Pacolli: Testi PISA dështim që duhet të na shqetësoj

12:42 | 4 Dhjetor 2019
L G

Ish- deputeti i AKR-së në Kuvendin e Kosovës, Islam Pacolli e ka quajtur dështim radhitjen e Kosovës si e treta me radhë nga fundi në testin PISA 2018.

Pacolli në një postim në Facebook, një ditë pas publikimit të këtij raporti, ka shkruar se ngjashëm si në vitin 2015, edhe kësaj radhe, Kosova u radhit në vendin e tretë nga fundi në testin e njohur si PISA me rezultate të ulëta në arsim, në fushën e leximit, matematikës dhe shkencave.

“Përsëri, performanca e dobët në arsim, po del të jetë si pasojë e mos ndërtimit të reformave të reja si dhe politizimit të sektorit të arsimit në Kosovë. Këto rezultate janë zhgënjyese por janë edhe të pritshme, janë në nivelin e rezultateve të vitit 2015, me përmirësime fare të lehta në pikët e leximit dhe matematikës, e kjo është si pasoj e asaj që nuk është bërë asnjë ndryshim thelbësor brenda sistemit të arsimit, i cili do të sillte rezultate më të mira”, ka shkruar Pacolli.

Gjatë kësaj periudhe, sipas tij,  nxënësit tanë kanë filluar mësimin me po ato plan programe dhe tekste mësimore si nxënësit e gjeneratës paraprake dhe janë përballur me një sistem të arsimit ku nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie, gjë që ndikon në performancën e dobët të tyre.

Këto rezultate, sipas tij,  edhe pse janë shqetësuese dhe shumë alarmuese, nuk duhet të na befasojnë, pasi që gjithçka është e mundshme, kur dihet botërisht se sot shkollat tona janë shumë të politizuara dhe të shndërruara në degë të politikës.

‘Politika duhet të heq dorë njëherë e për gjithmonë nga arsimi, pasi që në shkolla nuk duhet dhe nuk mund të ketë vend për drejtorë dhe mësimdhënës të cilët janë militantë politikë, të cilët janë aty sa për t’ju shërbye subjekteve të ndryshme politike, e jo për cilësi në mësim. Këta nxënës të testuar nga PISA, nesër duhet të jenë bartës të proceseve të rëndësishme të zhvillimit të vendit , andaj niveli i arsimit çfarë ne sot e kemi në Kosovë duhet të jetë shqetësim dhe preokupim i madh jo vetëm për klasën politike e cila do të udhëheqë me vendin, por për gjithë shoqërinë dhe mu për këtë shkollat nga politika dhe shoqëria në përgjithësi duhet të marrin mbështetje shumë më të madhe, duhet mobilizim për të hartuar plan se si duhet vepruar tutje, në mënyrë që të rritet cilësia në mësimdhënie”, ka thënë Pacolli./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme