Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian që kushti i Demarkacionit të anashkalohet në këtë fazë, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat, sipas analistëve politikë e ka vënë procesin në një paqartësi të plotë.
Studiuesit e çështjeve evropiane thonë se nga veprime dhe kërkesa të tilla, vihet re një konfuzion total se si duhet ecur tutje me çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht që i është vënë Kosovës nga Brukseli për heqjen e vizave.
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, tha për Rel se tashmë është e qartë se Qeveria nuk ka një plan gjithëpërfshirës sesi të dilet nga kjo gjendje.
Duke folur për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovë në Bruksel, Muharremi tha se përfaqësuesit politikë të vendit duhet të shpjegojnë planin gjithëpërfshirës, nëse e kanë, dhe të tregojnë pse po i ndërmarrin veprimet kokë më vete.
“Duket qartë që ata nuk kuptojnë si funksionon BE-ja dhe politikat e saj”, thotë Muharremi.
Ai thekson se diplomacia e Kosovës po shkon në zyrat e BE-së dhe po kërkon mëshirë, duarthatë, pa asnjë propozim konkret apo ndonjë zgjidhje serioze.
“Spektri politik është i ndarë dhe i thyer sa i përket Demarkacionit. Përderisa krerët e disa institucioneve deklarojnë në Bruksel e Uashington që versioni momental është në rregull, Kryeministri dërgon sinjale që ky version është i papranueshëm. Sigurisht BE-ja për momentin po thotë ‘bëjeni mendjen kosovarë se çfarë dëshironi”.
“Pra kjo çështje duhet të adresohet e zgjidhjet përbrenda apo në rajon. Nuk duket që Qeveria dhe diplomacia e Kosovës është e akorduar dhe flet njëzëri për këtë punë që ta bindë BE-në ta ndryshojë mendjen, përderisa Mali Zi mbetet një partner kredibil për BE-në dhe SHBA-në”, tha Muharremi.
Ndërkaq, Labinot Greiçevci studiuesit i çështjeve evropiane, thotë se nëse lexojmë me kujdes deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli vihet re një konfuzion total për çështjen e Demarkacionit. E tëra që ai kërkon, sipas Graiçevcit, është prolongimi i çështjes, apo njëfarë lloj moratoriumi.
“Por, institucionet e BE-së e kanë bërë të qartë tashmë me dhjetëra herë se pa u zgjidhur çështja e Demarkacionit nuk ka lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës brenda zonës Schengen”.
“Prandaj, është e pakuptimtë një kërkesë e tillë. Politikanët, respektivisht qeveritarët janë aty për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve, e çështja e Demarkacionit është vërtetë një problem i cili kërkon zgjidhje pa vonesa, sepse është kthyer në një pengesë për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës brenda zonës Schengen”, tha Greiçevci.
Se cila do të jetë zgjidhja e këtij problemi, nënvizon Greiçevci, kjo është detyrë e atyre që kanë përgjegjësi publike qeveritare që të gjejnë zgjidhje.
Sipas tij, dy elemente të tjera janë të qarta në këtë drejtim. E para pala tjetër, Mali i Zi e konsideron këtë çështje të zgjidhur dhe nuk lejon rinegocimin e marrëveshjes dhe as riratifikim të ri të kësaj marrëveshje brenda Parlamentit malazias.
E dyta, sipas Greiçevcit, është opsioni i rrëzimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Por, një vendim i tillë, tërheq vërejtjen ai, do ta vinte Kosovën në një pozitë delikate në raport me aleatët e saj strategjikë (SHBA-në dhe BE-në), kur dihet pozicioni i tyre në raport me marrëveshjen aktuale. Po ashtu, thekson ai, do t’i rrezikonte raportet e mira fqinjësore të Kosovës me Malin e Zi.
Marrë parasysh qëndrimin e Podgoricës, ai thotë se opsioni i rinegocimit duket se nuk është alternativë.
“Prandaj, duket se zgjidhjen duhet kërkuar brenda vetvetes. Institucionet e Kosovës duhet që brenda një procesi të brendshëm konsultativ, duke përfshirë edhe punën apo procesin e ‘screening’ që do të bëjë Komisioni i ri qeveritar të gjejnë sa më parë zgjidhjen e këtij problemi”, theksoi ai.
Greiçevci pohon mes tjerash se nëse Qeveria e re e Kosovës nuk do të jetë në gjendje të gjejë zgjidhjen e këtij problemi e pret fati i Qeverisë së kaluar, por me dallimin e vetëm që jetëgjatësia e saj do të jetë edhe më e shkurtër, sesa e asaj të kaluarës.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.
Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës.
Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Kurti sot merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës së Sigur...
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-së,...
Mblidhet Qeveria, 30 pika në rend të ditës
Parashikimi i motit për sot
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...