“Jo gjithmonë jemi të furnizuar me pajisje e uniforma të nevojshme… Paga që marrim është modeste, por gjithmonë duke shpresuar se një ditë do të jetë e dinjitetshme dhe do të ketë kushte më të mira pune”.
Kështu një polic i Kosovës rrëfen për REL-in përvojën e tij mbi 10-vjeçare në policinë e shtetit.
Thotë se shumë kolegë të tij detyrohen të kërkojnë edhe alternativa, si kredi, për t’i shkolluar fëmijët, apo për t’i mbajtur familjet.
Duke dashur të mbetet anonim, ai thotë se nuk e kupton përse institucionet e Kosovës nuk arrijnë t’i përmirësojnë kushtet e policëve – përgjegjësve kryesorë për sigurinë.
Kjo çështje ishte temë debati këtë javë në Kuvendin e Kosovës, por pa ndonjë sukses.
Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk morën pjesë në seancën ku do të shqyrtohej projektrezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës, e cila u thirr nga partitë opozitare.
Dokumenti parashihte shtesa për policët në raste të rrezikshmërisë së lartë, pagesa për sigurim shëndetësor dhe projektligjin për pensionim të parakohshëm – përfitime që aktualisht nuk ekzistojnë.
Ai u hartua gati tri javë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
“Është mbushur kupa”
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se policët e Kosovës punojnë në kushte të rënda, me paga të ulëta e pa sigurime shëndetësore.
Atyre që udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, nuk u paguhen as shujtat, as shpenzimet e udhëtimit, sipas tij.
“Është jashtëzakonisht e pakuptimtë që nuk plotësohen kërkesat. Thënë në mënyrë figurative, është mbushur kupa”, thotë Zeqiri.
“Inatet politike e kanë vendosur policinë në mes dhe policia po pëson, sepse ajo është apolitike. Nuk merret policia me politikë, policia merret me autorizime ligjore, veprime konkrete, e kryen punën e vet jashtëzakonisht në mënyrë profesionale”, shprehet ai.
Sipas të dhënave të sindikatës që udhëheq Zeqiri, 2.200 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë larguar nga ky institucion prej se është themeluar në vitin 1999.
“Mllefi, pakënaqësitë kanë arritur kulmin. Me këtë pakënaqësi që po e shpreh policia me dorëheqje vullnetare, unë mendoj se dobësohet institucioni i sigurisë në vend”, thotë Zeqiri.
Miloti – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë – ka zhveshur uniformën e policit muaj më parë, për shkak të, siç thotë, pakënaqësive me kushtet e punës.
“Çështja kryesore ishte paga, tani edhe kushtet e tjera të punës. Paga që unë kam marrë, nuk më ka mjaftuar për gjëra elementare. Po të më mjaftonte, unë kurrë nuk do ta merrja atë vendim, pas një përvoje të mirë aty”, thotë Miloti.
Sipas tij, policëve nuk u paguhen kurrë orët shtesë të punës, por se në këmbim marrin ditë të lira pune.
Në këto ditë, “policët që kanë viza, shkojnë jashtë shtetit për punë – një deri në dy javë ose më shumë”, thotë Miloti.
“Kanë familjarë [në vende të BE-së], shkojnë edhe punojnë te të afërmit”.
Për ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, rritja e pagave të policëve është domosdoshmëri, ashtu si edhe përmirësimi i kushteve të punës.
“Duhet që të zgjedhurit e popullit, njëherë e përgjithmonë, të mendojmë për këta policë, se vërtet punojnë në kushte të vështira, me rrezikshmëri tejet të lartë. Operacioni i fundit [në Banjskë të Zveçanit] besoj se i ka bindur të gjithë se me çfarë sfidash ballafaqohen ata gjatë punës së tyre”, thotë Maliqi.
“Unë e kam vajzën në polici… prej saj nuk mund të pres asgjë që të ndihmojë familjen. Mezi ia del për vete”, shprehet ai.
Pagat e shërbyesve publikë, përfshirë policët, janë rritur në fillim të këtij viti përmes Ligjit të ri për pagat.
Atëkohë, nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se me koeficientët e rinj për paga, Qeveria ka bërë rritje minimale të pagës bazë – prej 20 deri në 60 euro – për disa kategori brenda policisë, por për disa të tjera pagat janë ulur.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.
Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...