Dy javë më parë Telekomi i Kosovës u dërgua te përmbaruesi nga kreditori Dardafon. E shuma prej 25 milionë euro e kërkuar nga kjo e fundit e njohur si Z-Mobile në bazë të vendimit të Arbitrazhit (ICC) 20990/MHM mund edhe të mos paguhet.
Madje kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi është shprehur i bindur se faktet të cilat i ka siguruar së fundi ndërmarrja publike do të kthejnë vendimin në favor të Telekomit.
“Nuk do të vendoset në favor të Z-Mobile, jam shumë i sigurt që nuk do të vendoset. Ne e kemi një vendim të arbitrazhit dhe e kemi njoftë si të tillë, por provat e reja të cilat do të dalin do të sjellin diçka krejt tjetër”, ka thënë Istrefi për arbresh.info.
Ai ka paralajmëruar padi ndaj Z-Mobile për dëmet e shkaktuara. E kjo e fundit mund ta nxjerr nga kriza ndërmarrjen që dikur ishte më fitimprurësja në vend.
Njohësi i çështjeve ekonomike në Kosovë, Hekuran Murati ka thënë për arbresh.info se vërtetimi i dëmeve të shkaktuara nga Z-Mobile është shumë i lehtë.
Sipas tij nevojitet vetëm ekip e mirë ekspertësh.
“Dëmet ekonomike që i janë shkaktuar Telekomit mund të dëshmohen shumë lehtë. Krejt çka duhet është një ekip e mirë ekspertësh ligjorë, financiarë, dhe teknologjikë, si dhe një gjykatës me integritet”, ka thënë ai.
Ndërsa i pyetur nëse shuma që mund caktohet për dëmin nga Z-Mobile, Murati ka thënë se e tejkalon 25 milionë euron.
“Kurse sa i përket shumës, ajo e tejkalon shumëfish atë që pretendon Z-Mobile nga ana tjetër. Vetëm dëmi nga skema sim2sim vlerësohet të ketë qenë rreth 20 milionë euro”, ka thënë ai.
E avokati, Tomë Gashi ka thënë për arbresh.info se në rast të vërtetimit të padisë së re mund të vendoset që Telekomi dhe Z-Mobile të mos i kenë borxh asgjë njëra-tjetrës.
“Nëse bëhet kundërpadia e ka prova ka gjasa të mira që të shfrytëzojnë rasti dhe të ketë një lloj barazimi për shkak të pretendimeve të tyre që janë bërë të ditur më parë. Tash është në duar e Gjykatës Themelore në Prishtinë se si do të jetë fati i këtyre 25 milionë euro pasi përmbaruesi e ka dërguar rastin në Gjykatë. Telekomi ka paraqitur kundërshtim. Padia e re është rast i ri dhe nuk ka lidhje me kërkesën e Z-Mobile prej 25 milionë euro. Gjykata mundet edhe me vendos që nuk i kanë borxh asgjë njëri-tjetrit”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se dërgimi i kërkesës përmbarimore në gjykatat vendore mund të zgjasë vendimin deri në 1 vit.
“Sipas ligjeve në Kosovë, vendimi i arbitrazhit të Lodrës është i deklaruar si i pranueshëm në gjykatat e Kosovës, pastaj është kërkuar përmbarimi ndaj përmbaruesi dhe në bazë të ligjit Telekomi i Kosovës si debitorë për shumën prej 25 milionë euro ka paraqitur kundërshtim dhe për shkaqe të organizimit të Gjykates dhe për shkak të procedurës që është paksa më e gjatë ky rast do të shkoj me muaj dhe vite të tëra për shkak të kundërshtimit ose deri në 1 vit”, ka thënë ai.
Sipas tij gjatë kësaj periudhë mund të sillet edhe vendimi për padinë e re që Telekomi mund t’i bëj Z-Mobile.
“Zyrtarët e Telekomit do të paraqesin një kundërpadi ose padi të re kundër Z-Mobile dhe derisa kjo çështje të harmonizohen unë besoj që është kohë e mjaftueshme që të mos ekzekutohet vendimi përmes përmbarueseve sepse nuk mundet me ndodhë pa e sjellë gjykatat një vendim. Sa i përket ekzekutimit është rasti në Gjykatë në Prishtinë dhe kjo Gjykatë do të vendos për një periudhë që është relativisht e gjatë”, ka thënë ai.
Ndryshe ndërmarrja publike, Telekomi i Kosovës, të martën e 30 korriku ka bërë të ditur për shkëputje dhe mos vazhdim të kontratës me Z-Mobile.
Në një konferencë për medie kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha ka bërë të ditur se pas gjashtë muajve negociata me Z-Mobile nuk kanë arritur të pajtohen.
E kryeshefi ekzekutiv, Bedri Istrefi ka bërë të ditur se kontrata shpallet e përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual.
Ai gjithashtu u ka premtuar shfrytëzueseve të shërbimeve Z-Mobile se për asnjë moment nuk do t’i ndërpriten shërbimet.
“Të gjithë konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Dardafon (Z-Mobile) të mos bien në panikë, sepse në bashkëpunim në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) jemi duke punuar ngushtë të zbatojmë edhe fazën e tranzicionit që do të zgjasë nga 30 deri 120 ditë”, ka thënë Istrefi.
“Marrëveshja për Mbështetje” mes Telekomit të Kosovës dhe Dradafone LL.C e njohur si z-mobile ishte nënshkruar më 16 janar të 2009-es./arbresh.info/
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...