“Pakoja e varfër” shuan shpresat se bizneset mund të rimëkëmben gjatë verës

10:05 | 19 Prill 2020
L G

Çdo iniciativë për bizneset është e mirëseardhur, por Qeveria nuk ka buxhet të konsoliduar për të plotësuar të gjitha nevojat.

Kështu vlerëson Ekonomisti, Mustafë Kadriaj, në një intervistë për arbresh.info derisa shprehë pesimizmin në lidhje me Pakon Emergjente Fiskale.

“Është pako e varfër, dhe me shpresë se do të ketë edhe pako të tjera, dhe është rreziku që të falimentojnë shumë biznese dhe shumë persona të mbesin pa punë. Deri në fundin e majit nuk do të ketë lëvizje të lirë, dhe do të ishte fat të mund të punojnë bizneset gjatë verës, dhe të rimëkëmben dhe konsolidohen. Ky vit nuk mund të jetë vit i zhvillimit ekonomik”, është shprehur Kadriaj.

Sipas tij, më së shumti është atakuar pjesa e ndërtimit, tregu bankar dhe kulturat bujqësore.

Kadriaj ka komentuar edhe ndihmën e diasporës, të kërkuar nga Qeveria në detyrë.

“Çdokush që ka mundësi financiare që të përkrahë vendlindjen është e mirëseardhur për aq sa kanë mundësi. Parimisht nuk është e ndaluar përkrahja financiare.”

Por, Kadriaj është skeptik sa i përket menaxhimit të këtij fondi.

“Asgjë të keqe nuk ka nëse këto fonde përdoren për të përballur situatën me COVID-19. Frikën e kam te keqpërdorimi, sepse diaspora është pasuri e veçantë. Sa do të menaxhohet, asnjëherë nuk është sqaruar se si janë menaxhuar edhe në të kaluarën.”/A.Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme