Google ADS

Pacolli uron Kuvajtin për Ditën Kombëtare

13:50 | 26 Shkurt 2018
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka uruar përfaqësuesit e institucioneve dhe popullin e Kuvajtit në shënimin e Ditës së tyre Kombëtare, ndërkohë që është zotuar për mbajtjen e Forumit Ekonomik dhe akreditim të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në këtë shtet brenda këtij viti.

Pacolli ka shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dy-palësh.

“Përderisa institucionet dhe populli i juaj shënon 57 vjetorin e Ditës Kombëtare, dëshiroj që në këto momente të veçanta krenarie kombëtare për Ju dhe vendin Tuaj t’ju përcjellë urimet më të sinqerta në emër të Presidentit, Qeverisë dhe popullit të Kosovës. Që nga koha e Pavarësisë, vendi Juaj ka bërë hapa të mëdhenj në rrugën e progresit dhe prosperitetit”, thuhet në urimin e Pacollit.

“Ne, mbetemi të hapur dhe të gatshëm për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy popujve. Dëshiroj të ri-theksojë zotimet tona të mëhershme për organizimin e Forumit Ekonomik në mes dy vendeve brenda këtij viti, nga i cili presim rritje të investimeve të Kuvajtit në Kosovë. Gjithashtu, brenda pjesës së parë të këtij viti do ta akreditojmë edhe Ambasadorin tonë në Kuvajt. I falënderojë, në veçanti Institucionet e shtetit të Kuvajtit për pritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyeshëm të takimit Ministerial të Koalicionit Botëror kundër ISIS-it, i cili u mbajt gjatë këtij muaji”, ka thënë kryediplomati i Kosovës, Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme