Pajaziti: Qeveria dështoi me planin e saj në veri të vendit

20:46 | 2 Gusht 2022
L G

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti deklaroi se partia në të cilën bën pjesë, ka shprehur shqetësimet për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ai tha se qëndrimet e saj, përkitazi me zhvillimet e fundit, PDK i ka prezantuar përmes kryetarit dhe nënkryetares.

Sidoqoftë, Pajaziti në intervistë për emisionin “Info Plus” në RTK1 përsëriti se ka pasur veprime destruktive nga ana e Serbisë, me barrikadat që janë vendosur nga serbët lokalë e të cilat i cilësoi si të papranueshme.

“Për ne si qytetarë të Kosovës dhe institucionet e saj, këto barrikada janë të papranueshme”, tha Pajaziti, duke shtuar se megjithatë, plani i qeverisë ishte i papërgatitur.

“Kemi pasur një dështim të institucioneve të Kosovës për të realizuar detyrat. Kemi një dështim të kësaj Qeverie në çështje që janë shumë të ndjeshme të sigurisë”, tha Pajaziti në këtë intervistë.

Ai tha se ka një rikthim të krejt procesit, krahasuar me pritjet që kanë qytetarët, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Ka një kthim mbrapa në çështje teknike dhe ngecje”.

Pajaziti më tej deklaroi se nëse Qeveria ka planifikuar te realizojë një aktivitet të tillë ë ka të bëjë me një vendim te saj, duhej që një gjë të tillë ta çonte deri në fund.

Ai tha se angazhime të tilla të Qeverisë të papërgatitura dhe të pakoordinuara nuk duhet të ndodhin sepse e zbehin imazhin e saj dhe prezantojnë paaftësi të Kosovës që ka ndaj Kushtetutës për shtrirje të kushtetutshmërisë në tërë territorin.

Ai tha se asnjëherë Qeveria nuk tha se aktivitetet i ka marrë në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Koordinimi u përmend vetëm kur u shty afati i zbatimit të vendimit”, tha ai.

 

Të ngjashme