Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duke thënë se dje fitoi fryama e ndryshimit.
Pacolli ka thënë se Vetëvendosje rezultoi partia numër një dhe se për këtë meriton çdo lëvdatë, shkruan arbresh.info.
Ai, në një postim në Facebook flet gjerë e gjatë për rëndësinë dhe kontributin e partisë së tij në skenën politike të Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e tij:
AKR…rol kyq në të kaluerën dhe në të ardhmën politike të Kosovës!
AKR forca përcaktuese e çdo konfiguracioni të ardhshëm
Zgjedhjet e djeshme dhanë rezultatin që donte qytetari, dhe që për disa elemente, ishte surprizë.
Për disa elemente të tjera nuk ishte.
Fitoi fryma e ndryshimit.
Votuesit e partive shqiptare kundër establishmentit që ka dominuar Kosovën tash dhjetë vjet, janë më shumë sesa gjysma e numrit tërësor të votuesve.
Vetëvendosja që ishte koherente, e palëkundur në këtë qëndrim rezultoi partia numër një dhe për këtë meriton çdo lëvdatë.
E tash AKR-ja ?
AKR nuk arriti rezultatin që meriton për shkak të vështirësive që ka patur votuesi për t’u orientuar në koalicionet e krijuara, problemeve në një fushatë komplekse, etj.
Por ka diçka që nuk ndryshon :
AKR-ja ka qenë dhe mbetet aktore cilësore pro ndryshimit në Kosovë. Që nga 2007 deri më sot.
Kur AKR hyri në skenën politike të Kosovës, AKR ishte partia e pajtimit të bllokut të partive të luftës me pjesën tjetër të partive të paqes.
Në këtë qasje AKR nuk gaboi.
A nuk ishte Presidenti Rugova që bëri koalicion të LDK-së me AAK-në, duke i dhënë kryeministrin ?
Ne u përpoqëm që t’i jepnim qeverisjeve të ndryshme në Kosovë, programin tonë, ekspertizën tonë, zgjidhjet tona unike, të posaçme për gjyqësinë, për Trepçën, për bujqësinë, për investimet, për Bashkimin kombëtar ekonomik, etj, por u sabotuam rregullisht.
Kësisoj ne vendosëm përkundrejt presioneve, shantazheve të bëjmë zgjidhjen tonë autonome. Larg atyre që nuk e duan Kosovën, që nuk dinë të qeverisin, nuk duan të qeverisin si duhet.
Sot ne jemi në një situatë tjetër.
Tash dhjetë vjet i njëjti grup qeverisës kërkon të mbetet në pushtet, kokëfortë në gabimet e veta që i kanë kushtuar Kosovës. Pavarësisht se ata sot janë koalicion më i gjerë, prapëseprapë ai dominohet nga të njëjtët njerëz në skenë dhe prapaskenë.
AKR si pjesë e frymës për ndryshim ka negociuar prej një kohe bukur të gjatë me Lëvizjen Vetëvendosja. Kemi arritur përputhje relativisht të madhe në programe. Nuk kemi parë ndarje postesh, por konvergjim programesh. Kemi patur divergjenca për rolin e shtetit në ekonomi, por dhe për raportin me perëndimin. Unë punova njëkohësisht për krijimin e një fronti të madh për ndryshimin, që të përfshinte dhe LDK-në. Nuk arritëm dot për shumë arsye, por urat kanë mbetur të ngritura. Më vjen mirë që më në fund dhe zotëri Kurti në një mesazh publik për miqtë tanë perëndimorë e rikonfirmoi këtë orientim :
Kosova do ruajë raportin e privilegjuar me Perëndimin, me ata që e çliruan, duke ndërtuar një shtet serioz, të pakorruptuar që nuk abuzon me ndihmën perëndimore.
AKR e rikonfirmon fuqishëm bindjen e vet se Kosovës i duhet ndryshimi i madh. Forcat e ndryshimit janë më shumë sesa gjysma e elektoratit.
AKR është përcaktuese në konfirmimin në pushtet të forcave të ndryshimit dhe do të kontribuojë në këtë ndryshim me ndershmërinë e vet, me moderacionin e vet, me diturinë e vet, me ekspertizën e vet, me programin e vet.
Ne jemi të bindur se çdo qeveri e ardhshme duhet të ketë prioritetin numër një zhvillimin ekonomik dhe shtetin ligjor.
Në çdo rast, në mënyrë konsensuale, çdo qeveri do duhet të iniciojë një reformë të gjerë kushtetuese që ndryshon sistemin zgjedhor, që fut zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshime të tjera.
AKR është e gatshme që të luajë rolin që i lipset vendit./Arbresh.info.
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...
Sa mjaltë në ditë mjafton për imunitet të mirë?