Pacolli: Të gjithë deputetët e AKR-së janë unik dhe kanë qëndrimin e AKR-së

20:33 | 8 Gusht 2017
Arbresh.info

Kanë mbetur edhe dy ditë deri në seancën konstituive, e cila do të jetë vazhdim i seancës së javës së kaluar.

Deputeti i zgjedhur i Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli, thotë se Kosova dhe fati i saj nuk varen nga deputetët e partisë ku bën pjesë ai, por nga gjithë deputetët e kuvendit.

Sipas tij, nuk është e ndershme deputetët të ndërrojë qëndrim qoftë për interesa individuale apo atyre partiake.

“Nuk mendoj që Kosova është në krizë dhe as fati i Kosovës nuk varet nga deputetët e AKR-së, por varet nga të gjithë deputetët e parlamentit të Kosovës. Mendoj që secili kur është hy në këtë garë ka bërë koalicion me një parti dhe është e ndershme që të jemi reflektues dhe të ndershëm ndaj besimit të qytetarëve. Nuk është ndershmëri prej asnjë deputeti, i cili merr votën prej qytetarëve për një besim të caktuar dhe pastaj për interes individual apo partiak ndryshon qëndrimin”, tha Pacolli, shkruan Indeksonline.

Pacolli tha se deputetët e AKR-së, nuk kanë vendosur ende se cilin kandidat do ta përkrahin dhe se me këtë çështje merret kryesia e partisë e jo deputetët.

“Unë jam deputet i AKR-së dhe gjithë deputetët e AKR-së janë unik dhe kanë qëndrimin e AKR-së. Cilin kandidat do e përkrahim është çështje e AKR-së dhe vendimin e merr kryesia e partisë, nuk i marrim ne”, shtoi tutje Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme