Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka mbajtur sot një konferencë për media në të cilën ka falënderuar dhe ka bërë të ditur personat që kanë ndihmuar në fondacion e tij në lidhje me vërshimet e janarit në Kosovë.
Para të pranishmëve, Pacolli deklaroi se më e rëndësishmja është që njerëzit kanë kontribuar me aq sa kanë pasur mundësi, e jo kush sa ka dhënë për riparimin e dëmeve nga vërshimet.
“Që nga momenti kur ndodhi katastrofa unë isha jashtë vendit, e pashë se nuk mund të rrihet duarkryq dhe të mos bëhet diçka. Kështu që nga atje pata mundësi të takoj miq dhe dashamirë që mund të kontribuojnë në uljen e dhimbjes dhe emocionalisht të jenë me ata që pësuan nga vërshimet. Dëmet e vërshimeve ishin të mëdha dhe atë pjesë të qytetarëve e fundosën edhe më tepër. Dihet se gjendja e tyre ekonomike nuk ishte për t’u lavdëruar, dhe kështu kontaktova miqtë dhe u ktheva tash në Kosovë ku pashë se shumë njerëz kontribuan me aq sa patën mundësi. S’është me rëndësi kush sa ka dhënë por me rëndësi është që njerëzit kanë dhënë. Jam i bindur se ndihmat do të vazhdojnë të vijnë dhe disa miq menjëherë atëherë më thanë se ne jemi me ju dhe qytetarët dhe madje disa nga ta, janë këtu në këtë konferencë”, tha Pacolli në konferencë.
Pacolli ka theksuar gjithashtu se llogaria për ndihmën e të prekurve nga vërshimet vazhdon të jetë e hapur, ndërkaq tha se ndihma e mjeteve të mbledhura nga ky fondacion do të shkojë në riparimin e shtëpive dhe gjësendeve tjera të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Llogaria e “Fondacioni Behgjet Pacolli” mbetet gjithmonë e hapur dhe sot unë do të doja të tregoj se cilët ishin ata që ndihmuan apo zgjatën dorën në këtë situatë. Fondacioni menjëherë, qysh në ditën kur kanë ndodhur vërshimet, ka qenë në terren dhe ka ndihmuar me aq sa ka pasur mundësi por ndihma e vërtetë do të vjen tani. Ne kemi formuar dhe një komision i cili ka vlerësuar dëmet e shkaktuara. E unë dihet se s’jam person që jap para të gatshme por do të riparoja shtëpi dhe dëme tjera për të dëmtuarit. Ne, në këtë rrugë kemi qenë bashkë me partnerët tanë, “Jetimat e Ballkanit”. Në fund, unë dua të falënderoj gjithë ata që kanë shtri dorën dhe kanë kontribuar në këtë fondacion. Do ta mbajmë llogarinë hapur deri në fund dhe do të përfshijmë sa më tepër dashamirës dhe njerëz që janë të gatshëm të ndihmojnë.”, theksoi Pacolli.
“Fondacioni Behgjet Pacolli” ka shumë vite që funksionon, ndërkaq që nga situata me vërshimet në Kosovë, ky fondacion ka intensifikuar punën e tij në mënyrë që t’u dalë në ndihmë familjeve të prekura.
Komuna e Skenderajt ka qenë komuna më e prekur nga vërshimet në Kosovë, e të prekur kanë qenë edhe komuna e Mitrovicës, Istogut, Klinës, Drenasit dhe Podujevës./arbresh.info/
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...