mund të ndërlidhet me përfoljet që emri i tij mund të gjendet në listën e personave të akuzuar nga Gjykata Speciale.
Jo për faktin që presidenti personalisht nuk ka të drejtë të shqetësohet për fatin e tij politik, por mendoj që ai nuk mund të shërbehet me Kosovën apo fatin e këtij vendi për ta mbrojtur vetveten. Mendoj se vetveten ai duhet ta mbrojë në mënyra tjera dhe jo me fatin tonë dhe miqësinë tonë me bashkësinë ndërkombëtare. Pra, nuk është e përgjegjshme të rrezikohet raporti i Kosovës me NATO-në dhe SHBA-të si garantuesit kryesor të sigurisë në vend.
Po sa po e rrezikon Kosova partneritetin me ndërkombëtarët, qoftë me faktin se Gjykata Speciale do të nis tash punën apo edhe duke i pas parasysh nismat e tilla, të cilësuara si të njëanshme, siç është Projektligji për transformimin e FSK-së?
Pallaska: Mendoj se burimi kryesor i sigurisë kombëtare është pikërisht raporti i Kosovës me aleatët, në këtë rast me Shtetet e Bashkuara të Amerikës , vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-në. Nuk ka armatim ushtarak që do ta zëvendësonte këtë element të sigurisë kombëtare. Edhe sikur ta investonim gjithë buxhetin e vendit për dhjetë vitet e ardhshme në armatim, ne nuk kemi kapacitet për ta zëvendësuar këtë element të sigurisë kombëtare.
Andaj, mendoj se kërcënimi i këtij raporti nuk vlen për asgjë sepse do ta vinte në pikëpyetje vet ekzistencën e shtetit.
Nëse veprimet janë vërtetë të njëanshme dhe nuk ka asnjë marrëveshje të heshtur apo nuk ka ndonjë aranzhuan politik i cili do të zbulohet më pas, mendoj se këto veprimet e njëanshme janë shumë të rrezikshme.
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse këto raporte nuk janë pronësi e një politikani, nuk janë rezultat i një, dy apo tre mandateve qeveritare, por janë pasojë e orientimit të duhur politik të Kosovës për pothuajse njëzet që është meritë e shumë politikanëve në vend. Për këtë arsye mendoj se fati i një njeriu nuk mund të lidhet asnjëherë me fatin e një vendi.
Kjo nismë e presidentit, megjithatë ka hasur në parim në mbështetjen edhe të opozitës, që ndodhë shumë rrallë për zhvillimet politike në Kosovë?
Pallaska: Çka është shqetësuese për mua, presidenti i Republikës me qasjen që ka marrë në lidhje me këtë çështje, pothuajse e ka zhdukë opozitën, apo pjesën më të zëshme në Kosovë, e ajo është Vetëvendosje, e cila njihet për qëndrime radikale dhe jo miqësore ndaj bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, posaçërisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Ky fakt tregon më së miri se sa radikal është ky qëndrim i presidentit kur kërcënon me veprime të njëanshme. Kur një opozitë e dhunshme hesht për këtë çështje kjo do të thotë se vendin e saj e ka zënë pikërisht presidenti.
Përfundimisht, është Kuvendi i Kosovës ai që vendos për projektligjin. A prisni që ky institucion të kërkoj koordinime shtesë me faktorin ndërkombëtar?
Pallaska: Kuvendi i Kosovës e ka vendimin e fundit lidhur me këtë çështje. Mendoj që në momentin kur të vijë në shqyrtim ligji, aty të vijë në konsideratë tendenca për të mos bërë një hapa të njëanshëm për të mos provokuar ndonjë dëm të pariparueshëm. Kështu që aty do të sqarohet gjithçka, dhe ndoshta edhe thirrja e ambasadorit amerikan ishte tek Kuvendi për arsye se në këto adresat tjera duket se është konsumuar çështja pa sukses. Tash përgjegjësia i takon Kuvendit.
Mendoj që kjo çështje është aq me rëndësi dhe nuk duhet të ndiqet vetëm në një rrugë, pra të përqendrohemi vetëm tek transformimin. Debati paralelisht duhet të zhvillohet për armatimin dhe në fakt kur hapen të gjitha këto tema mund të vijnë më shumë në shprehje opsionet për kompromis. Do të thotë, që t’i realizojmë të gjitha pritjet tona, pa shkaktuar ndonjë valë të panevojshme të destabizlimit të raporteve tona me aleatët.
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...
Fitimi, Sarës: Sa do kisha shanse me ty jashtë, nga 1 tek 10
Votuesit e regjistruar në Diasporë do të hiqen nga listat br...
Top 10 mesfushorët ofanzivë më të mirë në kampionatin zvicer...